Ligjërata 128

 

Mbi ngjarjet e rëndësishme në Basra

 

O’ Ahnaf!

Sikur e kam përpara syve atë njeri, tek bën përpara me ushtritë e tij që nuk lënë prapa pluhur, as zhurmë (A) . Zogjtë e tyre ogurzinj s’përhapin nëpër ajër fërfëllima krahësh dhe duken vetëm pasi kanë ngulur mbi dhé këmbët e tyre si të strucit.

Sejjid Raziu thotë:

Imam Aliu iu drejtua të parit të negërve (Shahibu’z-Zanxh).

 

Pastaj Imam Aliu tha:

 

Qofshi mallkuar ju (Basaritë) dhe rrugët tuaja të populluara e shtëpitë tuaja të zbukuruara me krahë hute e trungje si feçka elefantësh. Çfarë njerëzish: nuk mbajnë zi për të vrarët e tyre e nuk bëhen merak për të humburit e tyre. Nuk ia honeps dot fytyrën kësaj bote, ku shoh vetëm të keqe dhe që duhet parë vetëm me sytë që meriton.

 

Pjesë e po asaj ligjërate në lidhje me mongolët (turqit)

 

Sikur i kam këtu, para sysh (B), njerëzit me fytyrë si maskë e lëkurë të vrarë e të vrazhdë. Mbajnë rroba mëndafshi e leshi e ngasin kuaj të shtrenjtë e të shkëlqyer. Njerivrasja e gjakderdhja që do ushtrojnë ata, do të ndodhë si diçka krejt e zakonshme e do të vijojë përderisa të plagosurit të zvarriten vetëm mbi të vdekur dhe numri i atyre që kanë marrë arratinë të bëhet më i vogël se i atyre që janë robëruar.

Dikush nga fisi Kilab i tha: “O Prijës i Besimtarëve, si mund ta parashikosh një gjë që nuk njihet?” Kur dëgjoi këto fjalë, Imam Aliu qeshi dhe i tha:

Vëlla Kilab! Këto nuk janë dije absolutisht të fshehta (C) e që i di vetëm Zoti, ato na janë dhënë dhe neve nga Ai që bëri dijen. Dije absolutisht e fshehtë është Dita e Gjykimit e gjëra të tjera, që Zoti i Plotfuqishëm i ka njoftuar tashmë.

 

Zoti thotë kështu në Kur’anin e Shenjtë:

“S’ka dyshim që vetëm Zoti e di Orën (e Kjametit).” (Kur’ani, 31:34).

 

Vetëm Zoti e di nëse mitra do rritë mashkull apo femër, nëse do jetë njeri i pashëm apo i shëmtuar, bujar apo dorështrënguar, i devotshëm apo i prapë, i denjë për shoqërinë e Profetëve në Parajsë apo gjë për t’u djegur në Zjarrin e Përjetshëm. Kjo është dije për të panjohurën dhe për të nuk ka kush tjetër njohje, përveç Zotit. Gjithçka tjetër është dije, njohjen e së cilës Zoti ia kaloi Profetit të tij dhe ai ma kaloi mua, duke u lutur që gjoksi im të mund ta duronte dhe brinjët e mia të mund ta mbanin pa u bërë copë e thërrime.

 

.................................

 

(A) Ali ibn Muhammedi lindi në fshatin Varzenin në rrethinat e Rejjit dhe i përkiste sektit Azarike të harixhitëve. Ai e mbante veten për Sejjid dhe bir të Muhammed bin Ahmed Mukhtafi bin Isa bin Zejd ibn Aliut, po ekspertët e gjenealogjisë e biografët s’e pranojnë pretendimin e të qenit Sejjid, kurse babë i bëjnë Muhammed bin Ibrahimin, në vend të Muhammed bin Ahmedit. Babai i tij ishte nga soji i Ebu’l-Kejsit dhe kishte lindur nga një vajzë skllave prej fisit Sindki. Ali bin Muhammedi u hodh në rebelim në vitin 255 H., kur sundonte Muhtedi Bilahu. Ai mblodhi rreth vetes shumë njerëz nga periferitë e Basras, duke u premtuar para, pasuri e liri dhe mundi të hynte në Basra më 17 Shewal të vitit 257 H. duke plaçkitur e masakruar vetëm brenda dy ditëve rreth tridhjetë mijë njerëz, burra, gra e fëmijë, duke rrënua shtëpi dhe djegur xhami dhe duke zbatuar dhunë ekstreme, gjakderdhje, egërsi dhe primitivitet. Pas katërmbëdhjetë vjetësh vrasjesh e shkatërrimi të paprerë, u vra edhe vetë ai në muajin Sefer të vitit 270 H., gjatë sundimit të Muweffekut.

