Ligjërata 121

 

Një nga bashkëluftëtarët e Imam Aliut u ngrit dhe i tha: “O Prijës i Besimtarëve, në fillim na e ndalove arbitrimin, kurse tani na jep urdhër ta pranojmë. Cila nga këto të dyja është e drejtë që të bëhet?” Imam Aliu përpoqi duart me njëra-tjetrën dhe tha me trishtim:

 

Ky është shpërblimi nga ata që shkelin zotimet. Përpara se t’ju kërkoja t’i përmbaheshit arbitrimit, ju kisha prirë në një punë që ju s’e deshët, edhe pse Zoti e kishte futur në udhë të mbarë. Po të kishit qenë të një mendjeje me mua, do t’ju kisha udhëhequr; po të ishit shtrembëruar, do t’ju kisha drejtuar; e po të binit në gabime, do t’ju ndreqja. Kjo ishte rruga më e sigurtë. Desha nga ju kurim, por doli se u bëtë lëngata ime, tamam si ai që nxjerr një gjemb me një gjemb tjetër, duke ditur që maja e gjembit përkulet drejt vetvetes,

 

Për Allah, tani mjekët ndihen të dëshpëruar nga kjo lëngatë fatale, e ai që nxjerr ujë u rraskapit me litarin e këtij pusi. Ku janë ata që u ftuan në Islam dhe e pranuan?I Ata e lexuan Kur’anin dhe vendosën në pajtim me të; erdhën në beteja dhe në to u vërsulën si gamilet - nëna drejt të voglit të tyre; i nxorën pallat e tyre nga milli e u përhapën nëpër botë në grupe e falanga. Disa prej tyre mbijetuan, por lajmi i mirë i mbijetesës s’i gëzoi, ashtu si nuk i dëshpëroi as vdekja. Sytë e tyre janë zbërdhulur nga lotët. Barqet e tyre janë bërë petë nga agjërimi. Buzët e tyre janë tharë, për shkak të lutjeve të pareshtura. Ngjyra e tyre është e zbehtë nga të pagjumët, fytyrat e tyre mbajnë vulën e drojes nga Zoti. Këta janë shokët e mi, që s’janë më. S’është për t’u fajësuar që i kemi zili e jemi helmuar që na kanë lënë,

 

Sigurisht, Shejtani i bën të lehta rrugët e tij për ju dhe synon që t’i zgjidhë një e nga një nyjet e fesë e të mbjellë mes jush përçarje, në vend të  unitetit. Qëndrojuni larg joshjeve dhe mendimeve të tij qëllimliga, pranojeni këshillën e mirë të atij që jua jep, dhe nguleni në mendjet tuaja,

 

...............................

 

Ata që kanë luftuar nën flamurin e Imam Aliut janë quajtur të gjithë Shi’itë të Aliut, por të tillë, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, mund të ishin vetëm ata që kishin lot në sytë e tyre, zbehtësi në faqet e tyre, vargje Kur’anore në gjuhët e tyre, zellin e fetarisë në zemrat e tyre, palëkundje në këmbët e tyre, vendosmëri dhe kurajo në shpirtrat e tyre, dhe durim e qendrueshmëri në mendjet e tyre; ishin njerëzit, për vdekjen e të cilëve Imam Aliut nuk i fashiteshin psherëtimat, ndërkohë që flakët e mallit të ndarjes brenin dalëngadalë zemrën e shpirtin e tij. Këta ishin njerëz që suleshn si të çmendur drejt vdekjes dhe që nuk ndjenin gëzim kur mbetnin gjallë. Njerëzve si këta u shkojnë vërtet për shtat këto vargje të bukura persiane: 

 

Shokët na u vranë një nga një, nëpër beteja na mbetën;

ngelëm ne gjallë, e turpi s’na lë,

që ende e jetojmë jetën.

 

Vetëm ai që ka qoftë dhe një shkëndijë të zbehtë të këtyre cilësive mund të quhej ithtar e pasues i Profetit apo Shi’a i Aliut, ndryshe kjo fjalë do ta kishte humbur kuptimin e saj e do zbrazej nga vlerat e saj, duke u përdorur vend e pa vend. Kështu për shembull, tradita thotë që Imam Aliu pa tek dera e tij një grup njerëzish dhe e pyeti Kamberin kush ishin; ky iu përgjigj që ishin shi’itë të tij. Kur dëgjoi këtë, Imam Aliu rrudhi ballin dhe tha: “Pse e quajnë veten shi’itë? Ata nuk i kanë shenjat e shi’itit”. Kamberi e pyeti se cilat ishin shenjat e shi’itit, dhe Imam Aliu iu përgjigj: Barqet e tyre janë petë nga të pangrënët, buzët e tyre të thara nga etja e sytë e tyre të shplarë nga të vajtuarit.