Profeti i pashkolluar mësoi dhe edukoi popuj

 

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë:

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër, që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët”.

Sure “Et-Teube”, ajeti 128. 

 

Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) përfaqëson modelin e përsosur të humanizmit. Në personalitetin e tij ndodheshin të gjitha virtytet dhe vlerat e larta njerëzore. Ai ishte i ditur, bujar, inteligjent, i përkryer, model i urtësisë, i respektit e i madhështisë. I guximshëm, i devotshëm dhe mëshirë për mbarë krijesat. Ai ishte i pamëkatë dhe ishte në piedestalin më të lartë të moralit. Kur’ani i shenjtë thotë: “se ti je me virtyte madhore”. Sure “Kalem”, ajeti 4.

 

Në veprat e tij nuk dukej asnjë mangësi e as në sjelljet e tij kundërshti. Ai ishte zemërgjerë ndaj vështirësive dhe problemeve. Sakrifikoi ashtu si duhet në rrugën e Allahut të Madhëruar. Ishte i palëkundshëm në luftën përballë fuqive injorante, idhujtare e pagane, për të përhapur drejtësinë, lirinë, mëshirën dhe dashurinë. Për këtë, Allahu e bëri shembullin më të mirë për mbarë njerëzit, siç thotë në Kur’anin e shenjtë:

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.

Sure “El-Ahzab”, ajeti 21. 

 

Sipas këtij ajeti të bekuar, është detyrë e të gjithë njerëzve, që ta ndjekin dhe të zbatojnë porositë e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). 

 

Vërtet, ne, umeti islam, jemi bashkësi e lartë, sepse të gjitha çështjet e jetës sonë i marrim nga libri madhështor, fjala e fundit e Allahut në Tokë, Kur’ani i shenjtë dhe nga njeriu i përkryer, i cili është në piedestalin më të lartë të moralit, vula e profetëve, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për mbarë botët dhe ai është vula e profecisë. 

 

Allahu në Kur’an thotë:

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”.

Sure “El-Enbija”, ajeti 107

 

Kjo mëshirë për mbarë botët, u zgjodh nga Allahu i Madhëruar në mesin e shoqërisë së pashkolluar, të cilët edhe ata e njihnin si njeri të drejtë e besnik.

 

Edhe Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ishte i pashkolluar. Por i pashkolluar do të thotë të jesh i pastër me natyrën që ka krijuar Allahu dhe nuk ka mësuar në shkollë e as nga njerëzit e tjerë. As nuk është i ndikuar nga qytetërimet e kombeve të tjera, siç mund të thonë disa se ajo që ka sjellë është prej qytetërimit ku ai jetonte. Shoqëria ku lindi Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ishte shoqëria më e errët, më e humbur. Ajo është quajtur shoqëria e injorancës. Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) nuk ka mësuar as nga lindorët, as nga perëndimorët. Për këtë, Allahu në Kur’anin e shenjtë, në suren “El-Ankebut”, në ajetet 48-49 thotë:

“Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e të pavërtetës do të dyshonin. Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit”.

 

Pra, ti, o Muhamed, nuk dije as shkrim e as këndim para zbritjes së Kur’anit, sepse ishe i pashkolluar. Por kjo nuk do të thotë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ishte i paditur. Nëse do të dinte shkrim e këndim, jobesimtarët do të dyshonin rreth Kur’anit e do të thoshin se këtë e ka përzgjedhur nga librat e mëparshëm dhe thotë se është nga Allahu. Mirëpo, të qenit i pashkolluar, është mrekulli. Ai solli Librin sfidues, i cili përmban lajmet e të shkuarve dhe të të ardhmëve.

 

 Vërtet, Kur’ani është mrekulli e përjetshme për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). Ai është argumenti më i madh dhe më i fuqishëm që vërteton profetësinë e Profetit Muhamed. Përveç Kur’anit të shenjtë, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka pasur edhe mrekulli të tjera, të cilat i kanë parë dhe i kanë dëshmuar bashkëkohësit e tij.

 

Të gjitha këto mrekulli, tregojnë qartë pozitën e lartë të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). Është detyrë e të gjithë njerëzve që ta duan, ta respektojnë dhe ta pasojnë Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), të cilin Allahu e ka dërguar mëshirë për mbarë botët.

 

Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ishte, është dhe do të mbetet mësuesi më i mirë për të gjithë njerëzit. Me anë të fjalës së Allahut, Kur’anit të shenjtë, ai arriti ta ndryshojë rrënjësisht shoqërinë e asaj kohe. Ai u bë i dashur për njerëzit, sepse ftonte në drejtësi, në dashuri, në vëllazëri, në paqe, në siguri, në solidaritet dhe në dhembshuri. Misionin e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) e sqaron Kur’ani i shenjtë:

“Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë”.

Sure “Xhumua”, ajeti 2. 

 

“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kur’anin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar”.

Sure “Al Imran”, ajeti 164. 

 

Në këto dy ajete, Allahu i Madhëruar sqaron se misioni i Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) dhe i të gjithë profetëve, ka qenë udhëzimi i njerëzve në rrugën e drejtë. Mirëpo udhëzimi nuk mund të arrihet pa pastrim, edukim dhe mësim.

 

Interesante në këto dy ajete është se në fillim përmendet pastrimi e më pas mësimi. Kjo do të thotë se feja e pastër islame i kushton vëmendje të madhe anës shpirtërore të njeriut. Ajo kërkon që njeriu të jetë si qelibari brenda tij. Feja islame, me anë të Kur’anit dhe Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është e vetmja që siguron lumturinë e vërtetë të njeriut në të dy botët. Dija dhe morali janë dy krahët më të fortë, që e bëjnë njeriun të udhëtojë drejt lumturisë. 

 

Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) porosit për dijen dhe kërkimin e saj. Në një hadith ai ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo myslimani dhe myslimaneje”. Gjithashtu, ka thënë: “Kërkojeni diturinë prej djepit deri në varr”. Këto porosi, Profeti ynë i dashur e jepte që shoqëria islame të edukohej dhe të ishte shembull për shoqëritë e tjera në edukim e moral. Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë jam dërguar që të përsos moralet e larta”.

 

  Për sa kohë që qëndroi në Mekën e bekuar, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) kurrë nuk hoqi dorë nga misioni i tij fisnik, edhe pse e lëndonin, e shanin, e ofendonin dhe e torturonin atë, së bashku me besimtarët që i besuan mesazhit të tij. Ai i duroi të gjitha keqbërjet, intrigat dhe padrejtësitë. Ai kurrë nuk u lodh dhe kurrë nuk u gjunjëzua. Përkundrazi, ishin jobesimtarët ata që u lodhën e u trishtuan, sepse fjalët e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ishin të vërteta të padiskutueshme.

 

Aq shumë u lodhën e u stresuan jobesimtarët nga prania e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) dhe nga mesazhi i tij paqësor, saqë vendosën ta ekzekutonin. Por ishte urtësia e Allahut dhe fuqia e Tij që misioni të vazhdojë në Medinen e ndritur.

 

Pas mbërritjes në Medine, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) filloi të organizojë ndërtimin e një shoqërie të fortë islame, bazuar në pastërti dhe dije.