Fisnikëria e origjinës së Profetit
Unë dëshmoj që Ai është i drejtë e bën drejtësi, e që Ai është arbitër dhe vendos. E po ashtu, dëshmoj se Muhammedi është shërbëtori i Tij, Profeti i Tij dhe më kryesori i krijesave të Tij. Sa herë e degëzonte linjën e pasardhësve, Zoti e ruante atë për degën më të mirë; asnjë njeri me vese s’ka qenë partner i tij, e asnjë i lig s’ka zbritur nga ajo degë.
Hapni sytë! Zoti ka caktuar për virtytet të përshtatshmit, për të vërtetën – shtyllat dhe për bindjen – mbrojtjen. Ju do ta gjeni ndihmën e Zotit në të gjitha çështjet e bindjes, e Ai do t’ju flasë me fjalë që i shkojnë qëndrueshmërisë së zemrave. Ai ka mjaft për ata që i kërkojnë sa u mjafton, Ai ka kurë për ata që duan kurim.
Karakteristikat e prijësve të virtytshmëm
O njerëz: Ata që zotërojnë dije të Zotit, u japin mbrojtje gjërave që Ai dëshiron të jenë të mbrojtura e bëjnë që të rrjedhin burimet e Tij. Ata e takojnë njëri-tjetrin miqësisht e përkujdesin dhembshurisht njëri-tjetrin. Ata pijnë ujë nga kupa etjeshuarëse e kthehen të ngopur nga oazet. Ata nuk ndikohen nga dyshimet e thashethemet nuk zënë vend ndër ta. Kështu e ka ngjizur Zoti natyrën e tyre: Me sjellje të mira dhe virtyte të hijshme. Prandaj e duan ata njëri-tjetrin e u pëlqen të rrinë me njëri-tjetrin. Ata janë të epërm në pozicion, si ato farat që janë përzgjedhur duke marrë disa e duke hedhur të tjerat. Kjo tëharrje u ka dhënë shquarje dhe kjo përzgjedhje i ka bërë të kulluar.
Tipare si këto meritojnë të vishen dhe cilësi si këto njerëzit i çmojnë. Ata duhet t’i druhen Ditës së Gjykimit përpara se të vijë, dhe duhet ta vlerësojnë vdekësinë dhe përkohësinë e qëndrimit në këtë botë, që nuk është, veçse ndalesë për në një vend tjetër. Bëni, pra, diçka për këtë kalim e për fazat e njohura të largimit nga kjo botë. I bekuar qoftë ai që ka virtyt në zemër, që i bindet kujt e prin, që i shmanget kujt e shtyn në rrënim, që i futet rrugës së sigurtë me udhëzimin e atij që jep dritë për të parë, që i bindet udhëheqësit që e prin e që nxiton drejt virtytit, përpara se të mbyllen dyert e tij, e që i mban hapur dyert e pendimit për t’u lëruar nga barra e mëkatit. S’ka dyshim që ai ndodhet në rrugë të drejtë; se ai është udhëhequr në rrugë të drejtë.