Lidhur me njeriun e pakujdesshëm dhe cilësitë e shtazëve, kafshëve mishngrënëse dhe të grave
Zoti i ka dhënë kohë1281, por ai bie në gabim, shoqërohet me njerëz të pakujdesshëm dhe lidhet me mëkatarë që pa gdhirë mirë e nuk kërkon ndonjë udhë për të ndjekur apo Imam për ta udhëzuar drejt.
Pjesë e po asaj ligjërate
Në fund, kur Zoti t’ua bëjë të qartë çmimin e mëkateve të tyre dhe t’i nxjerrë nga tisi i papërgjegjësisë së tyre, do duan të vijojnë drejt asaj, së cilës i largoheshin, e të largohen prej asaj, drejt së cilës rendnin; por nuk do nxjerrin dobi nga nevojat që plotësuan, as nga ambicjet që kënaqën. Për këtë gjendje kam paralajmëruar ju e veten, bashkë. Njeriu duhet ta gjejë të mirën e tij te vet vetja e tij. Sigurisht, i urtë është ai që dëgjon dhe e vret mendjen për ç‘dëgjon, që shikon dhe vrojton e nxjerr dobi nga materiali mësimdhënës, që ecën në udhë të qarta, duke shmangur rënien në humnera e ngecjen në kurthe, e që nuk i ndihmon të djallëzuarit kundër vetvetes, duke i ikur drejtësisë, duke ndryshuar fjalën e saj apo duke iu trembur së vërtetës.
O dëgjuesit e mi, kurojeni helmimin, dëbojeni përçartjen, pakësojeni nxitimin e ethshëm në veprim dhe mendoni për atë që ju ka ardhur përmes Profetit të Shenjtë, Ummi I, që është e pashmangshme e që s’mund t’i vidheni dot. Kthejini shpinën kujt e ka hedhur poshtë dhe braktiseni; dhe lini çdo gjë që ai vuri në vend të tij. Zhvishuni nga kotësia juaj, hidheni poshtë kryelartësinë tuaj dhe sillni ndër mend varrin tuaj, sepse rruga juaj kalon nëpër të. Me ju do sillen si ju me të tjerët e do korrni ç’mbollët ju; sepse nesër do t’ju takojë ajo që nisni sot, për këtë nuk ka dyshim. Prandaj grumbulloni zahiré për të ardhmen dhe dërgoni vepra të mira për ditën tuaj të llogaridhënies. Kini frikë e drojë, o ju që më dëgjoni. Futjuni punës e veproni, o njerëz të pakujdesshëm. Askush nuk mund t’ju paralajmërojë si ai që i di gjërat.
Është një vendim i prerë i Zotit, që zë një vend të veçantë në Kujtuesin e Mençur, sipas të cilit Zoti shpërblen e ndëshkon, dhe përmes të cilit pëlqen e përçmon. Njeriu nuk do nxjerrë përfitim, edhe po të përpiqet e të veprojë sinqerisht, në qoftë se e lë këtë botë e i del Zotit përpara pa u penduar për secilin nga këto veprime: Për besimin në të ngjashëm të Zotit gjatë adhurimit të detyrueshëm të Tij; për qetësimin e mllefit duke vrarë njerëz të tjerë; për përfoljen e punëve që kryejnë të tjerët; për plotësimin e nevojave të tij nga njerëzit, duke futur deformime në fenë e tij; për marrëdhënie me njerëz hipokritë, si dhe shoqërim me ta duke përdorur dy mënyra të foluri. Kuptojini, pra, këto gjëra, se ilustrimi është shembull udhëheqës për atë që nuk i do këto të meta.
Bishat përpiqen vetëm t’i hedhin barkut e egërsirat mishngrënëse veç të sulmojnë kafshët e tjera më të dobëta. Gratë e vrasin mendjen për ta stolisur këtë jetë të poshtër dhe për t’ia hapur djallëzisë portat e saj. Por besimtarët janë të përunjur, besimtarët janë këshillues dhe besimtarët janë të drojtur përpara Zotit.