Profeti Muhammed  (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!)  ne Kur'an

 

Sipas pikëpamjes dhe mendimit të personaliteteve islame, Kur’ani zë vendin e parë, sepse ai është Libër i Allahut, i cili jo vetëm e mbron personalitetin e njeriut, por e përsos atë. Ai përmban bazat dhe themelet e besimit dhe shpjegon gjithçka rreth fesë sonë të drejtë, Islamit, qoftë për çështjet individuale apo për ato të përgjithshme. Ai e drejton dhe e udhëheq shpirtin tonë drejt rrugës së drejtë.

 

Ai është dritë dhe është i qartë. Me anë të Kur’anit, Allahu udhëzon atë që ndjek kënaqësitë e Tij dhe rrugët paqësore të mendimit, shpirtit dhe zbatimit. Ai i nxjerr njerëzit prej errësirave në dritë, me lejen e Tij dhe i udhëzon ata në rrugën e drejtë e të vërtetë. Kur’ani u sqaron njerëzve se ajo për të cilën kanë mendime të ndryshme, është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.

Ai udhëzon në atë që është më e mira dhe më e përsosura. Ai është shërues për zemrat dhe është shenjë e Zotit të Madhëruar. Allahu thotë për Kur’anin se atij nuk i vjen e kota as nga para e as nga prapa. Ai është dokument i mbrojtur nga Allahu dhe në të nuk ka as shtesë e as mangësi. Po ashtu, Allahu thotë:

“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”

 

Bazuar në ato që u thanë për Kur’anin, është e domosdoshme që ai të jetë burimi i parë për jetëshkrimin e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). Ai flet për personalitetin e Profetit, për moralin e tij, për metodën e thirrjes e të predikimit të tij dhe për jetën e përgjithshme e personale të tij. Ai flet për marrëdhëniet e Profetit me të tjerët, qofshin besimtarë apo jobesimtarë.

 

 Sigurisht që profetësia e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është çështje e Allahut, prandaj edhe njohja më e mirë e tij arrihet nëpërmjet Librit të Allahut të Madhëruar, Kur’anit të Shenjtë. Për këtë, duhet që myslimanët të thellohen në studimin e jetës së Profetit, për t’u njohur me Profetin e tyre. Allahu i Madhëruar i urdhëron myslimanët, që ta kuptojnë Kur’anin dhe të jetojnë nën dritën e tij.

 

Allahu i Madhëruar e ka zbritur Kur’anin udhëzues, udhërrëfyes dhe sqarues për çdo gjë. Prandaj, siç e thamë edhe më lart, për të njohur personalitetin e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), duhet të bazohemi te Kur’ani. Të shumta janë ajetet që flasin për këtë njeri të madh e për këtë dritë të pashuar.

 

Së pari, duhet të mësojmë periudhën para profecisë. Vallë, a e ka studiuar Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) Teuratin (Torren) dhe Biblën (Inxhilin) para se t’i vinte profecia?

A ishte i ditur për historinë e të dërguarve të mëparshëm?

A dinte shkrim e këndim?

 

Sipas Kur’anit, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) nuk ka pasur njohuri për ato që thamë. Në Kur’an thuhet:

“…Allahu ta shpalli ty Librin (Kur’anin) dhe Urtësinë e plotë, si dhe të mësoi atë që nuk e ke ditur. Dhuntia e Allahut për ty është shumë e madhe”. 

Sure “En-Nisa”, ajeti 113.

 

 “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti, më parë, nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kur’anin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robtë Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë”.

Sure “Esh-Shura”, ajeti 52.

 

“Ti nuk ishe i pranishëm, kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin”.

Sure “Al Imran”, ajeti 44.

 

“Këto janë disa nga historitë e fshehta, të cilat Ne po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ke qenë me ata, kur vendosnin për punën e tyre dhe kurdisnin dredhi”. 

Sure “Jusuf”, ajeti 102

 

“Ti nuk ke shpresuar se do të të shpallej Libri, por e more nga mëshira e Zotit tënd; prandaj, kurrsesi, mos u bëj ndihmës i mohuesve!”

Sure “El-Kasas”, ajeti 86

 

“Unë nuk kam pasur asnjë dijeni për Grupin më të Lartë, kur diskutonin mes tyre (për krijimin e Ademit)”. 

Sure “Sad”, ajeti 69.

 

“Thuaj: ‘Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe Ai as që do të bënte që ju ta mësoni atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë, a nuk po mendoni?" 

Sure “Junus”, ajeti 16

 

“Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e të pavërtetës do të dyshonin”. 

Sure “El-Ankebut”, ajeti 48

 

E gjitha kjo është argument i profecisë së tij, sepse gjithë kjo kulturë nuk mund të fitohet me përpjekje njerëzore, veçanërisht, kur ai që ka këtë kulturë të gjerë, nuk ka ditur të shkruajë e as të lexojë. Por kjo nuk do të thotë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) nuk ka pasur kulturë të lartë nëpërmjet meditimeve që bënte dhe nëpërmjet dhuntive të Allahut për të, gjatë kohës së përgatitjes së tij për të mbartur këtë mision të lavdishëm e universal, që është mesazhi islam.

