(Në këtë ligjëratë Imam Aliu prek tema të astrofizikës në një kohë që nuk i imagjinonte kush. Në një kohë kur toka jonë shihej si qendra e Universit, kur dheu, zjarri, uji e ajri quheshin si elemente bazë të çdo gjëje, kur askush nuk e kishte shkuar në mend të besonte në diçka imagjinare, si energjia dhe rrezatimi, kur dijetarëve të mëdhenj u dukej fantastike ideja e Gjithësisë së fundme, e kur yjet shikoheshin si trupa të fiksuar në qiell, Imam Aliu aludonte fundësinë e Universit, shpërndarjen e rrezatimin e energjisë, mikrobet e viruset e padukshme, lëvizjen e pllakave kontinentale etj. (për këto, shih shënimin 552 të ligjëratës no. 1). Kjo është provë bindëse që dijet e tij s’ishin tokësore, po Hyjnore. Natyrisht, këto tema ai i trajtonte në sensin e evolucionit të mendjes njerëzore, duke u fokusuar më shumë në planin moral, thjesht për të diskutuar për cilësitë e Zotit të Gjithëfuqishëm e përshkruar Pushtetin, Fuqinë e Lavdinë e Tij. )
Kur vendosi ta luftonte armikun ballë për ballë në Siffin, Imam Aliu tha:
O Zoti im, Mbështetësi i qiellit të lartë e i kupës së varur të Gjithësisë, që Ti e bëre strehë për natën dhe për ditën, udhë për Diellin e Hënën e yjet që vërtiten, e banesë për engjëjt e Tu, që nuk lodhen kurrë në adhurimin Tënd!
O Mbajtës i këtij dheu, që Ti e bëre folé për njerëzit dhe vend ku enden insektet, bishat e shumë krijesa të tjera, që lindin e zhduken e janë të dukshme e të padukshme! Ti, që i ngule malet e gurta si pyka për të fiksuar dheun dhe si mbështetje për njerëz e kafshë! Në qoftë se do na japësh fitoren mbi armikun tonë, mbana në rrugën e drejtë të së vërtetës, larg teprimeve. E nëse ua jep atyre fitoren mbi ne, na jep therorí e na shpëto nga e keqja dhe padrejtësia.
Ku janë ata që mbrojnë nderin, ata njerëz që respektojnë veten dhe u dalin zot njerëzve të respektuar në kohë të vështira?
Pas shpine keni turpin, përpara Parajsën.