Për çdo çështje apo fjalë, e pyesnin Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!): “A është prej tij, apo është shpallje nga Allahu?”, me qëllim që të qartësonin qëndrimet e tyre. Por duhet të dihet se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) nuk ka pasur dy personalitete në çështjet e përgjithshme e të posaçme. Ai ka pasur një personalitet, i cili ishte trup i gjallë me mesazhin. Ai ishte Kur’ani folës, në çdo aspekt të jetës së tij, qoftë në vepra, në thënie, në miratime e vendime. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
“Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e Zotit, që i vjen atij”. Sure “En-Nexhm”, ajetet 3-4.
“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”.
Sure “En-Nisa”, ajeti 65.
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.
Sure “El-Ahzab”, ajeti 21.
Ai është shembull në gjithçka. Ai ka qenë i pastër e i pamëkatë gjatë gjithë jetës së tij, që në vegjëli e deri në fund të jetës së tij. Fjala e tij me veprën ka qenë një dhe kurrë nuk binin ndesh me njëra-tjetrën. Ai është shembulli më i përkryer për mbarë njerëzit, sepse përfaqëson të gjitha vlerat e larta morale dhe njerëzore. Toka nuk ka parë dhe nuk do të shohë njeri më të dëlirë e më të pastër se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!).