 

Kur’ani i shenjtë na thotë qartë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është mbartësi i mesazhit. Allahu i Madhëruar për këtë, thotë:

“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues”. 

Sure “El-Ahzab”, ajetet 45-46.

 

“Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata, më parë, ishin vërtet në humbje të plotë”.

Sure “Xhumua”, ajeti 2.

 

“…një të Dërguar, i cili ju lexon shpalljet e Allahut me shpjegime të qarta, për t’i nxjerrë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, nga errësira në dritë…” 

Sure “Et-Talak”, ajeti 11

 

Në ajetet e lartpërmendura, duket qartë roli udhëheqës dhe edukues i Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) për njerëzit. Po ashtu ai është dëshmitar, që dëshmon për bashkësinë, duke i treguar asaj rrugën e vërtetë e të drejtë. Ai u lexon atyre ajetet e Allahut dhe u mëson atyre Librin që u nevojitet nga ana teorike dhe u mëson urtësinë që u nevojitet për anën praktike të jetës së tyre. Ai është përgëzues për besimtarët punëmirë, se ata do të kenë shpërblim të mirë. Gjithashtu, është edhe tërheqës i vëmendjes ndaj dënimit të dhimbshëm. Ai është edukuesi dhe pastruesi i zemrave prej të këqijave dhe ndyrësive mendore.

Ai i nxjerr njerëzit prej errësirave të paditurisë e të mosbesimit, të idhujtarisë e të humbjes, të prapambetjes e devijimit, në dritën e besimit e të dijes, të monoteizmit e të udhëzimit, të përparimit e të qytetërimit në horizontet e dashurisë për Allahun, për jetën dhe për njerëzit. Ai nuk ka ardhur që të hedhë poshtë mesazhet që sollën profetët paraardhës dhe as t’i mohojë ata. Ai erdhi dëshmues dhe vërtetues për ato që sollën profetët e tjerë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kur’an:

“…pastaj juve ju erdhi një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë…”

Sure “Al Imran”, ajeti 81.

 

Ai i dëshmonte librat paraardhës dhe ua sqaronte ato njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë:

“O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë…” 

Sure “El-Maide”, ajeti 15

 

Ai e shfaqte besimin për të gjithë të dërguarit:

“…Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…” 

Sure “El-Bekare”, ajeti 285

 

Po të studiohen me kujdes ajetet e Kur’anit, që flasin për metodën thirrëse të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), do të vërejmë se ai nuk detyronte askënd, që të besonte dhe të bënte punë të mira.

 

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues; dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” 

Sure “El-Gashije”, ajetet 21-22.

 

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre”.

 Sure “En-Nisa”, ajeti 80.

 

“…i Dërguari ka për detyrë vetëm që të shpallë qartazi”. 

Sure “El-Ankebut”, ajeti 18

 

“Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj, këshillo me Kur’anin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” Sure “Kaf”, ajeti 45

 

Ka edhe shumë ajete të tjera që flasin rreth kësaj teme.

 

Bazuar në këto ajete, duket qartë misioni profetik, i cili fton në besim, por jo me gjuhën e dhunës e të forcës, por me gjuhën e këshillës dhe të fjalës së mirë. Në çdo hap e lëvizje, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) sillej ashtu siç e kishte mësuar Allahu. Ai ishte urdhëruar, që t’ua paraqiste veten e tij njerëzve, duke u thënë:

 

“(Thuaju, o Muhamed): ‘Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Zotin e këtij Qyteti (Mekës), i Cili e ka bërë atë të shenjtë dhe të Cilit i përket gjithçka. Jam urdhëruar që t’i nënshtrohem Atij; dhe të këndoj Kur’anin’. Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për dobi të vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: ‘Unë jam vetëm paralajmërues’. Dhe thuaj: ‘Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato!’ E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju”.

Sure “En-Neml”, ajetet 91- 93

 

Me ndihmën e Allahut dhe bazuar në mësimet e Tij, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) nisi rrugën e predikimit me urtësi, me fjalë të ëmbla e të buta dhe me një qetësi e zemërgjerësi të paparë. Kjo ishte mënyra më e mirë për të depërtuar në mendjet dhe zemrat e të tjerëve. Ai ishte urdhëruar, që të udhëzonte njerëzit në rrugën e besimit të drejtë e të vërtetë e ky besim të ishte i bazuar në bindje dhe i palëkundur.

 

Në një ajet të Kur’anit, për ata që kanë besim të lëkundur, thuhet:

“Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo, është humbja e qartë”.  Sure “El-Haxhxh”, ajetit 11.

 

Pra, përqafimi dhe ndjekja e Islamit nuk është me forcë e me dhunë, por me dëshirë dhe e bazuar te studimi dhe njohja e tij. Ka shumë njerëz, që, për arsye të mosnjohjes së fjalës së Allahut, nuk besojnë. Për këtë, është detyrë që të ndiqet metoda e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) në përhapjen dhe sqarimin e fjalës së Allahut, me qëllim që njerëzit të njihen sa më shumë me të dhe ta dinë se rruga e vetme e shpëtimit në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër është zbatimi i kësaj fjale, i Kur’anit të shenjtë.