PROFETI  (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!)  I PAQES DHE I DASHURISË

 

Mesazhi që solli Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është mesazhi i paqes  dhe i sigurisë. Ai ka qenë i vërteti, besniku. Njerëzit e njihnin, e njohin dhe do ta njohin deri në fund të kësaj jete si të tillë. Për atë, Allahu i Madhëruar thotë: 

“Vërtet, ti je në skajet e larta të moralit”.

 

Ai e mbarti mesazhin e Allahut në zemrën e tij, në gjuhën e tij e në çdo hap të jetës së tij dhe ua përcolli të gjithë njerëzve. Ai është përkthyer dhe është botuar në shumë gjuhë të ndryshme të botës. Për përhapjen e këtij mesazhi, ai duroi tortura, mundime, persekutime e dhembje nga më të ndryshmet. Vetë Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka thënë:

“Asnjë profeti nuk i është bërë keq, siç më është bërë mua”.

 

Fjalët e smirakëve nuk e penguan atë në veprën e tij. Talljet dhe mendjemadhësitë e njerëzve të asaj kohe nuk e ndaluan ta shpallte e ta përhapte mesazhin e Allahut. Prandaj sot, më shumë se një miliardë e gjysmë myslimanë vazhdojnë ta pasojnë atë me dëshirë e dashuri. 

Gabon rëndë ai që thotë se ky mesazh është përhapur me shpatë. Vetë Allahu e cilëson Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahu qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) mëshirë për mbarë botët, kur thotë:

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”. Sure “El- Enbija”, ajeti 107

 

Dhe:

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoji falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai”. Sure “Al Imran”, ajeti 159

 

Dhe:

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër, që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët”. Sure “Et-Teube”, ajeti 128.

 

Në Kur’an lexojmë se Allahu ia ka qartësuar Profetit të Tij se si ta përhapte fenë islame, kur thotë:

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe me këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, i di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë”. Sure “En-Nahl”, ajeti 125

 

Dhe:

Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij askënd e asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëritjetrin në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” Sure “Al Imran”, ajeti 64.

 

Këto ajete të Allahut të Madhëruar e të tjera si këto në Kur’an, qartësojnë se Islami nuk është përhapur me gjuhën e shpatës, siç mëtojnë (pretendojnë) disa mendje dashakeqëse e djallëzore. Vallë, a shkon dhuna me mëshirën?! A shkon ashpërsia me butësinë?! A shkon zënka me dialogun?! Asnjëherë. Ata që thonë se Islami është përhapur me dhunë e me shpatë, duan ta shuajnë dritën e Allahut me gjuhët e tyre. Por më kot mundohen, sepse Allahu na thotë në Kur’an: 

“Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë”. Sure “Et-Teube”, ajeti 32.

 

Kur flitet për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), flitet për Islamin, flitet për mrekullinë e përjetshme të Fjalës së Allahut, Kur’anin e Shenjtë, të cilin Allahu e zbriti për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, siç thuhet në fillim të sures “Ibrahim”: 

“Elif. Lâm. Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd”. Sure “Ibrahim”, ajetet 1-2.

 

Allahu i Madhëruar, Zotëruesi i fuqisë, i dijes dhe i urtësisë absolute, i ka krijuar njerëzit dhe u ka dhuruar atyre mirësitë dhe dhuntitë e Tij. Njeriu, krijesa e përkryer dhe më e larta e gjithësisë, që nga lindja e deri në çastin e ndarjes nga kjo jetë, jeton nën kujdesin e Allahut. Kjo vërtetohet, nëse përqendrohemi në jetën tonë të përditshme, nga foshnjëria, në rini e deri në pleqëri. 

 

Allahu nuk dëshiron që njerëzit të shkojnë drejt humbjes dhe shkatërrimit. Sigurisht, njeriu, me anë të mendjes së tij, bën dallimin mes të mirës dhe të keqes, mes asaj që i sjell dobi dhe asaj që i sjell dëm, mes rrugës së drejtë dhe rrugës së shtrembër. Por pa udhëzues, mendja nuk mund ta drejtojë njeriun në rrugën e drejtë e të vërtetë. 

 

Prandaj, Allahu i ka dhënë mirësi njeriut me dërgimin e profetëve, të cilët janë:

“përgëzues dhe qortues”, siç thuhet  në suren “El-Enbija”, në ajetin 25. 

 

Historia e jetës së Profetit tonë të dashur, Muhamedit, është më e qartë se historitë e profetëve paraardhës. Nga profetët e mëparshëm kanë mbetur ato gjurmë të vërteta që ka ruajtur Islami nëpërmjet Librit të tij, Kur’anit të Shenjtë. 

Mesazhi i Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është shumë i lehtë dhe përmban kuptime të ndritura, që e pasurojnë dhe e ndriçojnë mendjen dhe zemrën e shëndoshë të çdo njeriu. 

Mesazhi që solli Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është i pastër nga legjendat dhe paganizmi. 

Mesazhi që shpalli Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) sjell qetësi, ngrohtësi dhe paqe në shpirt, sepse përmendet Allahu. Në Kur’an thuhet:

“Sigurisht, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat”. Sure “Er-Rra’ad”, ajeti 28.

 

Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka qenë vetë Kur’ani, sepse i gjithë Kur’ani ishte kristalizuar në vetë qenien e tij. Kur ecte, kur fliste e ndriçonte çdo gjë me dritën e Kur’anit. 

