Për Talhain dhe Zubeirin
Për atë Zot, s’është se ata gjetën gjë të papëlqyer te unë, as se u përpoqën të bënin drejtësi mes meje e tyre. Tani kërkojnë një të drejtë që vetë e braktisën, dhe një gjak që e derdhën vetë. Nëse në të do kisha pjesë dhe unë, do kishin dhe ata, pa dyshim; po nëse këtë gjë e bënë pa mua, faji është i tyre. Akti i parë i drejtësisë që duan të bëjnë, është të fajësojnë vetveten.
Unë s’e kam humbur intelektin, nuk i kam ngatërruar gjërat kurrë dhe as ato nuk më janë shfaqur të ngatërruara. Është e qartë që ky është një grup rebelësh, ku bën pjesë dhe ky i këtushmi, së bashku me helmin e akrepit dhe shpifjet që bëhen për t’i futur faktet në harresë. Po çështja është e qëruar dhe e shtrembra është shkundur nga themelet. Gjuha e saj ka heshtur së thëni djallëzi. Për Allah! Për ta do përgatit një depo uji, por prej saj vetëm unë do mundem të marr. Ata nuk do të jenë në gjendje të pijnë prej saj dhe as prej ndonjë vendi tjetër.
Pjesë e po asaj ligjërate Ju erdhët drejt meje duke britur gjithë tërsëllimë, ‘betohemi, betohemi’, tamam si ato gamilet-nëna, që sapo kanë nxjerrë në dritë fëmijët e tyre këmbëdridhur dhe vërsulen drejt tyre me vërtik. Unë s’jua lashë dorën time, po ju ma rrëmbyet. Zoti im! Këta të dy e kanë thyer besnikërinë ndaj meje dhe e kanë ngritur popullin kundër meje.
Shkërmoqe, o Zot, atë që kanë ndërtuar ata, e mos e bëj të fortë atë që kanë ngrehur ata. Tregoju të keqen, ku kanë synuar e për të cilën kanë punuar. U kërkova të dëshmojnë që e ruajnë besën e premtuar e u solla me ta me nderim, para se të hidheshim në luftë. Por ata nuk e përfillën dhe e hodhën poshtë mundësinë që u dhashë, pa pranuar të futeshin në udhën e mbarë.