Lidhur me mërinë e Aishes, duke u folur banorëve të Basrës për ngjarjet e pritshme
Kush mund të mos ndahet nga Zoti këto kohë, ashtu të bëjë. Nëse më ndiqni pas e Zoti e do, do t’ju çoj me siguri në udhën e Parajsës, edhe pse mund të jetë tepër e vështirë e me shije të hidhur. E sa për atë gruaI , ajo nuk mund të sillet ndryshe nga çdo grua dhe s’mund të japë, veçse mendime gruaje, ndërkohë që në kraharor i digjet flakë e keqja, si në furrën e kovaçit. Po t’i kërkohej të vepronte me të tjerët siç ka vepruar me mua, sigurisht që s’do ta bënte. Por prapë, ajo do ta ketë edhe pas kësaj respektin tim, njësoj si më parë; por është detyra ime përpara Zotit t’i numëroj punët e saj të liga.
Pjesë e po asaj ligjërate
Kjo rrugë është më e lehta se merr dritë nga feneri më i ndritshëm. Udhërrëfimi për te punët e virtytshme kërkohet nëpërmjet besimit, por udhërrëfimi për te besimi arrihet përmes punëve të virtytshme. Dija lulëzon përmes besimit e pastaj na bën t’i druhemi vdekjes. Se fundin e kësaj bote na e sjell vdekja, kurse tjetra duhet siguruar përpara se ajo të vijë. Se njerëzit nuk mund ta shmangin ringjalljen, as Ditën kur do t’u japin hakun. Madje janë udhës drejt tyre.
Pjesë e po asaj ligjërate
Ata kanë dalë nga varret e heshtura e janë nisur drejt banesave të fundit. Secila syresh do ketë të sajtë. Ato nuk këmbehen e nga ato s’ikën dot njeri. Gjith’ ç’urdhëron Zoti i Lavdishëm janë bërja mirë e qëndrimi larg së ligës. Asnjëra nga ato s’e sjell vdekjen më shpejt, as i mpak mjetet e jetesës.
Përmbajuni Librit të Zotit, se ai ju jep besë të fortë, dritë të qartë, kurë shëruese, shuarje të etjes, mbrojtje për besnikun dhe çlirim për të lidhurit me të. Ai nuk përkulet, që të dojë të drejtohet, e as gabohet që të dojë të ndreqet. Atë s’e vjetron dot shpeshtësia e përsëritjes, as e dëgjimit. Kush flet në pajtim me të, thotë të vërtetën, dhe kush vepron veç përmes tij, është përpara në veprim.
Një burrë u ngrit më këmbë dhe tha:
“O Prijës i Besimtarëve, na fol për trazirat, sprovat e tundimet, nëpër të cilat do na duhet të kalojmë, dhe nëse je informuar për to nga Profeti i Shenjtë”.
Imam Aliu u përgjigj: Kur Zoti dërgoi tek ne ajetin “Elif. Lam. Mim. Si? A mos vallë njerëzit mendojnë se mund të thonë vetëm ‘besojmë!’ e nuk do të vihen në provë?” (Kur’ani, 29:1-2). unë e kuptova që telashet nuk do të na binin mbi kokë vetëm sa kohë që do të ishte midis nesh Profeti i Zotit.
Prandaj i thashë: “O Profet i Zotit,cila është prova, për të cilën të ka njoftuar Zoti?”.
Ai u përgjigj: “O Ali, pas meje njerëzit e mi do futen në trazira”.
Unë i thashë: “O Profet i Zotit, kur muslimanët u martirizuan ditën e Uhudit dhe unë u trishtova shumë, pse nuk isha edhe unë ndër ta, a nuk më the, ‘Gëzohu, sepse martirizimi është yti pas kësaj’?”
Profeti i Zotit m’u përgjigj: “Po, ashtu është; po a do mund ta përballësh me durim atë sprovë?”
Unë i thashë: “O Profet i Zotit, këtu nuk është fjala për durim, por për një rast që lumturon e madhëron”.
Ai më tha: “O Ali, pas meje njerëzit e mi do t’u futen punëve të liga për shkak të lakmisë për pasuri. Ata do kërkojnë shpërblim nga Zoti që ta besojnë, do ta quajnë Mëshirën e Tij si një të drejtë të tyre, do ndihen të siguruar nga zemërimi i Tij, do t’i shohin punët e ndaluara si të ligjshme dhe do ngrenë dyshime false. Në këtë mënyrë, feja do t’u përshtatet dëshirave të tyre çoroditëse. Pastaj do ta bëjnë të ligjshme përdorimin e verës, duke e quajtur lëng frutash, ryshfetin duke e quajtur dhuratë, si dhe marrjen e fajdes duke e quajtur tregti”.
