Ligjërata 124

 

Udhëzime që u ka dhënë ushtarëve për mënyrën se si të luftojnë 

 

Përpara vini luftëtarët me parzmore, kurse prapa ata pa parzmore. Mbajini dhëmbët të shtërnguar fort, se kjo i bën shpatat të hedhin valle përmbi kafka. Shmanguni anëve nga heshtat, sepse kjo ia ndryshon drejtimin e goditjes tehut të tyre. Mpriheni syrin, sepse kjo forcon kurajon dhe i jep zemrës qetësi. Mbyteni zërin, sepse nga kjo nuk ju mbetet zbrazët kraharori.

 

Mos e lini flamurin tuaj të rrëzohet për dheu, as mos e lini vetëm. Dhe mos ia jepni njeriu tjetër, përveç më trimave e mbrojtësve tuaj më të nderuar, sepse vetëm ata dinë t’u bëjnë ballë rrebesheve dhe situatave më të vështira, dhe vetëm ata u bëhen gardh flamujve e i qarkojnë nga të gjitha anët, sipas rrethanave. Ata s’largohen prej tyre, që armiku të mos i kapë, dhe as shkojnë tepër përpara, që të mos mbeten shumë prapa tyre. Gjithsecili të luftojë me kundërshtarin e vet, duke ndihmuar, ndërkaq, edhe shokun e tij, qoftë edhe me jetën e vet; dhe të mos e lërë kundërshtarin e vet që t’i dalë krah armikut të shokut të tij, ndryshe i vjen radha shpejt të ndodhet përballë dy armiqve, pasi të kenë mbaruar punë me shokun e tij.

 

Për Allah, edhe po t’i ikësh shpatës së të sotmes, s’mund të ndihesh i sigurtë nga shpata e së nesërmes. Ju jeni më kryesorët, më të famshmit, më besnikët dhe më fisnikët ndër Arabët. Kini parasysh se Zotin e zemëron shumë ikja nga beteja. Ajo është e pafalshme dhe të njollos me turpin e përjetshëm. Sigurisht, dezertori s’mundet ta zgjatë jetën e vet, as ka fuqi të futë diçka midis tij dhe ditës së vdekjes së tij. Ai që shkon drejt Zotit është si i  eturi që shkon drejt ujit. Parajsa është nën teh të heshtave. Sot vihet fama në provë.

 

Për Allah! Jam unë më i etur t’i takoj ata në ndeshje, se ç’janë ata për shtëpitë e tyre. Zoti im! Po qe se s’do duan ta njohin të vërtetën, prishe bashkimin e tyre, ndaji mendimet e tyre dhe shkatërroi për mëkatet që bënë. Ata nuk do shkulen nga pozicionet e tyre, përderisa goditjet e vazhdueshme të heshtave të mos u kenë hapur plagë aq të mëdha, sa nëpër to të fryjë era lirshëm, derisa të rënat me shpatë t’ua hedhin kokat përdhé, t’ua zbërthejnë kockat e t’ua copëtojnë krahë e këmbë, përderisa t’i sulmojmë me forca valë-valë, t’u biem mbi kokë me forca që pasohen nga rezerva të freskëta, derisa qytetet e tyre të mësyhen në mënyrë të paprerë nga ushtri që vijnë njëra pas tjetrës, dhe derisa kuajt tanë të shkelin skajet më të largëta të vendeve të tyre, madje edhe shtigjet e bishave dhe ato që të shpien tek limeret e tyre.

 

Shënim i Sejjid Raziut:

‘Daak’ do të thotë ‘shkelje me këmbë’, psh., ‘tedukkul khujulu bi havafiriha Arzahim’ 1144. ‘Navahiru Arzihim» ka kuptimin ‘toka ose vende përballë njëri-tjetrit’; është thënë: ‘Menazilu beni talanin tatanaharu’, që do të thotë: ‘Shtëpitë e filanëve janë përkundrejt njëra-tjetrës’.

 

..............................

