Ligjërata 211

 

Lidhur me Madhështinë e Zotit dhe krijimin e Gjithësisë

 

Me forcën e aftësinë e Tij krijuese të stërholluar, Zoti bëri sterénë e thatë e solide nga uji i oqeanit të pafund, unik dhe gjithë shkulme dallgësh. Më tej, bëri prej tij shtresa dhe i ndau në shtatë qiej, pasi i la bashkë për një kohë. Dhe ata u bënë të qëndrueshëm e u fiksuan në kufijtë e caktuar e të urdhëruar prej Tij. Kështu e stisi Ai dheun në mes të ujit të thellë, blu dhe gjithandej rrethues, që iu bind vullnetit të Tij, iu nënshtrua adhurimit ndaj Tij, dhe u qetua e pushoi së rrjedhuri, i frikësuar prej Pushtetit të Tij.

 

Dhe Ai krijoi edhe male të larta me shkëmbinj dhe gurë e maja që përpijnë retë, e i vuri në vende fikse e u dha qëndrueshmëri. Krerët e tyre humbisnin në ajri, ndërsa këmbët u treteshin në ujë. Kështu, ultësirat u zotëruan nga male me themele që rrë-njoseshin thellë në gji të dheut. Ai i bëri majat e tyre të larta e trupat e tyre krenare dhe i fiksoi si kolona mbajtëse të dheut, duke i ngulur në të si fortesa e pyka vigane. Kjo e bëri dheun të qëndrueshëm pas gjithë atyre tronditjeve dhe përmbysjeve të faqes së tij, dhe kështu ai mori formën që ka sot e nuk mund të rrëshqasë së bashku me banorët e tij e të kridhet në thellësitë oqeanike apo të vithiset dhe të shpërbëhet në pjesët që e përbëjnë.

I Lavdishëm është Ai, që i dha tokës qetësinë, e ngriti mbi furi të ujërave dhe e ngurtësoi mbi gjendjen ujore të periferive të saj.

Me të Ai bëri djepin për qeniet e Tij, duke krijuar mbi masën vluese të gjirit të saj një cipë të fortë e të qëndrueshme, që nuk lëviz, por qëndron e fiksuar mes ujrave të thella, pa u tretur në to. Erëra të forta tundin e shkundin oqeanin, duke ngritur prej tij ré të rënduara e duke mjelur prej tij ujin e shiut.

“Nuk ka dyshim, në gjithë këtë ka mësim për atë që i trembet Zotit.” (Kur’ani, 79:26).