Mbajtur kur Imam Aliu u përfol për barazinë në ndarjen e pjesëve nga Beit ul-Mali
Ju më thoni të kërkoj mbështetjen tuaj duke dhunuar ata, mbi të cilët jam caktuar të sundoj?
Për Allah, unë s’do ta bëj këtë gjë, deri sa të vazhdojë kjo botë dhe deri sa një yll t’i prijë në qiej yllit tjetër.
Unë do ta kisha shpërndarë në mënyrë të barabartë edhe po të ishte prona ime, prandaj, pse s’u dashka të veproj kështu me diçka që është pasuria e Zotit?
Kini parasysh: Të dhënit e pasurisë pa pasur të drejtë mbi të është shpenzim i kotë e shpërdorim. Ajo mund ta ngrerë dhënësin e saj në këtë botë, por do ta ulë në botën tjetër. Ajo mund ta nderojë atë përpara njerëzve, por do ta turpërojë përpara Zotit. Zoti ia mohon mirënjohjen atij që ia jep pasurinë një njeriu që s’ka të drejta dhe as merita për ta gëzuar. Dashuria e marrësit do drejtohej tjetërkund në raste si ky. E nëse dhënësi do binte në ditë të këqija e do kishte nevojë për ndihmën e tij, ai do bindej shpejt se ç’shok të keq e ç’mik të pështirë paskej zgjedhur.
....................................
Me të ardhur në pozicionin e kalifit, Imam Aliu nisi të jepte pjesë të barabarta të Beit ul-Malit për të gjithë muslimanët, pavarësisht nëse ata ishin arabë apo jo arabë, nga Hixhazi apo Iraku, persë apo zezakë, pronarë apo skllevër, fisnikë apo njerëz të thjeshtë, sheikë të fiseve apo fshatarë dhe punëtorë, të pasur apo të varfër, pjesëtarë klanesh me influencë apo lypsarë rrugësh, kryetarë komunitetesh apo varfanjakë të pastrehë, fitimtarë apo të mundur dhe sundues apo të sunduar. Ai filloi t’u kushtonte kujdes të veçantë të sëmurëve, sakatëve, të paaftëve e të moshuarve; u caktoi shpërblim të veçantë atyre që ishin pa përkrahje, që kishin gjymtime fizike apo që ishin njerëz pa asnjë lloj të ardhure tjetër, dhe i vendosi në të njëjtin raport me ligjin të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse ishin të varfër dhe të thjeshtë, apo të pasur e të fuqishëm.
Kjo politikë shkaktoi alarm të përgjithshëm nga të gjitha anët. Shpresat e shkatërruara dhe planet e prishura për të fituar pasuri, madhështi e pompë dhe që synonin pushtet e fuqi, bënë që shumë njerëz të thartoheshin e tërboheshin nga ky sistem barazie. Shumë prej tyre ndiheshin si të lënë mënjanë, ngaqë qeverisja tregonte më shumë kujdes, simpati e vëmendje për shtresat e varfra, prandaj u ngritën si një bllok i vetëm për ta kundërshtuar.
Delegacione të panumërta prisnin që të takoheshin me Imam Aliun për këtë punë, disa të kryesuara nga Zubeiri, të tjera nga Ibn Abbasi apo Ibn Hanifi. Imam Aliu u shpjegonte të gjithëve principet e barazisë e të drejtësisë, teoritë e shpërndarjes së ndershme të pasurive e të mundësive, doktrinat e barazisë së njeriut me njeriun dhe porositë e Zotit e të Profetit të Shenjtë për këtë çështje. Kjo ligjëratë është mbajtur në njërin nga këto takime.