 

Këtë fjalim Imam Aliu e mbajti gjatë betejës së Siffinit, që u zhvillua në vitin 37 H. mes Imam Aliut e governatorit të Sirisë, Mu’avies, që pretendonte të merrte hakun për vrasjen e Kalifit të Tretë. Në fakt e vërteta qëndronte ndryshe. Mu’avia kishte qenë governator i Sirisë qysh në ditët e Umerit e nuk donte ta humbiste këtë post duke iu betuar Imam Aliut për besnikëri. Vrasja e Uthmanit i shërbeu si pretekst dhe u bë elementi më i rëndësishëm në planet për ruajtjen e sundimit të tij. Më vonë, pasi erdhi në fuqi, ai nuk ndërmori asnjë veprim praktik për t’ia marrë gjakun vërtet, bile s’foli më kurrë për vrasësit e tij, as sa për sy e faqe. Imam Aliu e kuptoi pashmangshmërinë e luftës me të qysh ditën e parë të tij si Kalif, por i duhej të shterte në fillim gjithë argumentet. Pasi u kthye në Kufa nga beteja e Xhemelit, ai dërgoi në Damask Xherir bin Abdullah el-Bexheliun më 12 Rexheb të vitit 36 H., ditën e hënë, me një letër për Mu’avien, me të cilën e njoftonte që muhaxhirët e ensarët i kishin ofruar besnikëri e se kështu duhej të bënte dhe ai. Pastaj, le t’ia shtronte më pas çështjen e vrasjes për ta gjykuar në frymën e Kur’anit dhe të Sunnetit. Por Mu’avia e mbajti Xheririn nën arrest me pretekste të ndryshme. Pasi u këshillua me Amr bin Asin, ai u hodh hapur në rebelim dhe shpalosi publikisht flamurin e hakmarrjes për vrasjen e Uthmanit.

 

Në këtë ndërmarrje Mu’avia pati mbështetjen e shumë personave të rëndësishëm në Siri, të cilët ia mbushën mendjen popullit të paditur se përgjegjësia për jetën e Uthmanit binte mbi Imam Aliun, dhe se kishte qenë ai, pikërisht, që kishte nxitur agresorët me sjelljen e tij, duke i marrë edhe në mbrojtje. Mu’avia dha urdhër të varen në minberin e Xhamisë Qendrore të Damaskut këmisha gjithë njolla gjaku e Kalifit të Tretë e gishtat e prerë të gruas së tij, Naile binte Farafesas. Rreth tyre u mblodhën shtatëdhjetë mijë sirianë që bërtisnin e betoheshin për hakmarrje. Pasi i ndezi ndjenjat e sirianëve në një shkallë histerie të tillë, saqë mund të jepnin edhe jetën e të vriteshin për këtë çështje, Mu’avia u ndie i sigurtë për besnikërinë e tyre dhe filloi të bëhej gati për luftë. Pastaj ia tregoi të gjitha këto Xheririt, për ta poshtëruar, dhe e lejoi të kthehej.

.

Kur mori vesh për këto ngjarje nga Xherir bin Abdullahu, Imam Aliu u detyrua të mbante qëndrim kundër tij dhe urdhëroi Malik bin Habib Jarbuin që të mblidhte forcat në luginën Nakhile. Pas kësaj aty erdhën nga rrethinat e Kufas shumë njerëz dhe shpejt numri i tyre i kaloi të tetëdhjetë mijë vetat. Në fillim Imam Aliu nisi drejt Sirisë një repart pararojë prej tetë mijë frymësh nën komandën e Ziad bin Nazr Harithit, si dhe një tjetër prej katër mijë vetësh të komanduar nga Shurejh bin Haniu. Më pas u nis dhe vetë në krye të pjesës tjetër të ushtrisë, ditën e mërkurë më 5 Shewal.

 

Sapo doli nga kufiri i Kufas ofroi lutjen Zuhr, pastaj marshoi nëpër Dair Ebu Musa, Nahr Ners, Kubbai, Babd, Dair Kaab, Kerbela, Sabat, Bahursir, Anbar dhe Xhezire dhe arriti në Raka. Popullsia e kësaj zone ishte në anën e Uthmanit. Pikërisht në këtë vend kishte ndaluar edhe Samak bin Muhzema Esedi me tetëqind njerëzit e vet, të cilët kishin ikur nga Imam Aliu dhe kishin braktisur Kufan për t’u bashkuar me Mu’avien. Kur panë forcat e Imam Aliut, ata çmontuan urën mbi lumin Eufrat, në mënyrë që ushtria e Imam Aliut të mos kalonte dot në bregun tjetër. Por kërcënimet e Malik Eshterit i trembën për vdekje, prandaj e montuan urën përsëri, pasi u këshilluan edhe një herë me njëri-tjetrin. Imam Aliu kaloi mbi të me gjithë ushtri dhe u vendos në anën tjetër të lumit, ku gjeti dhe Ziadin dhe Shurejhin, që ishin ngulur aty së bashku me luftëtarët e tyre.

