Ligjërata 151

 

Përmban paralajmërime për grindjet fetare. Dy dëshmimet

 

(Mendohet se kjo ligjëratë flet për regjimet çnjerëzore të Umejjadëve dhe Abbasidëve, po ka studjues të tjerë që thonë se këtu profetizohen periudha historike shumë më të vonshme.)

 

Qoftë lëvduar Zoti e më ruajtë nga çfarë i solli Djallit ndëshkim, si dhe nga pritat, kurthet e veprimet e tij mashtruese. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër, përveç Zotit, e që Muhammedi është shërbëtori, profeti, i zgjedhuri e i preferuari i Tij. Shquarjes së tij s’i vihet dot tjetër gjë përkrah e humbja e tij nuk zëvendësohet dot kurrë. Ai i ndriçoi vendet e banuara me Dritën Hyjnore, kur në to sundonin terri, çoroditja, injoranca mbytëse e zakone barbarësh, dhe kur njerëzit e shihnin të paligjshmen të ligjshme, përbuznin të diturit, e shkonin jetën pa i njohur profetët, dhe vdisnin si të pafé.

 

O ju njerëz të Arabisë! Ju do të jeni viktimat e mjerimeve që po afrohen. Pra, shmangiuni helmimit nga pasuria dhe ruhuni nga fatkeqësitë e ndëshkimit. Dhe kur errësira e pisllëku i së keqes ta zbulojnë vetveten e natyrën e saj të fshehtë, të fshehtat e saj të qartësohen e boshti i saj të vërtitet më shpejt se kurrë, mbahuni dhe mos u jepni; sepse nis me forma të padukshme, kthehet shpejt në një plagë të shëmtuar e i hedh hapat e saj të para si rinia e një adoleshenti, që lë pas vraga afatgjata, si e rrahura me kamzhik.

 

Shtypësit e trashëgojnë të keqen me ujdira. Vragën e saj e çel një i parë, e ky i hap rrugë një të mëvonshmi, që ky i mëvonshëm të eci në gjurmët e të mëparshit. Pastaj hahen me njëri-jatrin për punët e kësaj bote të poshtër e vërsulen të babëzitur mbi kufomën e qelbur të saj. Kështu, pasuesi përflet lidhjet e tij me prijësin dhe prijësi lidhjet e tij me pasuesin, deri sa të përçahen e të mallkojnë njëri-tjetrin sa herë që ndodhen ballë për ballë1265. Pas kësaj do të shfaqet një tjetër nxitës i së keqes, që do rrënojë edhe vet rrënojat. Zemrat do tronditen pas një qetësimi, njerëzit do të shpihen në udhë të gabuar aty ku s’ka më siguri, dëshirat do tejkalojnë me larminë e tyre çdo rekord të mëparshëm dhe mendjet do bien në hutesë të plotë.

 

Kushdo që lëshohet në krahët e kësaj të keqje, do shkatërrohet, e kushdo që do luftojë në anën e saj, do të asgjësohet. Të gjithë do kafshohen midis tyre, siç kafshojnë njëri-tjetrin gomerët e egër në tufë. Nyjet e litarit do ngatërrohen edhe më shumë dhe punët e qarta do mjegullohen.

Atë kohë, maturia do të jetë në zbaticë dhe fjalën do ta kenë ata që bëjnë të padrejtën. Kjo e keqe do t’i dërrmojë njerëzit me varétë e saj e do t’i rrënojë nën peshën e saj.

 

Në pluhurin e saj nuk do duken më këmbësorët e vetmuar e në rrugët e saj do varrosen kuaj e kalorës. Ajo do t’i afrojë helmet e fatit dhe do pijë gjak të pastër në vend të qumështit1268. Ajo do t’i shembë shenjat e fesë e do t’i bëjë copë e çikë lidhjet e besimit të patundur. Para saj, i mençuri do të marrë arratinë, po i poshtri do t’i hidhet për qafe. Ajo do shkumbëzojë dhe do hedhë rrufé në të katër anët, duke sjellë mjerime të mëdha. Atë kohë do harrohet farefisi dhe do hiqet dorë nga Islami. Do ta pësojë prej saj ai që do ta sulmojë me fjalë, dhe do të bëhet pjesë e saj ai që do rreket t’i shpëtojë.