Lëvdata për Zotin
Gjykimi i Zotit është i arsyeshëm dhe i mençur. Kënaqësia e Tij sjell me vete mbrojtje e mëshirë. Zoti vendos me dije dhe fal me durim.
O Zoti im, qofsh lëvduar për çdo gjë që merr e jep e çdo gjë, me të cilën kuron e dëmton; kjo është lëvdata që Të shkon më shumë, që Të kënaq më shumë e që është më dinjitozja për Ty; lëvdatë që vjen nga i tërë krijimi Yt dhe që arrin kudo ku Ti dëshiron; lëvdatë që Të thuhet me gojën plot e pa drojë, që nuk shteron por vazhdon e që nuk ndërpritet kurrë.
Madhështia e Zotit.
Ne nuk e njohim realitetin e Madhështisë Tënde, por e dimë që je Përjetësisht i Gjalli dhe Ekzistenti që mban në qenie gjithçka tjetër. Ty nuk të kap as dremitja dhe as gjumi, tek Ti s’arrin dot shikimi dhe vështrimi s’të kap dot. Kurse Vet Ti shikon gjithçka dhe ia di vitet gjithçkaje. Ti kontrollon çdo gjë në Gjithësi. E shikojmë Krijimin Tënd dhe na mrekullon me Fuqinë Tënde, sepse s’e shpjegojmë dot ndryshe, veçse me autoritetin Tënd të madh; por prapë, o Zot, ajo që mbetet fshehur nga ne, që nuk e zbulon dot syri ynë e që s’e arrin dot intelekti ynë, për shkak të perdes së misterit mes nesh e saj, është shumë më e madhe sesa kaq.
Ai që çliron zemrën e tije vret mendjen për të kuptuar se si e ngrite Fronin Tënd, si i krijove krijesat e Tua, si e bëre ajrin të rrijë pezull në qiejt e Tu dhe si e ngurtësove dheun Tënd mbi valët e ujit, do ta lodhë trurin më kot; inteligjenca e tij do sprapset, veshët do t’i mbeten të etuar dhe mendimi i përhumbur.
Pjesë e po asaj ligjërate për shpresën dhe përkushtimin ndaj Zotit Ai pretendon nga aq sa kupton ai, se vetëm prej Zotit mund të presë.
O Zot i Madh, ai flet gënjeshtra! Sepse pritja e tij nuk duket tek veprimi i tij, kur dihet që shpresa e atij që shpreson njihet nëpërmjet veprimit të tij. Gjithë shpresat janë të tilla, përveç shpresës tek Zoti - po të jetë për gjë të padenjë, ashtu siç është e rrënjosur çdo frikë, përveç frikës nga Zoti - po të jetë e shtirur.
Ai shpreson gjëra të mëdha nga Zoti e gjëra të vogla nga njerëzit, po prapë njerëzve u bën nderime që nuk ia bën as Zotit. Pse kështu me të Madhin Zot, qoftë i lartësuar në Lavdinë e Tij? T’i jepet Atij më pak nderim nga ç’u jepet krijesave të Tij?! A frikoheni ndonjëherë mos jeni gabuar në shpresën tuaj tek Zoti? Apo s’e shikoni më si qendër të shpresës suaj? E po kështu, kur një njeri ia ka frikën një tjetri, i jep tjetrit respekte që nuk ia jep as Zotit, për shkak të asaj frike. Një i tillë e ka bërë frikën nga tjetri një farë paraje, kurse frikën e tij nga Krijuesi si një hedhje hi syve. Ky është qëndrimi i atij, të cilit kjo botë ia verbon sytë me joshjen e saj e ia skllavëron zemrën me pozicionin e saj. Ai e preferon këtë botë mbi Zotin, kështu që përulet përpara saj dhe bëhet adhurues i saj.
Shembulli i Profetit të Shenjtë
Sigurisht, i Dërguari i Allahut jep për ju shembuj të mjaftueshëm, si dhe prova për veset e kësaj bote, për difektet e saj dhe për bollëkun e mjerimit e të të ligave të saj, sepse ishte ai që ia dërrmoi brinjët; prehri i saj ishte përkëdhelës për të tjerët e tërë gjemba për atë. Ai u privua nga qumështi i saj dhe u ktheu shpinën zbukurimeve të saj.
Shembulli i Musait
Po të doni do t’ju tregoj si shembull të dytë Musain, Bashkëbiseduesin, që thoshte: “Zoti im, unë kam nevojë për çfarëdolloj gjëje të mirë, që mund të më dhurosh.” (Kur’an, 28:24)
Për Allah, ai i kërkonte veç bukë për të ngrënë, sepse zakonisht hante barishte të dheut e jeshillëku i tyre mund t’i shikohej në lëkurën delikate të barkut, për shkak të dobësisë e të pakësisë së mishit të tij.
Shembulli i Da’udit
Po të dëshironi, unë mund t’ju jap si shembull të tretë Da’udin, mbajtësin e psalmeve dhe recituesin për banorët e Parajsës. Ai e kishte zakon të përgatiste me vet duart e tij shporta me gjethe palmash hurmaje dhe u thoshte shokëve e vartësve të tij: “Cili prej jush do më ndihmojë duke i blerë?” Dhe hante bukë elbi të blerë me këto pare.