 

Ata kishin marrë vesh që Mu’avia po përparonte me ushtritë e veta drejt Eufratit, prandaj kishin ndaluar në pritje të Imam Aliut, duke menduar se nuk do mund ta përballonin dot të vetëm armikun. Kur ia shpjeguan arsyen e ndalesës, Imam Aliu e pranoi arsyetimin e tyre e i nisi përpara përsëri. Pranë Fesili Rumi, Ziadi dhe Shurejhu zbuluan Ebu’l-Evar Sulamin me ushtrinë e tij. Ata informuan Imam Aliun, i cili dërgoi në gjurmët e tyre Malik bin Harith Eshterin si  komandant, duke e porositur që të mos fillonte luftë me ta, por të përpiqej t’i këshillonte e qartësonte sa më mirë të ishte e mundur për gjendjen e vërtetë të gjërave. Me të mbërritur atje, Malik Eshteri e ngriti kampin jo shumë larg prej tyre. Lufta mund të fillonte nga një çast në tjetrin, por ai nuk ndërhyri dhe as ndërmori ndonjë hap që do të provokonte nisjen e saj. Papritur Ebu’l-Evari sulmoi gjatë natës dhe ata u detyruan të zhveshin shpatat për sprapsjen e armikut. Përplasja midis tyre vazhdoi për një farë kohe, më në fund armiku u tërhoq duke përfituar nga errësira e natës. Tashmë beteja kishte nisur. Pak pasi agoi, zuri pozicionin e tij në fushën e luftës edhe komandanti iraken Hashim bin Utbe .

 

 Përballë tij u vendos një repart nga ana kundërshtare dhe flakët e luftës u ndezën dhe më shumë. Më në fund Malik Eshteri thirri Ebu’l-Evarin në dyluftim. Ky nuk guxoi të pranonte, por priti sa ra mbrëmja për t’i afruar dhe më shumë trupat e tij. Ditën tjetër aty erdhi edhe Imam Aliu me pjesën tjetër të ushtrisë dhe u nis për në Siffin së bashku me repartin e pararojës dhe me reparte të tjera. Tashmë aty kishte arritur edhe Mu’avia dhe kishte ngritur bazat e tij. Ai kishte vendosur roje në Eufrat e kishte pushtuar brigjet e tij. Imam Aliu i dërgoi fjalë që ta hiqte gardën nga lumi, po Mu’avia nuk pranoi, kështu që irakenët zhveshën shpatat dhe e pushtuan Eufratin me një sulm të rrufeshëm. Pas kësaj Imam Aliu dërgoi Beshir ibn Amr el-Ensariun, Sa’id ibn Kejs Hamadaniun dhe Shabs ibn Rabi Temimin tek Mu’avia për ta informuar për pasojat e luftës, për ta bindur të bënte betimin e besnikërisë e për të gjetur të tjera rrugë për zgjidhjen e problemit1145. Por ai u përgjigj se nuk mund ta linte kurrsesi pa e marrë gjakun e Kalifit të Tretë dhe se tashmë vetëm shpata do të vendoste në mes tyre.

 

Të dyja palët kundërshtare vendosën të futeshin në luftë në muajin Dhu’l-Hixhe 36 A.H. dhe në fushën e betejës dolën nga të dyja anët luftëtarë për t’u matur me njëri-tjetrin. Ata që u futën në fushbetejë nga ana e Imam Aliut ishin: Hixhr bin Adi el-Kindi, Shabs bin Rabi, Khalid bin Mumiri, Ziad bin Nazri, Ziad bin Khasfa et-Temimi, Sa’id ibn Kejsi, Kejs bin Esedi dhe Malik bin Harith el-Eshteri, kurse nga sirianët ishin Abdur-Rahman bin Khalid Makhzumi, Ebu’l-Evar Sulami, Habib bin Muslema Fahri, Abdullah bin Dhu’l-Kala Hemiri, Ubejdullah bin Umer bin Khattabi, Shurhabil bin Samt el-Kindi dhe Hasnza bin Malik Hamedaniu. Në të mbaruar të muajit Dhu’l-Hixhe luftimet u ndërprenë për shkak të muajit Muharrem, por ato rifilluan menjëherë më 1 Sefer dhe të dyja palët u radhitën përballë njëratjetrës të pajisura me shpata, ushta dhe armë të tjera.