Kështu njerëzit shpëtuan më në fund nga mizoritë e tij të pashembullta. Kjo profeci e Imam Aliut është një nga shumë të tjera, që hedhin dritë në dijet e tij rreth së panjohurës. Hollësitë për hordhitë e tij, dhe pikërisht fakti që nuk do dëgjoheshin as hingëllima kuajsh dhe as trokëllima armësh, njihen si një fakt historik. Historiani Taberi tregon se kur arriti afër Karkhut për të ndezur revoltën, Ali bin Muhammedi u mirëprit nga populli i atij vendi. Dikush i dha një kalë, për të cilin nuk qe e mundur të gjendeshin frerë, sado që kërkuan. Më në fund ai e kalëroi duke përdorur një litar në vend të tyre. Atë kohë gjithë arsenali i tij i armëve përbëhej vetëm nga tri shpata, nga të cilat njërën e mbante ai vetë, një tjetër e kishte Ali ibn Abban Muhlibi dhe të tretën, Muhammed ibn Muslimi; më vonë u mblodhën dhe armë të tjera gjatë grabitjeve.

 

(B) Kjo profeci e Imam Aliut lidhet me sulmin e tartarëve, banorë të shkretëtirës Mongole, në veriperëndim të Turkistanit. Këto tribu gjysmë të egra jetonin duke plaçkitur, vrarë e shkatërruar. Ato e kishin zakon të luftonin me njëra-tjetrën dhe të sulmonin zonat fqinje. Çdo fis kishte një kryetar më vete, që e quante veten përgjegjës për mbrojtjen e njerëzve të tij. Njëri nga prijësat e tyre, Çinghiz Khani, që shquhej për trimëri e guxim të veçantë, iu fut bashkimit të tribuve të ndara në një organizim të vetëm dhe ia doli t’i nënshtronte të gjithë nëpërmjet forcës e urtësisë së tij, me gjithë kundërshtimin e tyre të madh. Në vitin 606 H. ai mundi të mblidhte një ushtri të madhe nën flamurin e tij dhe vërshoi si një ortek i papërmbajtur, duke pushtuar qytete dhe rrënuar popuj, dhe e shtriu sundimin e tij deri në Kinën veriore.

 

Pasi e forcoi pushtetin e tij, dërgoi një delegacion te Alaudin Khawariz Shahu, sundimtar i vendit fqinj të Turkistanit, me të cilin bëri një marrëveshje mbi bazën e kushteve të vëna prej tij. Sipas saj, tregtarët tartarë mund të shkonin për tregti në Turkistan pa pasur frikë nga ndonjë e keqe për jetën dhe pasurinë e tyre. Për disa kohë tartarët tregtuan lirisht dhe pa probleme, pastaj Alaudini i akuzoi për spiunazh, sekuestroi mallrat e tyre dhe urdhëroi prijësin e Atrarit që t’i vriste.

