Si përballej Profeti (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) me sfidat

 

Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është përballur me sfidat më të ashpra ndaj të pafeve dhe politeistëve mekas. Ata e akuzonin me lloj-lloj akuzash, me qëllim që ta injoronin dhe ua paraqitnin njerëzve si një poet me metodë të re në poezi. Këtë e bënin për ta ulur nga posti i dërguesit të mesazhit. Më pas, e akuzonin se ishte gënjeshtar dhe gënjente, duke pretenduar se ishte i Dërguar. E akuzuan se ishte magjistar dhe mendjelehtë. Së fundi, arritën të thoshin se mesazhi i tij ishte: “Dhe ata thonë:

‘Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e në mbrëmje’”Sure “El-Furkan”, ajeti 5.

 

“Ne e dimë mirë që ata thonë: ‘Atë e mëson një njeri! Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kur’ani) është në gjuhën e qartë arabe’”. Sure “En-Nahl”, ajeti 103.

 

E Allahu u përgjigjet thënieve të tyre në shumë ajete, si: “…se ky (Kur’an) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit) e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni! Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni! Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!" Sure “El-Hakka”, ajetet 40-43

 

“Nëse ata thonë: ’Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kur’anin)’, thuaju: ‘Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën’.” Sure “Junus”, ajeti 38.

 

“Vërtet thonë ata: ‘Ai e ka trilluar atë?!’ Nuk është kështu, por ata nuk besojnë. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë!" Sure “Et-Tur”, ajetet 33-34

 

“Thuaj (o Muhamed): ‘Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin), që  nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë." Sure “Sebe”, ajeti 46.

 

Në këto ajete shihet qartë metoda e përkryer kur’anore, në përgjigje të akuzave dhe trillimeve të jobesimtarëve, të cilat ia drejtonin Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). Pa dyshim që kjo metodë nuk është e posaçme vetëm për jobesimtarët në kohën e Profetit Muhamed, por është për të gjitha kohët dhe për të gjithë jobesimtarët e çdo kohe dhe të çdo vendi.

 

Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) në këtë jetë dhe na bashkoftë me atë në Jetën Tjetër!