 

Në anën e Imam Aliut, Malik Eshteri dhe Ammar ibn Jasiri komandonin përkatësisht formacionet e kalorësve e të këmbësorëve nga Kufa, kurse Suhejl bin Hanifi e Kejs bin Sa’di drejtonin kalorësit dhe këmbësorët nga Basra. Flamuri i ushtrisë iu dha Hashim bin Utbes. Në anën e sirianëve, në repartin e krahut të djathtë ishte në komandë Ibn Dhu’l- Kalai, kurse në krahun e majtë ushtria komandohej  nga Habib bin Musleme; kalorësit i komandonte Amr bin Asi, kurse këmbësorët Zehak bin Kejsi. Në ditën e parë hyri në fushën e betejës Malik ibn Eshteri me luftëtarët e tij, ndërsa nga krahu kundërshtar doli për ta përballuar Habib ibn Musleme me të tijët. Lufta u ndez e ashpër nga të dyja anët. Gjatë gjithë ditës shpatat u ndeshën me shpatat dhe heshtat me heshtat.

 

Në ditën e dytë doli në betejë Hashim bin Utbe me ushtrinë e Aliut, kurse nga ana tjetër doli për ta përballuar Ebu’l-Evari me këmbësorët e tij. Të dyja ushtritë iu afruan njëratjetrës dhe kalorësit ranë mbi kalorësit e këmbësorët mbi këmbësorët dhe vazhduan ta sulmojnë kështu njëri-tjetrin dhe të këmbëngulnin me durim e qëndrueshmëri të madhe. Në ditën e tretë dolën përpara Ammar ibn Jasiri dhe Ziad bin Nazri me këmbësorët dhe kalorësit e tyre, kurse nga pala tjetër doli përballë Amr bin Asi me një forcë të madhe. Zijadi sulmoi kalorësinë e anës kundërshtare, kurse Malik el-Eshteri i sulmoi këmbësorët me aq furi, saqë ushtarët e armikut humbën terren dhe u rikthyen në bazat e tyre të paaftë për ta përballuar këtë sulm. Në ditën e katërt u shfaq në fushën e betejës Muhammed bin Hanefia me njerëzit e vet. Nga ana tjetër avancoi Ubejdullah bin Umeri me ushtrinë siriane dhe të dyja palët patën një ndeshje të ashpër.

 

Në ditën e pestë përparoi Abdullah ibn Abbasi, kurse nga ana tjetër doli për ta përballuar Walid bin Utbe. Abdullah ibn Abbasi sulmoi me këmbëngulje dhe kurajo të madhe e dha një betejë aq të ashpër, saqë armiku e la fushën e luftës dhe u tërhoq. Në ditën e gjashtë doli përpara me ushtrinë e tij Kejs ibn Sa’d el-Ensariu e kundër tij doli Dhu’l-Kalai me kontigjentin e tij. Midis të dyve u ndez një luftë aq e egër, sa në çdo hap shiheshin të binin pirgje të vrarësh, kurse rrëketë e gjakut kishin gjetur udhën e lumit. Më në fund, të dyja ushtritë i ndau errësira e natës. Në ditën e shtatë zbriti në fushë Malik el-Eshteri dhe përballë tij doli Habib bin Musleme me njerëzit e vet. Lufta vazhdoi deri në drekë.