Ai është drita e pashuar, edukuesi i përkryer dhe udhëheqësi më i drejtë. Prandaj, ai ka qenë, është dhe do të mbetet shembull për të gjithë njerëzit e çdo kohe dhe të çdo vendi, pa dallim kombi, race, gjuhe e ngjyre. Në Kur’an thuhet: 

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe tek Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”. Sure “El-Ahzab”, ajeti 21

 

Prania e Profetit tonë të dashur ka qenë, është dhe do të mbetet themeli më i fortë i unitetit të myslimanëve. Ashtu si s’ka kuptim jeta pa dritë, pa qetësi e pa paqe, po ashtu, ajo nuk ka kuptim pa praninë e Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), sepse besimi i myslimanëve te Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) shoqërohet e bashkohet me dashurinë dhe përmallimin për të. Ai është strumbullari i dashurisë dhe i bashkimit të mbarë myslimanëve. Prania e tij i zbut zemrat e myslimanëve e i bashkon ata me njëritjetrin. 

 

Dashuria për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është rruga drejt Xhenetit dhe porta e dashurisë së Allahut të Madhëruar. 

Dashuria për Profetin (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është dashuri dhe sinqeritet për Allahun Fuqiplotë. 

 

Ta duash Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!), do të thotë të zbatosh porositë, këshillat, urdhëresat dhe ndalesat që ai ka urdhëruar. Zbatimi i Sunetit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është argumenti më i madh dhe më i fuqishëm i dashurisë për të. 

 

Prandaj, është detyrë e të gjithë myslimanëve, që të njihen dhe ta zbatojnë Sunetin (fjala, vepra, çfarë ka bërë e çfarë nuk ka bërë Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). Suneti i Profetit është shpallje e shpallur, siç thotë Kur’ani:

 “Ai nuk flet sipas dëshirës së vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e shpallur, që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (melek) shumë i fuqishëm (Xhebraili)”. Sure “En-Nexhm”, ajetet 3-5.

 

Në një ajet tjetër, Kur’ani thotë:

“…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…!”  Sure “El-Hashr, ajeti 7.

 

Dhe:

“Nuk i takon asnjë besimtari a besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështjen e tyre…”  Sure “El-Ahzab”, ajeti 36.

 

Dhe:

“Thuaju (o Muhamed): ‘Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë’”. Sure “Al Imran”, ajeti 31.

 

Ajetet e mësipërme na thonë se dashuria për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) dhe zbatimi i Sunetit të tij është detyrë për çdo mysliman dhe myslimane. Dashuria dhe ndjekja e tij nxjerr në pah besimin dhe dashurinë tonë për Allahun e Madhëruar. 

Kundërshtimi i Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) është humbje. Këtë e përforcon ajeti i Kur’anit, që thotë: 

“…Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. Sure “El-Ahzab”, ajeti 36. 

 

Kurse vetë Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka thënë: “Askush nuk ka besuar, derisa unë të jem më i dashur tek ai sesa fëmijët e tij, prindërit e tij dhe të gjithë njerëzit”

 

Kur’ani thotë: 

“Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që ekeni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë prisni, derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”. Dhe: “I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëritjetrin…” Sure “El-Ahzab”, ajeti 6. 

 

E kanë pyetur Imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!):

“Si ka qenë dashuria juaj për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!)?”

Ai ka thënë: “Ai ka qenë më i dashur te ne, sesa pasuritë tona, fëmijët tanë, baballarët tanë, nënat tona dhe uji i ftohtë për të eturin”.

 

Pas Allahut të Plotfuqishëm, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) e meriton, vërtet dashurinë më të madhe, sepse ai është njeriu i përkryer që ka parë e do të shohë gjithësia. Allahu na e përshkruan në mënyrë madhështore në Kur’anin e shenjtë qëllimin e dërgimit të Profetit Muhamed: 

 

“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëherësh, (të kemi dërguar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut, me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe! Mos i dëgjo mohuesit dhe hipokritët! Mos i përfill fyerjet e tyre dhe mbështetu tek Allahu! Allahu mjafton për mbrojtës”. Sure “El-Ahzab”, ajetet 45-48.

 

Allahu i Madhëruar na e ka bërë detyrë dërgimin e salavateve për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) dhe për familjen e tij të pastër. Dërgimi i salavateve është shenjë e dashurisë për Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!). 

 

Në Kur’an thuhet: 

“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O ju që keni besuar, lutuni për atë dhe përshëndeteni me ‘selam’”. Sure “El-Ahzab”, ajeti 56.

 

Dërgimi i salavateve ka mirësi të mëdha. Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka thënë:

“Kush më dërgon mua një salavat, Allahu do t’i dërgojë atij dhjetë salavate.”

 

Është mirë që salavatet të thuhen në çdo kohë. Po ashtu, është mirë që salavatet të thuhen para dhe pas ezanit, para dhe pas ikametit, në ruku e në sexhde, në teshehud, para dhe pas një duaje, para dhe pas leximit a këndimit të Kur’anit, para hyrjes në xhami dhe pas daljes prej saj, sa herë të përmendet emri i tij, në ditën e xhuma dhe natën e xhuma, në festat e bajrameve etj. 

Allahu na mbarësoftë, që ta ndjekim rrugën e tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me të dhe me familjen e tij të pastër në Ditën e Gjykimit!