Për Lavdinë e Zotit
Kjo botë dhe tjetra ia kanë dhënë Atij frerët e tyre, e qiejt e dherat ia kanë dhënë Atij çelësat e tyre. Pemët e lulëzuara i përkulen Atij mëngjes e mbrëmje; prej Atij e prodhojnë zjarrin flakadan degët e tyre dhe e kthejnë ushqimin e marrë në fruta të pjekura, Pjesë e po asaj ligjërate për Kur’anin e Shenjtë Ju keni në mes jush Librin e Zotit, që flet pa iu lajthitur gjuha kurrë. Ai është shtëpia me kolona që nuk i rrënohen kurrë dhe me banorë që nuk u njolloset nderi kurrë.
Pjesë e po asaj ligjërate për Profetin e Shenjtë
Zoti e nisi Profetin pasi kishte kaluar kohë nga profetët e mëparshëm, atëhere kur njerëzit ishin ngatërruar nëpër argumente të ndryshme. Me të Zoti shteri vargun e profetëve dhe e plotësoi Zbulesën e Tij. Pastaj ai luftoi për Atë kundër kujtdo që i kishte kthyer shpinën e i kishte vënë të tjerë përbri.
Pjesë e po asaj ligjërate lidhur me këtë botë Kjo botë është fundi i shikimit për mendjet e verbra, që nuk dallojnë dot gjë tjetër matanë saj. Por shikimi i kujt ka sy depërton nëpër të dhe e sheh që banesa është më tutje. Ai që sheh, do që t’i largohet e mbledh,vetëm zahiré në të, e ai që është i verbër i futet në gji e kënaqet vetëm me qumështin e saj.
Pjesë e po asaj ligjërate
Ju e dini që njeriu velet e lodhet me çdo gjë, përveçse me jetën, e kjo ngaqë s’gjen e nuk shikon tek vdekja asgjë të mirë. Sepse nuk e di që ajo është jetë për zemrën e vdekur, shikim për syrin e verbër, dëgjim për veshin e shurdhër, dhe në të njëjtën kohë - etjeshuarje për të etuarin dhe mjaftueshmëri e siguri e përsosur.
Ai, përmes të cilit shikohet, flitet e dëgjohet është Libri i Zotit. Njëra pjesë e tij flet për pjesën tjetër të tij, e njëra pjesë e tij dëshmon për pjesën tjetër. Ai s’përmban kundërthënie rreth Zotit, as i shpie larg udhës së Zotit ata që veprojnë sipas tij. Por ju jeni bashkuar me njëri-tjetrin për t’u urryer midis jush e për të rritur gjelbërim mbi pisllëkun tuaj.
Jeni marrë vesh me njëri-tjetrin për t’u bërë robër të dëshirave e për të ushtruar armiqësi ndaj njëri-tjetrit për hir të fitimit të pasurisë. Shpirti i ligësisë1192 ju ka trullosur dhe mashtrimi ju ka futur në rrugë të keqe. Prandaj e kërkoj ndihmën e Zotit, për vete e për ju.