Unë e pyeta: “O Profet i Zotit, si të veproj unë atë kohë? Ta quaj kthimin mbrapsht të tyre herezi, apo thjesht rebelim?”
Ai më tha: “Rebelim”
.......................
Është fakt që sjellja e Aishes ndaj Imam Aliut ka qenë tepër armiqësore. Shpesh vreri që kishte në zemër i shfaqej dhe në fytyrë, ku urrejtja e pakënaqësia lexoheshin lehtësisht, aq sa mjaft që të përmendej emri i Imam Aliut lidhur me ndonjë çështje, që në ballin e saj të shfaqeshin rrudha e të mos gjente qetësi e prehje, derisa të shprehej e të shfrehej me fjalë. Një herë, për shembull, Ubejdullah bin Abdullahu i tregonte Abdullah bin Abbasit diçka rreth Aishes. Sipas saj, kur Profeti ishte sëmurur për vdekje, kishte shkuar te shtëpia e saj i mbështetur tek Fadl ibn Abbasi dhe tek një person tjetër. Abdullah bin Abbasi e kishte pyetur: “E di ti se kush ishte ky ‘njeriu tjetër’?” Ai iu përgjigj: “Jo.” Atëhere ai i tha: “Ali ibn Ebu Talibi. Por ajo nuk ka qejf ta thotë emrin e tij kur flitet për mirë.”
(Ahmed ibn Hanbel, Musned, vol. 6, ff. 34, 228; Ibn Sa’d, Tabakat, vol. 2, pjesa 2, f. 29; Taberi, Tarikh, vol. 1, ff. 1800-1801; Baladhuri, Ansab ul-ashraf, vol. 1, ff. 544-5; Bejhaki, Sunen ul-kubra, vol. 3, f. 396).
Shkaku kryesor për këtë urrejtje e mëri ishte prania e Fatimesë dhe dinjiteti e integriteti i padiskutueshëm i saj, që e shponte si një thikë në zemër. Xhelozia e saj ndaj grave të tjera të Profetit e bënte që të mos e toleronte dot dashurinë e Profetit të Zotit për vajzën e gruas tjetër të tij, gjë që ai e shfaqte githnjë hapur dhe në forma të ndryshme, duke iu ngritur më këmbë kur i afrohej, duke e ulur në vendin e tij, duke e quajtur si më të nderuarën e grave të botës dhe duke i shpallur fëmijët e saj si ‘bijtë e tij’.
Atë e mundonte e torturonte në mënyrë të veçantë mendimi që, po të kishte lindur fëmijë edhe ajo, do kishin qenë ata fëmijët e Profetit e do kishin qenë ata, e jo Hasani e Huseini, qendra e dhembshurisë së tij. Por ajo s’e kishte dhuratën e pjellorisë e ambicjen e saj për të qenë nënë s’mund ta kënaqte ndryshe, veç duke marrë mbiemrin Ummi Abdullah, sipas djalit të motrës së saj. Të gjitha këto gjëra i ndezën në zemër pasionin e urrejtjes. Si pasojë, ajo i ankohej herë pas here Profetit të Zotit për Fatimenë, por s’ia dilte ta largonte dashurinë e Profetit ndaj saj.
Thashethemet për këtë lëndim në sedër e ftohje të saj i kishte dëgjuar edhe Kalifi i Parë. Kjo padyshim që do ta ketë turbulluar shumë, sepse dhe vetë ai nuk mund të bënte gjë, përveçse të shprehte me fjalë simpatitë e tij për të bijën. Më në fund Profeti i Zotit e la këtë botë e frerët e qeverisjes ranë në duart e tij. Tani kishte mundësi të hakmerrej si të donte dhe të kryente çdo lloj dhune që kishte qejf. Hapi i parë që hodhi ishte zhveshja e Fatimesë nga trashëgimia, duke mohuar principin e trashëgimisë për rastin e profetëve e duke vendosur që profetët nuk trashëgonin dhe as trashëgoheshin, por ia kalonin shtetit pasuritë që linin. Fatimeja u lëndua aq shumë, sa s’i foli më me gojë e u largua nga kjo botë pa e ndryshuar qendrimin e saj ndaj tij. Bile Aisheja nuk u mundua as të shprehte keqardhjen për vdekjen e saj tragjike. Kështu, Ibn Ebi’l-Hadidi ka shkruar:
Kur Fatimeja dha shpirt, të gjitha gratë e Profetit erdhën tek fisi i Hashimëve për ngushëllim, me përjashtim të Aishes. Ajo nuk erdhi duke u shtirë si e sëmurë, por tek Aliu arritën fjalë që dëshmonin gëzimin e saj për këtë ngjarje. (Sherh, Ibn Ebi’l-Hadid, Vol. 2, f. 459).
