Paralajmërim njerëzve të shkujdesur, dhe rreth gjerësisë së dijeve të tij
O njerëz, që nuk përfillni, por që jeni të përfillur, që koha ju ikën pa punë të mira e që do jepni llogari për këtë! Si ndodh që ju shikoj t’i largoheni Zotit e të mendoni për të tjera gjëra?! Jeni bërë si bagëtia, që çobani i çon në një kullotë të molepsur nga sëmundjet dhe në një vend me ujë të qelbur. Jeni bërë si kafshët që ushqehen për t’u therur e që nuk e kuptojnë, pse veprojnë kështu me to. Kur trajtoheni mirë, mendoni se kështu do shkojë e gjithë jeta juaj dhe se gjithçka në këtë botë është të hash e të pish.
Për Allah, po të doja do mund t’i tregoja secilit nga ju se nga vjen, ku do të shkojë, si dhe gjithë gjërat e tjera të tij, po trembem se kështu do braktisnit Profetin e Zotit për hirin tim. Këto do t’u transmetohen vetëm të zgjedhurve, për të cilët nuk shtrohet çështja e një frike të tillë. Për Atë Allah, që dërgoi Profetin e Shenjtë me të drejtën dhe e dalloi mbi të gjithë krijimin, unë nuk flas tjetër, veç së vërtetës. Profeti m’i ka thënë të gjithaI , që nga vdekja e çdo të vdekshmi e shpëtimi i atyre që u është dhënë shpëtim, e deri tek pasojat e kësaj pune. Asgjë nga ato që do më ndodhin në jetë, nuk e la pa ma shtënë në vesh e pa ma thënë.
O njerëz, unë s’ju kërkoj të bindeni, nëse s’jam unë ai që bindet më parë, e nuk ju ndaloj të mos bindeni, në qofsha unë i pari që heq dorë nga bindja.