Lidhur me padrejtësitë e Kurejshëve
O Zoti im, të lutem e të përgjërohem që të ma marrësh hakun mbi Kureishët, sepse ata e përçanë fisin tim, e hidhëruan fatin tim e u bënë bashkë në kundërshtimin e një të drejte që më takon mua më tepër se kujtdo tjetri. Më thonë se është mirë, në qoftë se e marr të drejtën time, por dhe nëqoftëse nuk e marr, prapë është mirë, dhe se, o duhet që ta duroj humbjen, ose të vras veten me trishtimin e saj. Shikoj rreth e qark e nuk gjej njeri të më mbrojë, as të më dalë krah e të më japë një ndihmë, përveç familjes time. E u përmbajta nga hedhja e saj në dhunë e vrasje (Me raportin ekzistues të forcave, Imam Aliu e kishte të qartë që Ehl-i Beiti e përkrahësit e tij do vriteshin e masakroheshin, nëse vendoste të luftonte për të drejtën e tij. Por Ehl-i Beiti ishte për të shumë më i rëndësishëm sesa e drejta e tij. Kjo ishte arsyeja që iu shmang luftës, veç faktit që kjo do çonte në një lufë vëllavrasëse, e cila nuk mund të mos shkaktonte dëmtimin e interesave e të drejtave të krejt Islamit, sidomos në gjendjen e krijuar pas vdekjes së Profetit të Shenjtë.) dhe i mbylla sytë e s’pashë, pavarësisht nga balta që më hodhën. E gëlltita fyerjen, ndonëse po më mbyste dëshpërimi, dhe i durova kthetrat e zemërimit, ndonëse ishin më të hidhura se kolocinthi e më të helmëta se kafshimi i thikave.
Shënim i Sejjid Raziut:
Ky fjalim i Prijësit të Besimtarëve është paraqitur tashmë në një ligjëratë të mëparshme. Tani përsëritet për shkak të ndryshimeve në versione.