Ligjërata 155

 

Lidhur me krijimin e mrekullueshëm të lakuriqit të natës

 

Qoftë lëvduar Zoti, Që është i tillë, që nuk mund të përshkruhet e vërteta e dijes rreth Tij. Madhështia e Tij e tejkalon mendimin, prandaj dhe askush nuk mund ta gjejë mënyrën se si t’u afrohet caqeve të mbretërisë së Tij. Ai është Zoti, Sundimtari i Gjithëfuqishëm dhe e Vërteta e shfaqur qartë. Ai është më i Vërtetë e më i shfaqur sesa ç’mund të shohin sytë. Mendimi s’mund ta kuptojë duke i përcaktuar Atij kufij, sepse kështu do t’i vishte forma. Imagjinata s’mund ta kapë duke përcaktuar për Atë sasi, se kështu do t’i vishte trup. Ai i krijoi qeniet pa u bazuar në ndonjë model, pa u këshilluar me ndonjë këshill dhe pa u ndihmuar nga ndonjë ndihmës. Mjaftoi të urdhëronte që të bëhej Krijimi dhe T’i përulej në bindje. Dhe ai iu përgjigj e nuk i tregoi shpërfillje, ai u bind dhe nuk kundërshtoi.

 

Një nga shembujt e krijimit fin të Tij janë këta lakuriqë nate - krijesa të mrekullueshme, që dëshmojnë mençurinë e thellë të Tij. Ata i rrinë fshehur dritës së ditës, edhe pse drita zbulon gjithçka, si dhe lëvizin nëpër natë, ndonëse nata ngujon çdo qenie tjetër të gjallë. Drita e diellit i verbon e nuk i lë që t’i përdorin sytë për t’u orientuar në lëvizje e për t’i gjetur vendet që kërkojnë nëpërmjet udhëzimeve të diellit.

 

Kur dielli shkëlqen, Zoti s’i lë të fluturojnë nën rrezet e tij, po i mbyll nëpër fole të errëta. Gjatë ditës ata flenë, por nata është për ta si feneri, me të cilin dalin për të gjetur ushqim. Terri i natës nuk ua pengon shikimin dhe as  i bën të ngathët në lëvizje. Pastaj dielli e tret vellon e natës, vjen agimi dhe rrezet e dritës së tij futen deri në brimat ku rrinë hardhucat. Atëhere lakuriqtë e natës i mbulojnë sytë nën kapakët e tyre e jetojnë me atë që mblodhën nëpër natën e errët. I Madhëruar është Ai që e ka bërë për ta natën si ditë, që t’i kërkojnë natën mjetet e tyre të jetesës, dhe ditën të pushojnë e të qetësohen.

 

Zoti u dha krahë mishtorë për t’u ngritur lart fluturim, në rast nevoje. Pamjen e kanë si llapat e veshit, pa pendë e kocka, dhe në to ju mund të shikoni qartë enët e tyre të gjakut. Kanë dy krahë - as shumë të hollë, që të përthyhen në fluturim, as tepër të trashë, që do t’i rëndonin shumë. Kur fluturojnë, i mbajnë të vegjlit e tyre me vete dhe kërkojnë strehë së bashku me ta, duke i marrë poshtë, kur zbresin poshtë, dhe duke i ngjitur lart, kur ngjiten lart. Të vegjlit nuk u shqiten, derisa t’u forcohen gjymtyrët e t’u aftësohen krahët për t’i rrahur, dhe deri sa nisin t’i njohin interesat dhe vendet e tyre të jetesës. I Lavdëruar qoftë Ai, që e krijoi gjithçka pa asnjë model të mëparshëm të bërë nga dikush tjetër.