E përderisa ajo ushqente kaq shumë ligësi për Fatimenë, si mund t’ia kursente armiqësinë bashkëshortit të saj? Ndjenjat e saj të urrejtjes u ndezën veçanërisht shumë pas incidentit ‘Ifk’, (‘shpifje’) kur Imam Aliu citohet t’i ketë thënë Profetit: “Ajo s’bën as sa tokëza e këpucës tënde; lëre dhe ndahu prej saj!” Kur e ka dëgjuar këtë gjë Aisheja, është ndier e mjerë në shtratin e saj dhe duhet të ketë patur një ndjenjë të tmerrshme urrejtjeje kundër tij.
Përveç kësaj, shpesh herë Imam Aliut i jepej përparësi ndaj të atit të saj, si për shembull në lidhje me shpalljen e Sures et-Teube, kur i Dërguari i Zotit e thirri Ebu Bekrin mbrapsht dhe e pezulloi nga një detyrë, që ia besoi Imam Aliut duke thënë se Allahu e kishte urdhëruar që këtë punë duhej ta kryente vetëm ai ose një nga anëtarët e familjes së tij. Tjetër rast ishte ai, kur Profeti i Zotit mbylli të gjitha dyert që lidheshin me xhaminë, përfshirë edhe të Ebu Bekrit, duke lejuar hapur, për komunikim, vetëm derën që shpinte në banesën e Imam Aliut. Aisheja nuk mund ta duronte dot përparësinë e Imam Aliut mbi babain e saj e bënte ç’të mundej për ta minuar, sa herë që kishte ndonjë rast të manifestimit të saj. Në ditët e tij të fundit, Profeti i Shenjtë urdhëroi të nisej për marshim një repart i komanduar nga Usame bin Zejdi. Ai u tha edhe Ebu Bekrit dhe Umerit të shkonin me të. Në këto e sipër, gratë e Profetit u çuan një lajm, që i njoftonte se gjendja e tij ishte rënduar shumë, prandaj reparti nuk duhej nisur e ata duhej të ktheheshin mbrapsht.
Ato e kuptonin mirë që i vetmi qëllim i zbrazjes së Medinës nga muhaxhirët e ensarët ishte heqja e pengesave nga udha e Imam Aliut, që ai të mund ta merrte Kalifatin pa probleme pas vdekjes së Profetit. Me të marrë këtë mesazh, reparti nën komandën e Usames u kthye mbrapsht. Kur mësoi këtë, Profeti i Zotit e urdhëroi Usamen që të nisej prapë për marshim, bile i tha: “Allahu e mallkoftë atë që shkëputet nga reparti”. Atëhere ata u nisën prapë, por prapë u thirrën të ktheheshin,meqenëse sëmundja e Profetit paskej marrë rrugë të keqe. Kështu, kontingjenti i Usames nuk u largua më, sepse ai nuk donte të nisej më. Pas kësaj Ebu Bekrit i erdhi një lajm me anë të Bilalit, sipas të cilit ai duhej të zëvendësonte Profetin e Zotit në drejtimin e lutjeve, gjë që i shtroi rrugën drejt Kalifatit. Bazuar në fjalët e tij dhe duke e dashur vetë këtë gjë, ai u bë i pari kalif i Profetit në lutje, deri sa më në fund u pranua kalif i tij në të gjitha aspektet e tjera. Më vonë punët u vërtitën në mënyrë të atillë që Imam Aliu të mos arrinte në krye të Kalifatit.
Por pas Kalifit të Tretë, u krijuan rrethanat që vetë populli të detyrohej t’i jepte besnikëri udhëheqjes nga Imam Aliu. Atë kohë Aisheja ishte në Mekë. Kur mori vesh për Kalifatin e Imam Aliut, sytë i nxorën vetëtima, tërbimi e inati i errën mendjen dhe urrejtja e saj për të arriti në atë shkallë, saqë u ngrit kundër tij me pretekstin e marrjes së hakut për po atë njeri, të cilin vetë ajo e kishte quajtur të denjë për t’u vrarë, duke thënë shprehimisht: “Vriteni këtë matuf hebré, sepse është bërë i pafé”.
Kështu ajo i shpalli një luftë të hapur, si rezultat i së cilës ndodhi një gjakderdhje e tillë, saqë e gjithë toka e Basrës u lag nga gjaku i të vrarëve. Në këtë mënyrë dera e përçarjes u hap kanat një herë e mirë.