 

Në ditën e tetë avancoi me ushtrinë e tij vet Imam Aliu dhe bëri një sulm të atillë, saqë u drodh gjithë fusha e luftës; ai depërtoi përmes radhëve duke shmangur goditjet e heshtave e të shigjetave, deri sa shkoi e qëndroi midis të dy ushtrive. Pastaj kërkoi Mu’avien, i cili iu afrua pak më shumë së bashku me Amr bin Asin. Atëhere Imam Aliu i tha: “Dil e lufto me mua. Le të vendosë ai që do ta vrasë tjetrin”. Amr bin Asi i tha Mu’avies: “Aliu ka të drejtë. Bëhu trim dhe ndeshu me të”. Por Mu’avia iu përgjigj: “Unë nuk jam i përgatitur ta humbas jetën time, vetëm se të pëlqen të më hedhësh thumba”. Pasi tha kështu, u kthye mbrapsht. Imam Aliu e pa tek largohej, buzëqeshi dhe u kthye mbrapsht edhe ai.

 

Guximi, me të cilin Imam Aliu udhëhiqte sulmet në Siffin, s’mund të quhet veçse   bëmë e një fuqie të pazakontë. Sa herë që do të dilte ai për të kërkuar ndeshje në fushën e betejës, vijat e armikut prisheshin në pështjellim e konfuzion të plotë. As luftëtarët më trima nuk guxonin t’i dilnin ballë për ballë, kështu që në disa raste ai detyrohej të dilte në fushën e betejës me tjetër veshje, që armiku të mos ta njihte e që dikush të bëhej burrë e të ndeshej me të. Një herë Gharaz bin Adhami doli nga ana tjetër për duel me Abbas bin Rabien. U ndeshën të dy, por asnjëri nuk po e mposhtte tjetrin; kur papritur Abbasi vuri re rastësisht që një nga hallkat e parzmores së kundërshtarit të tij ishte liruar. Ai ngeci majën e shpatës së tij me një goditje të shpejtë në të dhe pastaj e tërhoqi me vrull, duke i prerë edhe disa lidhje të tjera. Pastaj shënoi me saktësi dhe i dha një goditje të fortë drejt e në gjoks. Kur e panë këtë, luftëtarët e Imam Aliut lëshuan thirrjen Tekbir me zë të lartë. Mu’avia u trondit nga britma e tyre dhe u turbullua shumë kur erdhi e mësoi që Gharazi ishte vrarë. Atëhere bërtiti në kishte ndonjë që mund t’ia merrte gjakun Gharazit e ta vriste Abbasin. Në përgjigje të tij dolën disa shpatarë të stërvitur të Beni Lakhmit dhe e ftuan Abbasin në dyluftim. Por Abbasi tha se do ndeshej pasi të kishte marrë lejen e komandantit, kështu që shkoi tek Imam Aliu për t’i kërkuar pëlqimin. Imam Aliu nuk e la, por veshi pajimet e tij dhe hyri vetë në fushën e betejës hypur mbi kalin e tij. Lakhmët e morën për Abbasin dhe i thanë: “Kështu pra, e paske marrë lejen e shefit!” Imam Aliu ua ktheu duke recituar vargjet e mëposhtme:

 

“Atyre që dhunohen u lejohet të përgjigjen me luftë; e Zoti është Më i Fuqishmi për t’i ndihmuar.” (Kur’ani, 22:39).

 

Atëhere nga ana tjetër u nis vrikthi një burrë duke uluritur si elefant i tërbuar dhe sulmoi mbi Imam Aliun, por ky e shmangu goditjen, pastaj bëri me shpatën e tij një prerje të tillë të pastër në shpinën e kundërshtarit, saqë ai u nda më dysh; njerëzit menduan se goditja kishte shkuar bosh, deri sa kali bëri një kërcim dhe të dyja pjesët e trupit ranë për tokë të ndara nga njëra tjetra. Pas tij bëri përpara një tjetër burrë, por edhe ky mori fund sa hap e mbyll sytë. Imam Aliu sfidoi edhe të tjerët, por armiku e kuptoi nga goditjet e shpatës se kush fshihej pas veshjes së Abbasit, prandaj s’guxoi më njeri të dilte për t’u ndeshur me të. Në ditën e nëntë krahu i djathtë ishte nën komandën e Abdullah ibn Budeisit, kurse krahu i majtë nën atë të Abdullah ibn Abbasit. Në qendër ndodhej vet Imam Aliu. Në anën tjetër ushtrinë siriane e komandonte Habib bin Musleme. Të dyja palët u përplasën, ushtarët trima zhveshën shpatat dhe u vërsulën mbi njëri-tjetrin si luanë të tërbuar. Beteja u ndez e ashpër në të katër anët. Flamuri i krahut të djathtë të ushtrisë së Imam Aliut valvitej në duart e Beni Hamadanit. Sa herë që ndonjëri prej tyre binte dëshmor, dikush tjetër do ta rrëmbente nga rënia dhe do ta ngrinte lart përsëri. Më i pari ishte Kerib bin Shurejhu që e ngriti flamurin. Kur ai u vra, e rrëmbeu në dorë Sherhebil bin Shurejhu, pastaj Murshid bin Shurejhu, pastaj Hubejve bin Shurejhu, pastaj Jerim bin Shurejhu dhe, pas vrasjes së gjithë këtyre vëllezërve, ishte Harith bin Beshiri që s’e la të binte për toke, kurse pas tij Wehab bin Keribi. 

