Imam Aliu po i afrohej Basras, kur i doli përpara një Arab e i tha se ishte dërguar nga një grup banorësh të qytetit për të kërkuar shpjegime lidhur me qëndrimin e tij ndaj rebelëve të Xhemelit. Imam Aliu i foli për pozicionin e tij në lidhje me ta dhe ai u bind që e drejta ndodhej në anën e Imam Aliut. Atëhere ky i tha t’i betohej për besnikëri, po ai iu përgjigj: “Unë jam vetëm një lajmëtar i dërguar nga banorët e s’mund të bëj gjë, deri sa të kthehem tek ata”. Atëhere Imam Aliu i tha:
Në qoftë se ata që ke lënë prapa të kanë dërguar si pararendës për të gjetur për ta vise me shira e gjelbërim dhe ti kthehesh e u thua, se ke gjetur gjelbërim e ujë, kurse ata nuk bien dakord me ty, po u drejtohen tokave të thata e shterpë, ç’do bëje ti në këtë rast? Ai tha se do t’i braktiste për të shkuar drejt blerimit e ujit. Atëhere Imam Aliu ia ktheu:
Shtrije, pra, dorën! Burri e kuptoi që nuk mund t’i bënte ballë një logjike të tillë dërrmuese dhe iu betua për besnikëri.
Emri me të cilin njihej, ishte Kuleib el-Xhermi.