Ligjërata 167

 

Në fillimet e Kalifatit të tij. Mbi përmbushjen e të drejtave e detyrimeve dhe këshilla për t’iu përkushtuar Zotit në çdo pikëpamje

 

Zoti na ka dërguar një libër udhërrëfyes, ku tregohen veset e virtytet. Futjuni udhës së virtytit, se për të do të keni udhëheqje, dhe shmangiuni veseve, që të mbeteni në rrugën e drejtë. Kini parasysh detyrimet që përmbushen për Zotin dhe shpien në Parajsë. Zoti bëri të paligjshme për ju gjëra që i njihni, ashtu si bëri të ligjshme gjëra që s’kanë të metë. Ai e shpalli kujdesin ndaj muslimanit si më të lartin e të gjitha kujdeseve dhe u kushtoi të drejtave të tij të njëjtën rëndësi si përkushtimit. Prandaj dhe muslimani është njeriu, nga gjuha e dora e të cilit është i sigurtë çdo musliman tjetër, përveç rasteve kur cenohet e vërteta. Prandaj dhe nuk është e ligjshme t’i biesh më qafë një muslimani, në qoftë se nuk bëhet e pashmangshme një gjë e tillë.

 

Nxitoni drejt gjësë më të zakonshme, që është e veçantë për çdo njeri, dhe që është vdekja. Kush ka vdekur, tashmë është përpara në lidhje me ju, ndërkohë që ju shtyheni akoma drejt Ditës së Gjykimit me vdekjen që ju grah pas shpine. Qëndroni të lehtë, që të mund t’i arrini. Ata nga ju që mbetin pas, i presin për hir të atyre që janë në ballë. Kijeni frikë Zotin në çështjet e krijesave të Tij dhe të vendeve të Tij, sepse do të pyeteni bile edhe për arat e për bishat. Bindjuni Zotit dhe mos shfaqni mosbindje ndaj Tij. Kur e shihni një virtyt, bëjeni tuajin, dhe kur shihni një ves, shmangeni.