Për Talha bin Ubeidullahun, mbajtur kur mori vesh lajmin që Talhai e Zubeiri ishin nisur për në Basra për të luftuar kundër tij
Sa për mua, unë s’i trembem kurrë përleshjes dhe nuk i kam frikë dyluftimet, sepse ndihem i kënaqur me premtimin e Zotit për të më patur nën mbrojtje.
Për Allah, Talhai u ngut kur zhveshi shpatën për gjakun e Kalifit, por këtë gjë e bëri nga frika mos hesapi për gjakun e tij do t’i kërkohej vet atij, se të gjithë e dinë që është pikërisht ai pas vrasjes së tij. Në fakt, ai është nxituar më shumë nga të gjithë, prandaj dhe u përpoq t’i njolloste të tjerët me dyshime e bëri të pamundurën për të krijuar kaosin e mjegullën që do mund ta fshihnin më lehtë krimin e tij. Për Allah, ai mund të kishte vepruar në njërën nga këto të tri rrugë lidhur me Uthmanin:
Nëse Uthmani nuk ishte në të drejtë, gjë që Talhai e besonte, do duhej t’i përkrahte ata që e vranëI e t’u rrinte larg mbështetësve të tij; nëse Uthmani u vra me të padrejtë, do duhej që Talhai të rreshtohej në anën e atyre që e mbronin nga agresorët e që jepnin shfajësime në favor të tij; e nëse do të ishte i paqartë në lidhje me të dyja këto alternativa, atëhere do duhej të mos merrej fare me të, të hiqej mënjanë dhe t’i linte njerëzit që të bënin me të si të donin. Por ai nuk mori asnjë qëndrim të tillë dhe veproi në mënyrë aspak korrekte e që s’mund të përligjet kurrsesi.