Ligjërata 215

 

Lutja që thoshte më shpesh Imam Aliu

Lëvduar qoftë Zoti që më mban ende në jetë, që nuk jam i pafuqi, as më janë ndotur venat me sëmundje, as më ka qortuar ashpër për punë të këqija, as më ka lënë pa pasardhës, as më ka lënë që të braktis fenë time, as të mos i bindem Atij, as të ndihem i huaj në besimin tim, as më ka cenuar në intelekt e as më ka ndëshkuar me mjerimin e njerëzve që jetuan përpara meje. Unë jam një skllav nën pushtetin Tënd e unë e fajësoj veten për teprim mbi vetveten. Ti m’i ke dhënë të gjitha arsyet dhe m’i ke sosur të gjitha shfajësimet, por prapë nuk Të shpjegohem dot. Unë s’kam fuqi të marr, vetëm në më dhënç Ti, dhe nuk mund t’i dredhoj humbjes, vetëm në më shpëtofsh Ti.

O Zoti im, më mbro, të mos ndihem varfanjak mes bollëkut Tënd, të mos çoroditem, me gjithë udhëheqjen Tënde, të mos e shpërfill Mbretërinë Tënde e të mos poshtërohem nën Autoritetin Tënd.

O Zoti im, bëma shpirtin të parën e gjërave të mira që do më marrësh dhe të parin amanet që më ke lënë në besë nga favoret e Tua. O Zoti im! Kërkoj mbrojtjen Tënde të mos largohem nga Vullneti Yt, të mos revoltohem kundër fesë Tënde e të mos më prijnë dëshirat, në vend të principeve që burojnë nga Ti.