Ligjërata 149

 

Përpara se të vdiste

 

O njerëz, atë që përpiqeni të shmangni do ta takoni të gjithë në njërën nga përpjekjet për ta shmangur . Vdekja është pikarritja për ku është nisur jeta. Të ikësh prej saj është të shkosh drejt saj. Sa ditë e netë kam shpenzuar në kërkim të së fshehtës së saj, po Zoti më lejoi veç fshehjen e saj. Medet! Sepse është një dije tepër e çmuar!

 

Amaneti im i fundit është të mos besoni në shok të Zotit dhe të mos shpërfillni Sunnetin e Muhammedit. Mbajini më këmbë këto dy shtylla e mbajini ndezur këta dy fanarë. Asnjë e keqe s’ka për t’ju gjetur sa kohë nuk do të përçaheni e sa kohë që secili nga ju të mbajë barrën e vet. Kjo barrë është urdhëruar të jetë e lehtë për atë që nuk di, sepse Zoti është i mëshirshëm. Besimi është i drejtë e Prijësi është qyteti i dijes. Dje unë isha me ju, sot jam bërë objekt mësimi për ju, e nesër do ndahem nga ju. Zoti na ndjeftë mua dhe ju!

 

Në qoftë se hapi hidhet i vendosur në këtë vend të rrëshqitshëm, kjo është gjë e mirë. Por edhe po rrëshqitët, kjo s’duhet t’ju çudisë. Të gjithë ne kemi ndenjur nën hijen e gjetheve, në gjirin e erës e nën tendën e reve me shtresa që hallakaten qiellit e me gjurmë që i ndërrojnë trajtat përmbi tokë. E tillë është jeta. Unë isha shoku e fqinji juaj.

Trupi im ka qenë me ju për disa kohë, po pak kohë më pas do ta gjeni bosh - të palëvizshëm pas gjithë asaj lëvizjeje dhe të pagojë pas gjithë atij të foluri. Kështu do mund t’ju jenë mësim edhe palëvizshmëria ime, edhe sytë e mi të mbyllur, edhe ngrirja e gjymtyrëve të mi. Për ata që dinë të marrin mësim, kjo ka fuqi këshilluese më të madhe se të folurit e bukur dhe fjala tingëlluese. Unë po ndahem prej jush si ai që me zor pret të takojë dikë tjetër. Nesër do kujtoni ditët që jetuam bashkë, pastaj do t’ju zbulohet ana ime e brendshme. Por do ia dilni të më kuptoni vetëm pasi ta kem lënë bosh vendin tim dhe në të të ketë ardhur tjetërkush.

 

................................

 

(Ishte dita e nëntëmbëdhjetë e muajit të agjërimit (Ramazan) e vitit 40 H., kur duhej falur mëngjesi. Vendi ku do të ndodhte kjo ngjarje e kobshme ishte vet xhamia e Kufas. Imam Aliu kishte ardhur në të shumë më herët se të niste rituali e i kishte çuar nga gjumi ata që flinin.

Ndër ta ishte dhe Abdur-Rahman Ibn Mulxhem el-Muradi, që rrinte shtrirë përmbys, me fytyrën nën vete, e mbante fshehur nën veshje një shpatë me teh të helmuar. Imam Aliu e ngriti dhe e qortoi duke i thënë që nuk ishte mirë të flinte në atë pozicion, sepse i pengohej frymëmarrja. I foli edhe për shpatën që mbante të fshehur, si dhe për të ligën që bluante në mendje. Pastaj Imam Aliu priti sa të ndizeshin fenerët e shuar gjatë natës, u foli muslimanëve të tjerë dhe shkoi në vendin e tij të faljeve. Ishte rekati i tij i parë në atë falje. Ndërsa përkulej përpara Zotit e thoshte, ‘lavdi pastë Ai, më i Larti dhe më i Fuqishmi, qoftë i madhëruar nga të gjithë’, Ibn Mulxhemit e goditi në kokë me shpatë.

Ishte po ajo shpatë që Imam Aliu e kishte parë vetëm pak çaste më parë. Plaga ishte shumë e thellë. Lutjet u kthyen në rrëmujë dhe Abdur-Rahmani vrapoi të ikte. Njerëzit e ndoqën pas. Askush nuk e kishte më mendjen te faljet, kudo kishte konfuzion.

Po prapë, Imam Aliu e mbaroi përkuljen dhe dy sexhde, dhe pas kësaj u lëshua në krahët e dy bijve të tij, Hasanit dhe Huseinit. Atëhere u kujdesën edhe për plagën, nga e cila gjaku rridhte lumë. Buzët e tij të përgjakura lëvizën në një lutje falnderimi: “O Zot i Madh! Të jam mirënjohës që më dhe martirizim. Sa i Mirë je e sa i Mëshirshëm, o Allah! Inshallah Mëshira Jote më priftë më tutje, për te Mbretëria e Hirësisë e Bujarisë Tënde.” Ndërkohë Abdur-Rahmanin e kishte kapur Sasa’e Ibn Suhani, që e çoi përpara Imam Aliut me duart të lidhura pas shpinës. Imam Aliu vuri re se litarët i ishin futur thellë në mish.

 

Ai e harroi plagën në kokë e goditjen, që do t’i jepte fund jetës e misionit të tij në kulmin e fuqive të toj, harroi edhe që Abdur-Rahmani ishte vrasësi. Shihte veç një qenie njerëzore, që vuante nga një dhunë çnjerëzore. Ai e urdhëroi Sasa’in t’ia lironte duart Abdur-Rahmanit dhe ta trajtonte në mënyrë të njerëzishme. Kjo mirësi e preku vrasësin, i cili nisi të qante me dënesë. Filluan të qanin edhe gjithë të tjerët, që ndodheshin aty. Në buzët e Imamit lëvizi një buzëqeshje e fikur e ai tha me zë të dobët:

“Tani është vonë të pendohesh, se e bëre punën tënde. Mos vallë kam qenë Imam i keq dhe sundimtar pa zemër?”

Pastaj e morën për ta çuar në shtëpi.

Kur pa ditën që nisi të feksë, Imam Aliu tha:

“O ditë! Dëshmo faktin që agimi yt nuk e ka gjetur një herë të vetme Aliun duke fjetur, gjatë gjithë jetës së tij.”

Pas kësaj ngjarjeje Imam Aliu jetoi dhe dy ditë. Gjatë kësaj kohe mbajti disa ligjërata, kur vinte në vete. Mendohet se kjo ligjëratë ka qenë e fundit fare.)