Ligjërata 163

 

Lidhur me cilësitë e Zotit

 

Lavdi i qoftë Zoti, Krijuesit të njerëzve, Atij që mpiksi dheun, bëri që të rrjedhin lumenjtë dhe rriti bimësi në pllaja. Parësia e Tij s’ka fillim, as përjetësia e Tij përfundim. Ai është i Pari që nga pafundësia. Ai është i Përjetshmi përtej çdo caku. Kokat përulen përpara Tij e zemrat adhurojnë Njëshmërinë e Tij. Ai ua përcaktoi kufijtë gjërave kur i bëri, duke i ndenjur larg ngjasimit me to.

 

Imagjinata nuk mund ta përkufizojë me kufijtë e lëvizjes, as me gjymtyrët e ndijimet. Për Atë nuk pyetet dot ‘nga?’, as i caktohet kufi kohor duke thënë ‘deri’. Ai është i qartë, por s’thuhet ‘çfarë’. Ai është i fshehur, po s’thuhet dot ‘ku’. Ai nuk është trup, që të vdesë, as është i mbështjellë në ndonjë gjë, që do të mund ta përmbante. Ai nuk është pranë gjërave përmes prekjes dhe as është i largët prej tyre përmes ndarjes.

Për Atë s’është e fshehtë çfarë shohin sytë tanë, as përsëritja e fjalëve,pamja e mjegullt e kodrave, vargu i gjurmëve të këmbëve në natën pis të zezë e mugun gri, dhe as vendet ku hëna e shndritshme derdh dritën apo ku zgjohet dielli rrezear, duke u ngritur lart e shfaqur prapë e prapë përmes shkëmbimit të kohës dhe të periudhave, dhe përmes afrimit të natës dhe largimit të ditës në vazhdim. Ai është matanë çdo skaji e kufiri e përtej gjithë shifrave e llogarive. Ai qëndron më lart se ç’mendojnë ata që e shohin të fundëm, më lart se cilësitë e masës, gjymtyrët e banimi në shtëpi apo vendbanim, sepse caqet janë bërë për krijimin dhe u janë caktuar të tjerave gjëra, por jo Zotit, kurrsesi.

 

Zoti si origjinë e gjithçkaje

 

Ai s’i bëri gjërat nga një materie e përjetshme, as sipas modelesh ekzistuese në çdo kohë; çdo gjë që Ai bëri është bërë pa plane, vetëm me Mençurinë e Tij supreme dhe me Forcën e Tij parashikuese. Ai u fiksoi gjërave kufij e u dha formë, dhe forma që u dha ishte më e mira. Asgjë nuk mund të mos i bindet Atij, edhe pse kjo bindje s’i sjell Atij asnjë dobi. Ai di për ata që kanë vdekur në të shkuarën njësoj si për ata që jetojnë akoma. Dijet e Tij për gjërat në qiejt e lartë janë po aq të thella e gjithëpërfshirëse, sa dijet e Tij për gjërat në gji të dheut.

 

 Pjesë e po asaj ligjërate për krijimin e njeriut dhe kërkesat e jetës O krijesa të krijuara mjeshtërisht, të ushqyera e përkujdesura në terrin e enës mëmësore, pas perdeve radhë-radhë! Pikënisja juaj është esenca e baltës, pastaj u vendosët në atë vend të qetë për një periudhë të njohur e të urdhëruar kohe. Ju lëviznit si një embrion në barkun e nënave tuaja, pa iu përgjigjur thirrjeve e pa i dëgjuar zërat. Pastaj u nxuarrët nga vendi juaj i qëndrimit në një vend që ju nuk e njihnit, pa patur asnjë dijeni për rrugët, se si mund të nxirrnit dobi prej tij. Kush, pra, ju udhëhoqi për gjetjen e ushqimit në gji të nënës, kush ju mësoi për të vendosur atë që kërkonit e synonit, sa herë që kishit nevojë? Medet! Ai që nuk është i aftë të kuptojë cilësitë e qenies me formë dhe me gjymtyrë, është edhe më i paaftë për të kuptuar cilësitë e Krijuesit. Sepse Zoti nuk mund të kuptohet përmes tiparesh që janë caktuar vetëm për krijesat e Tij.