Të qenit njeri

 

Kur’ani i shenjtë dëshmon se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka qenë njeri si të gjithë njerëzit e tjerë, njësoj si të dërguarit e tjerë paraardhës. Ndryshimi ishte se ai ka qenë i zgjedhuri i Allahut dhe i Dërguari i Tij për të udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë, bazuar në mësimet e Zotit.

 

Kur’ani e urdhëron Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), që t’u thotë njerëzve:

“Thuaj: ‘Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm’. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!”

Sure “El-Kehf”, ajeti 110

 

Në një ajet tjetër sqarohet edhe më shumë të qenit e tij njeri si të gjithë njerëzit e tjerë. Ajeti thotë:

“Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve”.

Sure “Hud”, ajeti 31.

 

“Thuaj: ‘Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet’. Thuaj: ‘A barazohet i verbri me atë që sheh? A s’po mendoni?’”

 Sure “El-En’am”, ajeti 50.

 

Nga këto ajete mësojmë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) nuk ka asgjë nga ato që përmendin ajetet, por ai zbaton ato që i është shpallur nga Allahu i Madhëruar.

 

Të qenit profet, rob i Allahut, sqarohet në këtë ajet:

“Thuaj: ‘Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë,"

Sure “El-A’raf”, ajeti 188.

 

Në një ajet tjetër, përsëri rreth kësaj çështjeje, thuhet:

“Thuaju: ‘Unë nuk jam i pari i dërguar dhe nuk e di çfarë do të ndodhë me mua, ose me ju. Unë ndjek vetëm atë që më është shpallur dhe kam për detyrë të jap vetëm paralajmërime të qarta."

Sure “El-Ahkaf”, ajeti 9

 

Në Kur’an flitet se Allahu i Madhëruar ia shfaq gajbin atij që do prej të dërguarve të Tij, por jo se ata dinë të fshehtën. Këtë e lexojmë në suren “Xhin”, në ajetet 26-28, ku thuhet:

“Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (engjëj), në mënyrë që ta dijë, nëse i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht”.

 

Allahu është i Plotfuqishëm, që t’i japë kujtdo prej robëve të Tij, sidomos të dërguarve, çfarëdo fuqie, siç u ka dhënë disa të dërguarve mrekulli të ndryshme. Po ashtu, është i Plotfuqishëm që t’ua zbulojë të fshehtën. Por Kur’ani na thotë se nuk ua ka dhënë atyre këtë gjë. Ata lëviznin njësoj si lëvizin njerëzit. Përjetonin ndjenjën e dobësisë, etjes, urisë, dhimbjes, hidhërimit, gëzimit etj.