 

Atë ditë vëmendja më e madhe e armikut u përqendrua në krahun e djathtë. Sulmet e tij ishin aq të egra, saqë luftëtarët humbën terren dhe filluan të tërhiqen nga fusha e betejës. Vetëm treqind burra mbetën përpara në komandën e Abdullah ibn Budailit. Kur e pa këtë, Imam Aliu dërgoi Malik el-Eshterin që t’i thërriste të ktheheshin mbrapsht dhe t’u bënte këtë thirrje atyre që kishin kthyer shpinën: “Në qoftë se u janë sosur ditët, ata nuk mund ta shmangin vdekjen duke marrë arratinë”. Por pështjellimi në krahun e djathtë nuk mund të ishte pa pasoja për krahun e majtë, prandaj Imam Aliu u nis vetë për atje dhe po çante përpara përmes rreshtave armike, kur një skllav i Beni Umejjadëve i quajtur Ahmar, i tha: “Zoti më vraftë nëse nuk të ther ty unë sot!” Kur i dëgjoi këto fjalë, roja e Imam Aliut, Kejsani, u vërsul mbi të por mbeti i vrarë. Atëhere Imam Aliu e mbërtheu Ahmarin prej këmishës së parzmores dhe, pasi e ngriti peshë, e vërviti poshtë me aq forcë, saqë gjithë veshja e tij mbrojtëse iu shkërmoq; ndërkaq ia behën aty Imam Hasani dhe Muhammed bin Hanefia dhe e dërguan këtë të paudhë drejt e në Skëterrë.

 

Në krahun tjetër thirrja e Malik el-Eshterit i bëri dezertorët të ndihen shumë të turpëruar. Ata u rikthyen dhe sulmuan me kaq këmbëngulje, saqë e shtynë mbrapsht armikun deri sa arritën në vendin ku Abdullah ibn Budeili luftonte i rrethuar prej tij. Abdullahu pa t’i ktheheshin njerëzit e tij dhe sikur mori krahë dhe u vërsul drejt tendës së Mu’avies duke vringëllyer shpatën. Malik el-Eshteri u përpoq që ta ndalonte, po s’ia doli dot. Abdullahu arriti tek tenda e Mu’avies pasi vrau shtatë sirianë. Kur Mu’avia e pa aq afër, urdhëroi ta qëllonin me gurë, pastaj sirianët e vunë poshtë dhe e vranë. Malik el-Eshteri e pa këtë skenë, çau përpara për një sulm mbi Mu’avien së bashku me luftëtarët e fisit Hamedan e fisit Muhzij dhe filloi ta shpartallonte repartin e gardës që e ruante. Nga të pesë rrethimet e gardës kishte mbetur pa u thyer vetëm njëri. Mu’avia po bëhej gati të vinte këmbën në yzengji të kalit për t’ia mbathur, por dikush i dha zemër e iu kthye mendja. Në këtë pjesë të fushës së luftës ishte ndezur një betejë e tërbuar nga një cep i saj në tjetrin nga shpatat e Ammar bin Jasirit dhe Hashim bin Utbes. Kudo që kalonte Ammari, bashkëluftëtarët e Profetit grupoheshin rreth tij. Kështu bënë një sulm të përbashkët të tillë, që i shpartalloi fare radhët e armikut. Mu’avia i pa të afroheshin dhe hodhi kundër tyre forca të tjera të freskëta. Po Ammari vazhdoi të përparonte duke shfaqur shkëlqimin e trimërisë së tij nën rrebeshin e shpatave e të heshtave. Më në fund Ebu Adiu e goditi me një heshtë, e cila e bëri të humbiste ekuilibrin. Pas kësaj Ibn Xhuvejni iu hodh sipër dhe e vrau.

