Kur harixhitët këmbëngulën në refuzimin e Arbitrimit, Imam Aliu shkoi në kampin e tyre dhe u foli në këtë mënyrë:
A nuk ishit të gjithë juI në Siffin me ne? Ata iu përgjigjën, që disa prej tyre kishin qenë e disa të tjerë jo. Imam Aliu tha:
Atëhere duhet të ndaheni në dy grupe, njëri me ata që ishin në Siffin, dhe tjetri me ata që nuk ishin. Unë do t’i flas secilit grup siç i përshtatet. Pastaj u thirri të pranishmëve: Mos flisni, po mbani qetësi e dëgjoni ç’do t’ju them. Ktheini zemrat tuaja tek unë. Ai që do të kërkohet për të dëshmuar, duhet të dëshmojë në pajtim me çfarë di. Pastaj ai pati një bisedë të gjatë me ta, gjatë së cilës tha:
Kur ata e ngritën Kur’anin për të mashtruar, dredhuar, gënjyer e bërë hile, a nuk thatë ju, ‘ata janë vëllezërit tanë e shokët tanë në pranimin e Islamit. Ata na kërkojë të ndërpresim luftimin dhe duan mbrojtje me anë të Librit të Zotit të Lavdishëm. Ne mendojmë se duhet të merremi vesh me ta dhe t’u japim fund shqetësimeve të tyre’? Unë ju thashë: “Besimi është ana e jashtme e kësaj çështjeje, kurse armiqësia ana e brendëshme e saj. Kjo nis me keqardhjen e do të mbarojë me pendimin. Prandaj mbani, fort pozicionet tuaja e qëndroni të vendosur në rrugën tuaj. Vazhdojeni xhihadin me dhëmbët shtërnguar fort e mos u kushtoni vëmendje britmave të britësitII. Po t’i ktheni përgjigje do t’ju gabojë, dhe po të mos i ktheni do të mbulohet me turp.”
E kur kjo gjë u bë, pashë që u pajtuat me të. Për Allah, po ta kisha refuzuar unë, nuk do të kishte qenë i detyrueshëm për mua. As Zoti nuk do më fajësonte për mëkat. Po, për Atë Zot, tani që unë e kam pranuar, jam i vetmi person i ligjshëm që duhet pasuar, sepse s’ka asnjë dyshim që Kur’ani është me mua. Unë nuk jam ndarë prej tij që kur pranova ta bëja udhërrëfyesin tim. Ne kemi qenë me Profetin nëpër luftra, ku ata që janë vrarë kanë qenë baballarë, bij, vëllezër e kushurinj të njëri tjetrit. Megjithatë, të gjitha vështirësitë e mundimet veç sa na forcuan në besimin tonë, në ecjen në udhë të drejtë, në nënshtrimin ndaj urdhrave hyjnore dhe në durimin e dhimbjeve.
Tani na u desh të luftojmë dhe kundër vëllezërve tanë në Islam, sepse në Islam është futur çorientimi, shtrembërimi, dyshimi dhe interpretimi i gabuar. Megjithatë, nëqoftëse do të gjejmë ndonjë mënyrë, me të cilën Zoti do na bëjë bashkë, të sëmurë siç jemi, e me të cilën do mund t’i afrohemi njëri tjetrit në çfarëdolloj gjëje ende të përbashkët midis nesh, ne do të pranojmë e do të heqim dorë nga çdo gjë tjetër.
.........................
Ibn Ebil Hedidi shkruan se kjo ligjëratë përfshin tre pjesë, që nuk rakordohen me njëra tjetrën, sepse Sejjid Raziu ka regjistruar disa pjesë të ligjëratave të Imam Aliut e nuk ka regjistruar pjesët e tjera, kështu që nuk është ruajtur në çdo rast vazhdimësia e fjalimeve. Kështu, njëra pjesë mbaron me ‘po të mos i ktheni do të turpërohet’, tjetra me ‘dhe në durimin e dhimbjeve’, kurse e treta vazhdon deri në fund të ligjëratës. IIKjo i referohet Mu’avies ose Amr bin Asit.