Ligjërata 166

 

Këshilla lidhur me mirësjelljen dhe mirësinë

 

Të rinjtë midis jush duhet t’u shkojnë pas e t’u binden më të vjetërve, ndërsa të moshuarit duhet të jenë dashamirë me të rinjtë. Mos u bëni si ata njerëzit e pagdhendur të periudhës paraislamike, që nuk ushtroheshin në besim e s’e përdornin intelektin në çështjet e Zotit. AtaI ishin si ato vezët e një reptili të rrezikshëm të shkretëtirës, fshehur nën rërën e butë, që mund të ngatërrohen fare lehtë me vezët e strucit. T’i thyesh ato vezë duket gjë e keqe, por mosthyerja e tyre do t’i shtonte edhe më shumë zvarranikët helmatues të viseve tona.

 

Pjesë e po asaj ligjërate për autokracinë e padrejtësitë e Umejjadëve dhe për fatin e tyre

 

Ata do ndahen pasi ishin bashkuar e do hallakaten larg qendrës së tyre. Disa nga ata do kapen pas degëve dhe do bien poshtë së bashku me to, deri sa Zoti t’i mbledhë bashkë, ashtu si mblidhen pjesët e shpërndara të reve vjeshtake, për ditën që do të jetë më e keqja për Beni Umejjadët. Zoti do futë dhembshuri mes tyre. Pastaj do bëjë me ta një bashkim të fortë, si shkrirja e reve. Pastaj do t’u hapë dyert të rrjedhin nga vendi ku ndodhen si ai vërshimi që mbyti kopshtet e Sebes, që s’mundën ta sprapsnin as malet e fuqishëm dhe as rrafshnaltat, e nga i cili s’u kursyen as shkëmbinjtë e lartë e as dunat e ulëta.

Zoti do t’i shpërndajë drejt tokave të ulëta luginore dhe do t’i bëjë që të rrjedhin rrëké nëpër gjithë planetin. Ai do të rregullojë përmes tyre marrjen e të drejtave të një populli nga një tjetër popull e do bëjë që një popull të qëndrojë në shtëpitë e një populli tjetër. Për Allah, gjithë pozita dhe respekti që ata zgjojnë, do të tretet siç tretet gjalpi në zjarr.

 

Shkaku i tiranisë O njerëz! Po të mos kishit hequr dorë nga mbështetja e të vërtetës e të mos kishit shfaqur dobësi në luftimin e së keqes, s’do kishte guxuar t’ju vinte në shënjestër ai që është më i ulët se ju, dhe s’do t’ia kishin dalë  t’ju vinin poshtë, ata që ju keni mposhtur. Por ju u endët nëpër shkretëtirën e mosbindjes si fëmijët e Izraelit. Betohem me jetën time: Pasi të kem ikur unë, mjerimet tuaja do të shtohen shumë më tepër, sepse ju e hodhët të vërtetën pas shpine, i prishët marrëdhëniet tuaja me të afërmit e lidhët marrëdhënie me të largëtit. Dijeni, që po ta kishit dëgjuar atë që ju ofronte udhëheqje, do t’ju kishte bërë të ecnit në rrugët e Profetit. Dhe atëhere do t’ju ishin kursyer pasojat e drejtimit të gabuar dhe do ta kishit flakur nga qafa barrën e rëndë, që mbani varur.