Ligjërata 208

 

Kur bashkëluftëtarët e Imam Aliut shprehën pakënaqësi për qëndrimin e tij lidhur me Arbitrimin,(a) ai tha: O njerëz, punët midis meje e jush shkuan siç dëshiroja unë deri kur ju u lodhët prej luftës.

 

Për Allah, ajo i ka mposhtur disa prej jush, por të tjerët s’i çburrëroi dot, kurse armikun e çoi në pragun e një disfate shkatërrimtare. Deri dje urdhrat i jepja unë, po sot po më japin mua urdhër; deri dje i bindja unë të tjerët të hiqnin dorë nga punët e këqija, por sot rreken ata që të ma kthejnë mendjen. Kështu, ju treguat se ajo që doni mbi çdo gjë tjetër është që të jetoni në këtë botë. E pra, s’më takon mua t’ju shpie atje ku nuk ju pëlqen.

_______________

(a) I Kur forcave siriane të mbetura ende më këmbë, u rreshtën fuqitë e rezervat e ishin gati të pranonin humbjen, Mu’avia e ndryshoi krejt zhvillimin e betejës, duke futur në lojë Kur’anin si instrument të strategjisë së tij. Në këtë mënyrë ai ia doli mbanë që të krijonte te irakenët një përçarje të tillë, që, sado që u përpoq Imam Aliu t’i këshillonte, ata nuk ishin më të gatshëm për ta vazhduar luftën, po ngulën këmbë që ajo të ndërpritej. Kështu, Imam Aliut iu desh që të pranonte Arbitrimin. Midis gjithë këtyre, disa u gënjyen vërtet dhe besonin me tërë mend se ky veprim i Mu’avies synonte ta zgjidhte problemin me anë të Kur’anit.

Por kishte edhe të tjerë që ishin lodhur nga zgjatja e madhe e luftës e e kishin humbur shpirtin luftarak. Ky ishte një rast i mirë për ta ndërprerë luftën, prandaj lëshonin klithma gëzimi për shtyrjen e saj. Kishte edhe të tjerë, pastaj, që e kishin shoqëruar Imam Aliun për shkak të autoritetit të tij mbi punët e kësaj bote, por nuk e përkrahnin me gjithë zemër e as synonin arritjen e fitores së tij. Së fundi, kishte njerëz që kishin ngritur shpresa tek Mu’avia e që e shihnin si një faktor në të ardhmen e tyre, si dhe disa të tjerë që kishin vendosur lidhje me të qysh në fillim të luftës.

Në këto kushte e me këtë lloj ushtrie, kishte qenë vetëm aftësia e lartë politike e Imam Aliut e kompetenca e tij në çështjet ushtarake e administrative, që e kishin çuar luftën deri në këtë pikë. Po të mos e kishte bërë Mu’avia këtë truk, nuk kishte aspak dyshim që fitorja do të kishte qenë e Imam Aliut, sepse fuqia ushtarake e forcave siriane kishte shteruar dhe disfata qëndronte pezull mbi kokën e tyre. Lidhur me këtë Ibn Ebi’l-Hadidi shkruan: Malik el-Eshteri e kishte arritur Mu’avien dhe gati po e kapte për zverku. E gjithë fuqia ushtarake e sirianëve ishte shkatërruar. Në ta kishte mbetur aq gjallëri sa ç’i mbetet një hardhuce të vrarë për të përpëlitur majtas e djathtas bishtin e këputur të saj. (‘Sherh’ nga Ibn Ebi’l-Hadid, Vol. 3, f. 10).