Lidhur me Ehl-i Beitin dhe ata që bëjnë padrejtësi ndaj tyre
Kush është mendjezgjuar, nuk ia ndan sytë qëllimit të tij. Ai e di rrugën e tij të ulët, por di dhe të lartën, gjithashtu. Thirrësi ka thirrur dhe bariu ka ruajtur. E pra, përgjigjiuni thirrësit dhe shkoni pas bariut. Ata i janë futur detit të trazirave, prandaj mbërthehen pas risive, jo pas Sunnetit, kurse besimtarët janë fundosur e fjalën e kanë mashtruesit e të mashtruarit. Ne jemi më të afërmit, shokët, rojet e dyert. Shtëpitë nuk hyhen, përveçse nga dyert. Kush hyn në to nëpër rrugë të tjera dhe jo nga porta, quhet hajdut.
Pjesë e po asaj ligjërate
Me ata janë shkëlqimi e fisnikëria e Kur’anit e së bashku janë thesaret e Zotit. Kur ata flasin, thonë të vërtetën, e kur rrinë pa folur, askush nuk mund të flasë pa thënë ata diçka. Prijësi duhet t’i flasë qartë popullit të tij, ta ruajë dijen dhe mprehtësinë e mendjes dhe të jetë njeri i botës tjetër, sepse andej ka ardhur dhe atje do rikthehet.
E para gjë që bën kush sheh me zemër dhe ecën me sy është të vlerësojë nëse veprimi i tij shkon kundër apo në favor të tij. Në qoftë se është në dobi të tij, do gjejë gëzim në të, e nëse është kundër tij, do duhet të heqë dorë. Kush vepron pa dije është si ai që ecën pa i ditur rrugët, kështu që largohet përherë e më shumë nga vendi që synon, sa më shumë që ecën. Ndërsa ai që vepron në pajtim me dijet, është si ai që ecën në rrugë të hapët e mund të gjykojë nëse duhet të eci më tutje apo të kthehet mbrapsht.
Duhet ditur, gjithashtu, që ana e jashtme e çdo gjëje shfaq një anë të brendshme, që ngjan me të. Çdo gjë, që ka të mirë anën e jashtme, ka të mirë edhe të brendshmen, e çdo gjë që ka të keqe anën e jashtme, ka të keqe dhe të brendshmen. Profeti i Vërtetësisë thotë: “Zoti mund ta dojë një njeri, por ta urrejë veprën e tij, ashtu si mund ta dojë veprën e tij, por ta urrejë vetë personin”. E duhet ditur gjithashtu, që çdo vepër është si punë e bimës: Një bimë nuk mund të bëjë pa ujë, po edhe ujërat nuk janë njësoj. Aty ku uji është i mirë, bima është e mirë e frytet e saj janë të shijshme, e aty ku uji është i keq, pema do të jetë e keqe e frytet e saj do të jenë të pashijshme.