Kur mësoi Çinghiz Khani për thyerjen e marrëveshjes dhe vrasjen e tregtarëve tartarë, sytë iu ndezën flakë e filloi të dridhej nga tërbimi. Ai i dërgoi fjalë Alaudinit që të kthente mallrat e tregtarëve e t’i dorëzonte sundimtarin e Atrarit, por Alaudinit ia kishin verbuar sytë fuqia dhe autoriteti që gëzonte, kështu që nuk i kushtoi asnjë vëmendje kërkesës së tij, bile u tregua aq dritëshkurtër, saqë vrau edhe të dërguarin e Çinghiz Khanit. Atëhere Çinghiz Khani e humbi fare gjykimin dhe sytë iu mbushën me gjak. Ai u ngrit me shpatë në dorë e luftëtarët tartarë u vërsulën me kuajt e tyre të shpejtë drejt Buharasë. Alaudini i doli përpara për t’i bërë ballë me katër lakhe njerëz, por nuk mundi t’u rezistonte sulmeve të pandërprera të tij. Pasi u dërrmua në disa beteja, u arratis në Nishapur duke kaluar nëpër Jeksarte.

 

Tartarët e rrënuan Buharanë dhe e rrafshuan fare. Ata shkatërruan shkollat e xhamitë, shkrumbuan shtëpitë dhe vranë burra e gra, pa dallim. Një vit më vonë sulmuan edhe Samarkandin, derisa e shkretuan krejtësisht. Pas arratisjes së Alaudinit, qeverisjen e mori në duar djali i tij, Xhelaludin Khawariz Shahu, por tartarët e dëbuan dhe atë. Dhjetë vjet me radhë Xhelaludini u end nga njëri vend në tjetrin pa rënë në duart e tyre, më në fund kaloi lumin dhe doli nga kufijtë e mbretërisë së tij. Ndërkohë tartarët bënin ç’ishte e mundur për të shkretuar tokat e populluara dhe për të asgjësuar çdo qenie njerëzore. Asnjë qytet nuk i shpëtoi hakmarrjes së tyre e asnjë popullatë nuk mundi të shmangte nëpërkëmbjen prej tyre. Kudo që shkuan ata, përmbysën mbretëri të tëra dhe rrëzuan nga fuqia shumë sundimtarë. Në këtë mënyrë ia dolën brenda një kohe të shkurtër që të vendosnin autoritetin e tyre në të gjithë pjesën veriore të Azisë.

 

Në vitin 622 H. Çinghiz Khani vdiq dhe vendin ia zuri djali i tij, Ukhtai Khani. Ai e gjeti Xhelaludinin në vitin 628 H. dhe e vrau. Pas tij në fron erdhi djali i djalit tjetër të Çinghiz Khanit, Menku Khani. Pas Menku Khanit, pushtetin në një pjesë të vendit e mori Kublej Khani, kurse kontrolli i Azisë i ra në pjesë vëllait të tij, Halaku Khanit. Në këtë mënyrë mbretëria e Çinghiz Khanit u nda midis stërnipërve të tij.

 

Halaku Khani kërkonte të shtinte në duar hapësirat muslimane në kufi. Rastin për një gjë të tillë ia dhanë hanefitë e Khorasanit, të cilët ishin në armiqësi me shafi’itë. I ftuar që të sulmonte Khorasanin, Halaku Khani u nis kundër tij, ndërkohë që hanefitë i hapën dyert e qytetit duke e menduar veten favorit të tij. Po tartarët s’bënë asnjë dallim midis hanefive dhe shafi’ive dhe vranë këdo që u binte në duar. Pasi asgjësuan shumicën e popullsisë së këtij qyteti, vendosën në të administratën e tyre.

Pra, ishin këto grindje midis hanefive e shafi’ive që i hapën dyert pushtimit deri në kufijtë e Irakut. Pushtimi i Khorasanit ia shtoi më shumë guximin e oreksin Halaku Khanit. Në vitin 656 H. ai marshoi me dyqind mijë tartarë mbi Bagdad. Ushtria e Motasim Bilahut i bëri ballë bashkë me popullsinë e qytetit, por forcat e tyre nuk mjaftonin për t’i vënë fre këtij vërshimi të së keqes. Tartarët hynë në qytet në ditën e Ashures, duke shkaktuar gjakderdhje e rrënim dyzet ditë e netë me radhë. Rrëketë e gjakut rridhnin nëpër rrugë e gjithë shtigjet ishin mbushur me kufoma. Njerëzit kaloheshin në thikë grupe-grupe, kurse vetë Motasimin e shkelën me këmbë, deri sa dha shpirt. Mbijetuan vetëm ata që u futën nëpër puse dhe vende nëntokësore, duke iu fshehur syrit të tyre. Shkretimi i Bagdadit e tronditi mbretërinë Abbaside që në themele dhe hapi rrugën për shkatërrimin e saj përfundimtar.

