Qëllimi kryesor i misionit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!) ishte që në mendjet dhe zemrat e njerëzve të mbizotëronte feja e Allahut, çdo gjë që të vepronin, ta bënin për Allahun, të mos adhurohej tjetër, përveç Allahut; veprat dhe lëvizjet e njerëzve të bazoheshin te logjika e shëndoshë dhe jo te emocioni dhe instinkti. Sa bukur na e paraqet Kur’ani metodën e thirrjes në rrugën e Allahut të Madhëruar!
Sa nevojë kanë njerëzit e sotëm të njihen me këtë lloj metode dhe ta zbatojnë në jetën e tyre të përditshme! Jam i bindur se po të zbatohet kjo metodë kur’anore në jetën e përditshme, në shoqëritë njerëzore nuk do të ketë konflikte e as mosmarrëveshje, as luftëra e as gjakderdhje, as mashtrime e as padrejtësi. Vallë, sa lart do të ishte Islami, nëse myslimanët do të zbatonin fjalën e Allahut, Kur’anin e shenjtë? Më poshtë do përmendim disa ajete nga Kur’ani, që na mësojnë se si të bashkëpunojmë me të tjerët.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij dhe di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë”.
Sure “En-Nahl”, ajeti 125.
“Nëse ata të quajnë gënjeshtar, thuaju: ‘Unë kam (shpërblim për) punën time, kurse ju keni (shpërblim për) punën tuaj. Ju s’jeni përgjegjës për atë që bëj unë dhe as unë s’jam përgjegjës për atë që bëni ju’”.
Sure “Junus”, ajeti 41
“Nëse ata grinden me ty, thuaju: ‘Allahu e di më së miri atë që bëni ju’”.
Sure “El-Haxhxh”, ajeti 68.
“Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: ‘Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një - dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë’”.
Sure “El-Ankebut”, ajeti 46.
“E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Unë, me të vërtetë, jam mysliman’. Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë”.
Sure “El-Fusilet”, ajetet 33-34.
“Prandaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar; mos i ndiq epshet e tyre dhe thuaj: ‘Unë besoj çdo libër që e ka shpallur Allahu dhe jam urdhëruar që të gjykoj drejt midis jush; Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Veprat tona janë për ne, e veprat tuaja janë për ju. Midis nesh dhe jush nuk ka kurrfarë mosmarrëveshje. Allahu do të na tubojë të gjithëve dhe tek Ai do të kthehemi të gjithë’”.
Sure “Esh-Shura”, ajeti 15.
“Thuaju: ‘Kush ju furnizon juve prej qiejve dhe prej Tokës?’ - Thuaju: ‘Allahu!’ Ne nuk mund të jemi që të dyja palët në rrugën e drejtë, ose ju, ose ne jemi në humbje të qartë!”
Sure “Sebe”, ajeti 24
Kjo është metoda islame e thirrjes, e cila nuk bazohet te dhuna e te presioni, por te logjika dhe te ndjenjat e njeriut. Ajo bazohet te fjala e butë dhe te dialogu i qetë e argumentues, me qëllim që edhe njerëzit e tjerë të jetojnë të qetë shpirtërisht e logjikisht. Sa e mrekullueshme është thënia e Kur’anit, që tregon se si të flasim me pasuesit e feve të tjera! Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj: ‘O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!’ Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: ‘Dëshmoni se Ne i jemi nënshtruar Allahut!"
Sure “Al Imran”, ajeti 64.
A ka mësim më të përkryer se ky mësim kur’anor?