Ligjërata 127

 

Mbi harixhitët

 

Në besoni vërtet në mëkatën dhe shkarjen time në udhë të gabuar, pse mendoni se bashkë me mua kanë devijuar edhe pasuesit e thjeshtë të Profetit Muhammed?

Pse i fajësoni dhe ata për të metat e mia dhe i quani të pafé, për shkak të mëkateve të mia?

Po keni zhveshur shpatat e i përdorni vend e pa vend dhe ngatërroni ata që mëkatuan, me ata që s’kanë bërë asnjë faj! Profeti i mbyste me gurë kurorëshkelësit e martuar, pastaj vetë ai bënte lutje në varrimin e tyre e u lejonte pasardhësve të tyre t’u trashëgonin mall e gjë; i vriste vrasësit e u njihte pasardhësve të tyre të drejtën e trashëgimit; u priste dorën hajdutëve dhe rrihte me kamzhik kurorëshkelësit e pamartuar, po pastaj u caktonte pjesë nga trofetë e luftës e u lejonte të martoheshin me gra muslimane. Kështu, pra, Profeti i ndëshonte njerëzit për mëkatet që bënin, po në njëjtën kohë u përmbahej me këmbëngulje urdhrave të Zotit, dhe nuk lejonte kurrë që t’u hiqeshin të drejtat që u kishte njohur Islami, as t’u hiqeshin emrat si pasues të tij.

 

Por ju jeni më të ligjtë e të gjithë njerëzve, jeni ata që u joshën nga Djalli, që u hodhën në anën e tij e u futën në mbretërinë e tij, pa lënë prapa asnjë rrugëdalje. Dhe sa për mua, dy grupe njerëzish do shkatërrohen për shkakun tim: Ata që më duan me të tepërt, aq sa nga kjo i largohen ligjit, dhe ata që më urrejnë me të tepërt, aq sa nga kjo i largohen ligjit. Më i miri në lidhjet me mua është kush mban pozicionin e mesëm. Kështu, pra, ejani në të e bëhuni me shumicën, sepse dora e Zotit ngrihet në mbrojtje të përkrahësve të bashkimit. Ruhuni nga ndarja e veçimi, sepse i ndari nga grupi është për Djallin tamam siç është për ujkun kau i ndarë nga tufa e  qeve.

 

Hapni sytë: Ai që ju fut në këtë rrugë, duhet vrarë, edhe sikur të mbajë turbanin tim rreth kokës. E sa për të dy gjykatësit, ata duhej t’i jepnin jetë gjithçkaje që pulson në Kur’an dhe t’i jepnin fund çdo gjëje që Kur’ani kërkon të shkatërrojë. Dhe ‘jeta’ do të thotë t’u përmbahesh parimeve të tij për një çështje, kurse ‘fundi’ nënkupton shkëputjen e tij prej saj.

 

Po të na çojë Kur’ani drejt tyre, do na duhet t’u shkojmë pas; e në i sjelltë ata tek ne, do u duhet atyre të na vijnë pas. Mallkimi i Zotit rëntë mbi ju! Unë as ju kam shkaktuar ndonjë fatkeqësi, as ju kam mashtruar në ndonjë çështje, dhe as ju kam futur në ndonjë ngatërresë. Ishit ju vetë që i kërkuat me një zë të dy ata burra, kurse unë kërkova të betoheshin se nuk do të shkelnin mbi Kur’an. Por ata u shmangën prej tij e hoqën dorë nga e drejta, ndonëse e njihnin që të dy. Kjo punë e keqe buronte prej vet zemrave të tyre, prandaj iu përkushtuan me gjithë ç’kishin, megjithëse u kishim kërkuar që të mos binin në mëkatin e opinionit e në tundimin e marrjes së vendimit më kokë të tyre, por të gjykonin me drejtësi e t’i përmbaheshin ligjit. Ata s’dëgjuan. Për pasojë, ne nuk mund të pranojmë vendimin e gjykimit të tyre.