Ligjërata 140

 

Lidhur me përfoljen e punëve të të tjerëve dhe shpifjet (A)

 

Kush nuk bie në mëkat e i është dhënë siguri, të tregohet i mëshirshëm me mëkatarët e të pabindurit e tjerë. Mirënjohja duhet të shpjerë në zemërgjerësi dhe të pengojë çdo përpjekje për gjetje fajesh te tjetri. E ç’mund të thuhet për përfolësin, i cili fajëson vëllain e tij e gjuan gabimet e tij? A nuk sjell ai ndër mend si ia ka mbajtur fshehur Zoti zullumet që ka bërë ai vet, ndonëse i kishte më të rënda se mëkati i vëllait të tij, për të cilin vuri tellall? Si mund ta përgojojë vëllanë për mëkat, kur vetë ai ka kryer një të tillë? E nëse ai nuk ka kryer një mëkat të ngjashëm me të, mund të ketë bërë të tjera, dhe më të mëdha. Po dhe sikur të mos kishte kryer mëkate më të mëdha, por vetëm të vogla, vetë marrja në gojë e mëkateve të të tjerëve është mëkat i madh.

 

O krijesa të Zotit! Mos shpejtoni me nxjerrjen e mëkatit të dikujt, sepse ai edhe mund t’i jetë falur; dhe mos e ndjeni veten të sigurtë ngaqë mëkati juaj është i vogël, sepse mund të ndëshkoheni edhe për atë. Prandaj kushdo nga ju që ndodh të marrë vesh për gabimet e të tjerëve, nuk duhet t’i përgojojë, por të kujtojë gabimet e veta e të jetë mirënjohës që është kursyer prej atyre, që bënë të tjerët.

 

...........................

 

(A) Zakoni i kërkimit të gabimeve dhe i përgojimit të tyre është bërë kaq i zakonshëm, saqë është zhdukur edhe ideja e së keqes që ai përmban. Tani atij s’i bën më bisht as i larti e as i ulëti, dhe nuk e ndalon as pozicioni i lartë i katedrës dhe as padhunueshmëria e xhamisë. Sa herë që disa të njohur bëhen bashkë, objekt i bisedës së tyre dhe gjëja më interesante për ta do të jetë pikërisht diskutimi i të metave të personave të tjerë, duke bërë zbukurime sipas qejfit. Në fakt, kjo është e vetmja punë që ata e bëjnë më me pasion. Shpeshherë ai që gjen gabime të tilla, është i zhytur vetë në to. Megjithatë, s’i vjen mirë t’i ekspozohen gabimet e tij. Në një rast të tillë, ai do duhej që të mbante parasysh ndjenjat e ngjashme të të tjerëve e të vepronte sipas hadithit, ‘mos u bëni të tjerëve atë që s’doni t’jua bëjnë të tjerët’, duke shmangur në këtë mënyrë kërkimin e gabimeve të tyre dhe lëndimin e ndjenjave të tyre.

 

Përgojimi përkufizohet si bërje publike e gabimit të vëllait të të njëjtit besim, me qëllimin që ai të diskreditohet dhe të mërzitet, gjë që bëhet duke folur, vepruar, nënkuptuar apo sugjeruar. Disa njerëz e quajnë përgojimin të përligjur, nëse trajton diçka të gabuar e që shkon kundër së vërtetës. Sipas tyre, nuk është gjë e keqe po të tregosh saktë dhe ashtu si është atë që është parë ose dëgjuar; këta njerëz pretendojnë se nuk përgojojnë, por vetëm riprodhojnë me përpikmëri të dëgjuarën apo të shikuarën. Në fakt, përgojimi është termi që përdoret për të treguar pikërisht këto lloj faktesh, sepse po të bëhej fjalë për riprodhim jo korrekt, atëhere do kishim të bënim me akuza për falsifikim e fajësim të padrejtë. Kjo lidhet me fjalët e Profetit të Shenjtë, i cili thotë:

 

“A e dini se çfarë është përgojimi?” Njerëzit thanë: “Zoti dhe Profeti i Tij e dinë më mirë”. Atëhere ai tha: “Përgojim është kur thoni për vëllain tuaj diçka që i shkakton dhembje”. Dikush tha: “Po sikur unë të them atë çka është e vërtetë për të?” Profeti i Shenjtë u përgjigj: “Përgojimi është kur flitet vetëm e vërteta, ndryshe do ishte një shpifje ndaj tij."