Shembulli i Isait
Po të doni do t’ju tregoj për Isain, të birin e Merjemes. Ai përdorte gurin për jastëk, vishte rroba të ashpra e hante çdo ushqim që gjente, sa herë që ndjente uri. Feneri i tij për natën ishte Hëna dhe zjami i tij gjatë dimreve të ftohta ishte vetëm Dielli. Frutat e lulet që hanin bagëtia lëndinave ishin deserti i vafteve të tij. Ai nuk kishte grua që do mund ta fuste në punë të këqija, as fëmijë që ta hidhëronin, as pasuri për t’i larguar vëmendjen, as lakmi për ta bërë me turp. Dy këmbët e tij ishin bartësit e tij e dy duart e tij ishin shërbëtori i tij.
Ndjekja e shembullit të Profetit të Shenjtë
Ju duhet të pasoni Profetin tuaj të pastër e të dëlirë, Zoti bekoftë atë dhe pasar-dhësit e tij. Në të gjendet shembulli për ithtarin dhe ngushëllimi për atë që kërkon ngushëllim. Njeriu më i dashur për Zotin është kush i shkon pas Profetit të Tij e ecën në gjurmët e tij. Ai s’ia hodhi kurrë sytë kësaj bote me dashuri e mori prej saj fare pak. Nga tërë njerëzit e botës, ai ishte më pak i nginjuri e me barkun më të boshatisur. Gjithë bota iu dha, po ai s’pranoi që t’i jepej. Kur mësonte që Zoti s’e donte një gjë, e urrente edhe ai; po ta quante Zoti të ulët një gjë, e quante edhe ai; po ta gjykonte Zoti të vogël një gjë, do ta gjykonte edhe ai. Në dashurofshim atë që urrejnë Zoti e Profeti i Tij e në i dhënçim rëndësi asaj që Zoti dhe Profeti i Tij s’i japin rëndësi, kjo do të sillte një ndarje të dhimbshme nga Zoti e shkeljen e urdhrave të Tij.
Profeti i Shenjtë e kishte zakon të hante ulur për dheu dhe shtrohej njësoj si skllevërit. Ai i ndreqte këpucët me duart e tij dhe i arnonte rrobat me duart e tij. Ai mund t’ia hipte një gomari të pashaluar dhe mund të ulte edhe dikë tjetër prapa vetes. Një herë gjeti në derën e shtëpisë së tij një perde me piktura e i tha njërës prej grave të tij: “O filane, ma hiq nga sytë këtë gjë, sepse kujtohem për botën dhe joshjet e saj, po ta shikoj”. Kështu e largonte ai zemrën e tij nga kjo botë dhe e dëbonte kujtimin e saj nga mendja. Donte që tundimet e saj të mbeteshin të fshehta për sytë e tij, që të mos kërkonte veshje të mira prej saj, të mos e shikonte si vend për të ndenjur, dhe të mos ushqente shpresa për të jetuar në të. Prandaj dhe e fshiu që nga mendja, e dëboi nga zemra dhe e mbajti të fshehtë nga sytë e tij. Ai që urren një gjë, duhet të urrejë shikimin e saj dhe dëgjimin rreth saj.
Në Profetin e Zotit ka gjithçka që duhet për t’ju mësuar rreth të këqijave të kësaj bote e të metave të saj, pikërisht ngaqë ka mbetur i urët së bashku me shokët e tij më të afërt e ngaqë ngasjet e kësaj bote i ndenjën larg, edhe pse u ndodhej aq pranë.
Dhe tani çdo njeri mund të kuptojë me zgjuarsinë e tij, nëse Zoti e nderoi Muhammedin, apo e mori me sy të keq për një gjë të tillë. Nëse do të thuhet se Zoti e neveriti, sigurisht që mashtrohet dhe përhapet një gënjeshtër e madhe. E po të thuhet se Zoti e nderoi, duhet pranuar që Zoti ka turpëruar ca të tjerë, të cilëve u ofroi të mirat e kësaj bote pa ia ofruar atij, që për Të ishte më i afërti i të gjithë njerëzve.
Prandaj duhet shkuar pas Profetit, të ecim në gjurmët e tij dhe të futemi përmes portës që hapi ai, ndryshe s’mund të jemi të sigurtë nga rrënimi. Sigurisht Zoti e bëri Muhammedin masë për Ditën e Gjykimit, bartës të lajmeve të reja rreth Parajsës, si dhe paralajmërues të shpagimit. Ai e la këtë botë i uritur, po në tjetrën u fut i siguruar. Ai s’vuri asnjë gur mbi një tjetër tërë jetën e tij, deri sa u largua e iu përgjigj thirrjes së Zotit. Sa i madh është bekimi i Zotit, i Cili na bekoi me Profetin si prijës që e pasojmë dhe si një udhëheqës, pas të cilit mund të ecim.
Shembulli vetjak
Për Allah, unë kam vënë në këmishën time kaq shumë arna, saqë tani ndihem i turpëruar përpara arnuesit. Më pyeti njëri, nëse do ta ndërroja apo jo, e unë i thashë: “Largohu prej meje!” Njerëzit e shohin avantazhin e udhëtimit nëpër natë vetëm në të aguar. Dhe vetëm atëhere flasin për të me zë të lartë.