 

Disa historianë ia hedhin fajin e këtij rrënimi Ibn Ulkemit. Sipas tyre, ai bashkëpunonte me disa grupeve të rëndësishme shi’ite, që e kishin nxitur të ftonte Halaku Khanin me anë të ministrit të tij, Nasirudin Tusit, për të marshuar mbi Bagdad pasi të sulmonte sektorin e Kharkut. Por edhe sikur të ishte kështu, nuk mund të anashkalohet fakti historik që kalifi abbasid Nasirudin il-Lah i kishte nxitur e joshur tartarët kohë më parë të sulmonin vendet muslimane. Ai i kishte çuar fjalë Çinghiz Khanit që të marshonte mbi Khawarizmin meqë banorët e tij nuk e njihnin autoritetin e Kalifatit të tij, duke u dhënë tartarëve të kuptonin që në gjirin e muslimanëve nuk kishte bashkëpunim e unitet.

Pas kësaj ishin hanefitë ata që i kishin dërguar lajm Halaku Khanit për të rrënuar shafi’itë; si rezultat i këtij veprimi, tartarët pushtuan Khorasanin, duke hapur kështu rrugën për të marshuar mbi Bagdad. Në këto rrethana, të bësh përgjegjës për shkatërrimin e Bagdadit vetëm Ibn Ulkemin dhe të injorosh veprimin e Nasirudin il-Lahut si dhe grindjen mes hanefive dhe shafi’ive, do të thotë të fshehësh të vërtetën. Në fakt, shkaku i rënies së Bagdadit ishte pikërisht pushtimi i Khorasanit, kurse shkaktarët realë të këtij pushtimi ishin banorët vendas hanefi.

Vështirë të besohet se Halaku Khani do mund të sulmonte një qendër të madhe si Bagdadin, i cili me fuqinë dhe madhështinë e vet kishte imponuar nderim e adhurim në një pjesë të mirë të botës, vetëm duke u nisur nga një mesazh individual. Ishte ky pushtim, pikërisht, ai që i dha atij guxim për të marshuar mbi këtë qendër muslimane.

 

(C) Të kesh njohuri për të panjohurën në nivel personal është një gjë, kurse të të jepet dija për çështje të ndryshme nga vetë Zoti për ta transmetuar pastaj te të tjerët, është një tjetër gjë. Njohja e së ardhmes, siç zotërohet nga profetët e mëkëmbësit e tyre, fitohet përmes mësimeve dhe zbulesave të Zotit. Vetëm Zoti ka dijeni për ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen e vetëm Ai mund t’ia japë këtë dije kujtdo që dëshiron.

 

Lidhur me këtë çështje Ai thotë:

“Vetëm Ai është Njohësi i të Paparës e Ai s’ia zbulon kujt, përveç disa lajmëtarëve të zgjedhur të Tij.” (Kur’ani, 72:26-7).

 

Imam Aliu e mori njohjen e së ardhmes nëpërmjet mësimeve të Profetit e frymëzimit nga Zoti, gjë për të cilën dëshmojnë dhe fjalët e thëna prej vet atij në këtë ligjëratë. Natyrisht, ndonjëherë nuk është as e udhës dhe as e përshtatshme që të zbulohen të gjitha çështjet, për pasojë ka shumë syresh që mbeten mistere.

 

Me to nuk mund të njihet askush, përveç Zotit:

“S’ka dyshim, vetëm Zoti e di Orën, Ai e dërgon shiun dhe Ai e di çka në mitra; askush nuk e di ç’e pret të nesërmen; askush nuk e di, ku e ka fundin. E pra! Zoti është i Gjithëdijshmi, i Gjithëfuqishmi!” (Kur’ani, 31:34).