Morali i profetit Muhammed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ne thirje

 

Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ka qenë në piedestalin më të lartë të moralit, në të gjitha anët. Ai ka qenë shumë i sjellshëm me njerëzit, mendjendritur dhe çdo gjë e priste me dashuri e zemërgjerësi. Ai ka qenë zemërbutë me njerëzit, qofshin miq apo armiq. Nuk ka qenë i ashpër, i rreptë, zemërgur e mendjelehtë. Ai ka qenë siç na thotë Allahu në Kur’an:

 

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai”

Sure “Al Imran”, ajeti 159.

 

“…se ti je me virtyte madhore”.  Sure “El-Kalem”, ajeti 4.

 

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër, që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët”.

Sure “Et-Teube”, ajeti 128

 

Në disa ajete të Kur’anit mësojmë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) zemërohej shumë, kur i shihte njerëzit që këmbëngulnin në mosbesim. Çështja arriti deri atje, saqë Allahu, në disa ajete të Kur’anit, thotë:

“Mos u pikëllo (o Muhamed) për shkak të tyre dhe mos u ngushto për kurthet e tyre”.

 Sure “En-Neml”, ajeti 70.

 

“…Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre! Allahu është vërtet i Gjithëditur për atë që bëjnë ata”. Sure “El-Fatir”, ajeti 8

 

“A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kur’an)?” Sure “El-Kehf”, ajeti 6

 

Kjo është ana shpirtërore e mesazhit, me të cilën, çdo thirrës islam duhet të jetë i pajisur në misionin e thirrjes e të predikimit. Ai duhet t’u dojë njerëzve humanizmin e tyre dhe t’u përbuzë mosbesimin. Zemra e tij duhet të pikojë gjak nga hidhërimi, kur të shohë njerëz jobesimtarë. Ky është sekreti i suksesit të predikuesit.

 

Fjalët e tij duhet të dalin nga mendja e shëndoshë dhe nga zemra e pastër dhe t’i dojë njerëzit, sepse dashuria përmban fuqi për shkatërrimin e shumë pengesave shpirtërore mes thirrësit dhe njerëzve të tjerë. Ishte dëshira e Allahut që Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) të qëndronte me të varfrit besimtarë, sepse ata ishin të pastër e të papërlyer nga egoizmi apo mendjemadhësia.

 

Gjithashtu, të kuptohej se varfëria nuk është mangësi personaliteti te njeriu. Është detyrë e thirrësve, që të forcojnë marrëdhëniet me të varfrit e jo t’i largojnë ata e të afrojnë të pasurit. Në një ajet të Kur’anit, lexojmë:

 

“Mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar fytyrën (mirësinë) e Tij! Ti nuk je aspak përgjegjës për ata e as ata nuk janë përgjegjës për ty. Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të jesh keqbërës”. Sure “El-En’am”, ajeti 52.

 

“Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë, zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta”.

 Sure “El-Kehf”, ajeti 28.

 

Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij që të jetë modest, i thjeshtë dhe i buzëqeshur me besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaj: ‘Paqja qoftë mbi ju!’ Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues’”.54 Bazuar në këto ajete, sa e ndjekim ne shembullin e Profetit Muhamed?