Gjatë këshillimit me kalifin Umer bin Khatab, kur ky i kërkoi mendim nëse duhej apo jo të merrte pjesë në marshimin kundër Romës.
Zoti ka marrë përsipër për pasuesit e kësaj feje forcimin e kufijve të Islamit dhe ruajtjen e pikave jetike të tij. Zoti i ndihmoi kur ishin të paktë dhe s’mund ta mbronin veten. Ai nuk njeh vdekje e është i përjetshëm. Nëse do të marshosh vet ti mbi armikun e do përleshesh me të, apo dhe do të vritesh, për muslimanët nuk do të ketë më strehë apo vend tjetër, nga ku do mund të niseshin prapë, përveç qyteteve të tyre të largëta e të mbetura pa mbrojtje. Prandaj dërgo atje një njeri me eksperiencë e vur nën urdhrat e tij njerëz me veti të larta, me vullnet e me përvojë të mirë. Po qe se Zoti do të ta japë fitoren, plotësohet dhe dëshira jote. Por nëse ndodh ndryshe, ti duhet të shërbesh si mbështetje për njerëzit dhe si qendra ku muslimanët do të kthehen përsëri.
....................................
Shpesh Imam Aliut i rezervohet një pozicion vërtet i çuditshëm: Nga njëra anë thuhet se ishte injorant në praktikën e politikës e çështjet e administrimit, duke synuar kështu, që të provohet se revoltat e Umejjadëve ishin fryt i qeverisjes së tij të dobët e jo pasojë e nepsit të tyre për pushtet; nga ana tjetër tregohen shumë raste, kur kalifët janë këshilluar me të për çështje të rëndësishme të shtetit si dhe për punën e luftrave të ndryshme. Natyrisht, në këtë rast të fundit nuk synohet të nxirret në dukje drejtësia e mendimit dhe e gjykimit apo mençuria e thellë e tij, po vetëm të tregohet gjoja uniteti e harmonia midis tij dhe kalifëve e, në këtë mënyrë, të lihet në harresë fakti që midis tyre kishte diferenca në mendime, bile dhe përplasje, lidhur me çështje të ndryshme.
Në fakt historia tregon se Imam Aliu kishte kontradikta thelbësore me kalifët e se ai nuk miratonte të gjitha hapat që ata bënin. Kundërshtimet e tij në mendime dhe indinjata ndaj gjithë regjimeve të mëparshme është shprehur hapur në ligjëratën Shekshekije. Por këto s’e pengonin të jepte orientime të sakta lidhur me bashkësinë Islame. Karakteri i Imam Aliut ishte aq i lartë, sa askush nuk mund ta shkonte nëpër mend që ai do mund t’i bënte bisht në ndonjë rast dhënies së këshillave lidhur me të mirën e përgjithshme, apo që do mund të jepte këshilla që mund t’i sillnin dëm interesit publik. Ja përse kalifët e tjerë e kërkonin këshillimin me të, pavarësisht nga kundërshtitë principiale.
Kjo hedh dritë në madhështinë e karakterit të tij dhe në korrektësinë e gjykimit e të mendimit të tij. Në këtë pikëpamje, ai manifestonte të njëjtin tipar të shquar të karakterit të Profetit të Shenjtë, që e bënte atë që të ishte kujdestari më i mirë dhe më besnik i interesave të të gjithëve, duke përfshirë edhe të pafetë, që nuk e vinin kurrë në dyshim drejtësinë e tij, megjithëse nuk e pranonin si Profet.
Bile edhe në kulmet e përplasjeve me të, ata ia besonin atij pasuritë e tyre, pa pasur frikë dhe pa dyshuar kurrë se do mund t’i shpërdorte. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Imam Aliu, duke qenë njeriu që në çështje besimi dhe konfidence zinte një pozicion aq të lartë, sa në korrektësinë e këshillës së tij besonin edhe miku edhe armiku. Raportet e Profetit të Shenjtë me të pafetë tregojnë vetëm nivelin e lartë të besueshmërisë së tij dhe prej tyre nuk mund të nxirret aspak përfundimi, se midis tij dhe atyre ekzistonte pajtim pikëpamjesh.
Në këtë çështje besimi ka patur vendin e tij, kurse konflikti i Islamit me të pafetë ishte tjetër gjë. Në të njëjtën mënyrë shikohej dhe Imam Aliu - si mbrojtës i interesave shtetërore e komunitare dhe si ruajtës i mirëqenies dhe mbarëvajtjes së Islamit, edhe pse kontradiktat që kishte me kalifët ishin një fakt i njohur.
Sa herë që ishin në lojë interesat e të gjithëve, do të kërkohej mendimi i tij dhe ai ishte në gjendje të jepte këshilla të paanshme, duke u ngritur mbi pakënaqësitë e tij personale. Ai s’lejoi kurrë që këshillat e tij të fshihnin ligësi dhe hipokrizi, duke mbajtur përherë parasysh thënien e Profetit të Shenjtë, sipas së cilës, ‘ai, të cilit i kërkohet këshillë, është i besueshëm’. Kalifi Umer u këshillua me Imam Aliun lidhur me luftën e Palestinës, nëse duhej që ai të marshonte së bashku me ushtrinë apo jo; dhe Imam Aliu nuk llogariti nëse mendimi i tij pajtohej apo jo me ndjenjat e Kalifit, por mbajti parasysh prestigjin dhe interesat jetike të Islamit, duke e këshilluar që të qëndronte në vendin e vet e të dërgonte në frontin e luftës një njeri me eksperiencë e të mësuar në artet marciale.
Kjo, sepse shkuarja në luftë e një njeriu të papërvojë do ta dëmtonte prestigjin e vendosur të Islamit dhe mund të asgjësonte përfundimisht nderimin dhe respektin e thellë që ai gëzonte midis muslimanëve qysh nga koha e Profetit të Shenjtë. Imam Aliu shihte shanse disfate e shkatërrimi në pjesëmarrjen e kalifit Umer në këtë luftë, prandaj gjykoi se ishte në interes të Islamit që ai të mbetej në qendër. Këtë mendim të tij ai e shprehu kështu:
“Në rast se do të të duhet të tërhiqesh nga fusha e betejës, kjo nuk do ishte vetëm disfata jote vetjake. Muslimanët do të tronditeshin prej saj e do të largoheshin e shpërndaheshin gjithandej, sepse ushtria merr fund kur është vetë komandanti që braktis fushën e betejës. Nga ana tjetër, mosqenia e Kalifit në qendër do t’i priste gjithë shpresat për ndihma të tjera nga prapavija, dhe kjo do mund ta rrëzonte për tokë moralin e luftëtarëve”. Kjo është këshilla që është komentuar si një provë mirëkuptimi reciprok(!), ndonëse është dhënë duke u nisur nga prestigji e jeta e Islamit, që për Imam Aliun ishin më të shtrenjta se çdo gjë tjetër. Asnjë jetë e veçantë1195 s’mund të ishte për të aq e shtrenjtë, sa ta bënte të shprehej kundër pjesëmarrjes së dikujt në luftë.