 

Vdekja e Ammar Jasirit shkaktoi pështjellim në radhët e Mu’avies, sepse të gjithë i dinin fjalët e famshme të Profetit, i cili kishte thënë: “Ammari do të vritet nga duart e një bande rebele”. Bile qysh më parë se ai të martirizohej, Dhu’l-Kalai i kishte thënë Amr bin Asit: “Pashë Ammarin në anën e Aliut; mos jemi ne ajo pala rebele?” Amri e kishte qetësuar duke i thënë se Ammari do të bashkohej me ta më në fund. Por kur ky u vra duke luftuar në anën e Aliut, u pa qartë se kush ishte pala rebele dhe s’kishte më vend për interpretime të tjera. Megjithatë Mu’avia e mori veten menjëherë dhe u tha sirianëve: “Nuk e vramë ne Ammarin, por Aliu, se ai e pruri në këtë luftë”. Kur dëgjoi këtë thënie dinake, Imam Aliu   u shpreh: “Në këtë rast edhe Hamzain e paska vrarë Profeti, sepse ai e shpuri në fushën e betejës së Uhudit.” Në këtë betejë u vra edhe Hashim bin Utbe prej Harith bin Mundhirit. Pas tij flamurin e ushtrisë e mori në duar djali i tij, Abdullahu.

 

jeni për mua mburoja e shpata. Çohuni dhe jepuni dërmën këtyre rebelëve!” Kështu, dymbëdhjetë mijë luftëtarë të fiseve Hamadan dhe Rabije u ngritën me kordhat e tyre në dorë. Flamurin e mori Hasin bin Mundhiri. Ata i çanë radhët e armikut duke i përdorur shpatat në mënyrë të tillë, që kokat rrokulliseshin si breshër, trupat binin pirgje-pirgje dhe rrëketë e gjakut kërkonin rrugë në çdo anë. Sulmet e këtyre shpatarëve nuk u ndalën, deri sa dita iu afrua fundit të saj mbi gjithë atë kasaphanë e mugëtira e mbrëmjes ra e u krodh në atë natë të frikshme, të njohur në histori si ‘Nata e Haririt’. Atë natë ndeshja e armëve, trokëllima e thundrave të kuajve dhe rënkimet e sirianëve krijuan një zallamahi të tillë, sa dhe në rrëzë të veshit t’i bërtisje tjetrit, s’të dëgjonte dot. Thirrjet e Imam Aliut tmerronin armikun e i bënin zemrat e tyre të dridheshin në kraharor nga ankthi, ndërkohë që ngrinin përherë e më lart guximin e trimërinë e luftëtarëve të tij. Lufta kishte arritur kulmin e saj, trastat e shigjetave të shigjetarëve kishin mbetur bosh e bishtat e drunjta të ushtave ishin bërë copë-copë. Luftimi trup me trup vazhdoi vetëm me shpata e trupat pa jetë ishin bërë togje-togje. Aty më të gdhirë numri i të vrarëve i kishte kaluar të tridhjetë mijë vetët.

 

Të njëjtin moral të lartë dëftuan njerëzit e Imam Aliut edhe në ditën e dhjetë të luftimeve. Në krahun e djathtë komandën e kishte Malik el-Eshteri, kurse në të majtin Abdullah bin Abbasi. Sulmet sikur ua shtonin freskinë luftëtarëve. Shenjat e disfatës ndër sirianët ishin tashmë të qarta e ata ishin bërë gati ta linin fushën e betejës e të merrnin arratinë. Papritur u ngritën mbi maja të heshtave pesëqind Kur’anë, që ndryshuan të gjithë rrjedhën e luftës. Shpatat e gjakosura u ndalën, arma e mashtrimit doli fitimtare dhe rruga për triumfin e së keqes ishte hapur. Në këtë betejë u vranë 45 000 sirianë. Nga irakenët ranë 25 000 dëshmorë. (Kitab ul-Siffin nga Nasr bin Muzahim, v. 212 A.H., dhe Tarikh Taberi).