 

Ka shumë shkaqe për t’u dhënë pas përgojimit, prandaj dhe ai bëhet herë me vetëdije e herë pa vetëdije. Imam Ghazaliu i ka përmbledhur hollësisht këto shkaqe në librin e tij Ihja ul- ‘Ulum ud-Din. Disa nga më të rëndësishmet e tyre janë:

1. Për të bërë shaka me dikë apo për ta bërë atë që të duket qesharak;

2. Për t’i bërë njerëzit të qeshin, duke vënë kështu më mirë në dukje sharmin e zgjuarsinë tënde;

3. Për të shfrehur ndjenjat nën presionin e tërbimit dhe zemërimit;

4. Për të vendosur superioritetin tënd duke folur keq për të tjerët;

5. Për të përgënjeshtruar lidhjen ose përfshirjen në një çështje e, pikërisht, për të vërtetuar që një e keqe e caktuar nuk është kryer prej teje, po prej dikujt tjetri;

6. Për t’iu shoqëruar një grupi kur je në prani të tij, që të largohet përshtypja e largësisë prej tij; 

7. Për të denigruar diçka të dikujt, prej të cilit ke frikë se mos ekspozon ndonjë faj tëndin;

8. Për t’i shkaktuar humbje një konkurrenti të të njëjtit profesion;

9. Për të siguruar një pozicion në vëmendjen e dikujt me pushtet;

10. Për të shprehur keqardhjen, duke thënë se të vjen keq që filani apo filani tjetër kanë rënë në këtë apo në atë të keqe;

11. Për të shprehur habinë, duke thënë, për shembull, që është e mrekullueshme që filani apo dikush tjetër e kanë bërë këtë apo atë gjë;

12. Për të treguar emrin e autorit të një veprimi, duke shprehur zemërim lidhur me të.

 

Ndërkaq, gjetja e gabimeve ose kriticizmi nuk është përgojim në disa raste:

 

1.Nuk është përgojim, në qoftë se ai që ka pësuar padrejtësi ankohet ndaj bërësit të padrejtësisë me qëllim që të kërkojë dëmshpërblim. Për këtë Zoti thotë: “Zoti s’e pëlqen të flitet publikisht për të këqija, përveçse kur folësi i ka vuar.” (Kur’ani, 4:148).

2.Nuk është përgojosje kur rrëfen gabimin e dikujt, ndërkohë që jep këshilla, dhe kjo për faktin se gjatë këshillimit nuk është e lejueshme as hipokrizia dhe as mashtrimi;

3.Nëse nuk mund të shmanget përmendja e emrit të një personi të caktuar në lidhje me plotësimin e kërkesave të një urdhërese fetare, atëhere nuk është përgojosje po qe se e pohon gabimin e një personi të tillë, por pa e kaluar masën;

4.Nuk është përgojosje po të rrëfesh abuzimin dhe batakçillëkun e praktikuar prej dikujt, nëse me këtë synohet shmangia e dëmeve që ai mund të sjellë;

5.Të rrëfesh gabimin e dikujt para dikujt tjetri, për ta parandaluar kryerjen e atij gabimi prej tij - kjo nuk është përgojosje;

6.Nuk është përgojosje kriticizmi dhe shprehja e opinioneve për rrëfyesit e haditheve;

7.Në qoftë se një person është i njohur për cenet që ka, nuk është përgojosje përmendja e një ceni të tillë për ta identifikuar atë si person (për shembull, duke e përshkruar shurdhin si shurdh, memecin si memec, doracin si dorac, etj.);

8.Nuk është përgojosje po të përshkruash një gabim të një pacienti para një mjeku, nëse me këtë synohet shërimi i tij;

9.Nuk është përgojim të tregosh gjenealogjinë korrekte të dikujt që pretendon gabimisht një gjenealogji tjetër; 

10. Nuk është përgojosje informimi për çështje të ndryshme i një personi, në qoftë se jeta, prona ose nderi mund të mbrohen vetëm në këtë mënyrë;

11. Në qoftë se dy persona diskutojnë për gabimin e dikujt, tashmë të njohur prej të dyve, kjo nuk do të ishte përgojosje. Megjithatë është më mirë të shmanget një diskutim i tillë, meqenëse ka mundësi që atë gabim ta ketë harruar ndonjëri prej tyre.

12. Të thuash të këqijat e dikujt, që i kryen ato haptas, nuk është përgojosje, siç përcakton edhe hadithi profetik: Nuk ka përgojosje për rastin e atij që e ka grisur cipën e turpit.