Pasi iu betuan Imam Aliut për besnikëri, Talhai e Zubeiri iu ankuan që s’këshillohej me ta e nuk u kërkonte ndihmë për punët e shtetit. Imam Aliu u tha: Ju rrudhni vetullat të pakënaqur për punëra pa rëndësi, duke harruar të tjera më të mëdha. A mund të më tregoni vetëm një shembull që t’ju kem zhveshur nga e drejta juaj, një hak që ju takon e që t’jua kem mohuar, apo ndonjë musliman që të më ketë paraqitur ankesë dhe unë të kem qenë i paaftë për të vendosur për të, të jem treguar i pavendosur ndaj saj dhe të kem kryer gabime ndaj tij? Për Allah, unë nuk e kam dëshiruar Kalifatin dhe nuk kam patur interes për të qeverisur, por ju vetë më ftuat për të e më përgatitët për të.
Kur më erdhi Kalifati, mbajta parasysh Librin e Zotit dhe ato që Zoti kishte vënë në të për ne e çdo gjë tjetër, që na urdhëron të marrim vendime; dhe unë i kam zbatuar ato dhe kam vepruar mbi bazën e gjithçkaje që ka vendosur Profeti i Shenjtë në Sunnetin e tij. Në këtë çështje nuk kam patur nevojë për këshillën tuaj apo të kujtdo njeriu tjetër, aq më tepër që s’di të ketë patur ndonjë porosi që të më detyronte të këshillohesha me ju apo me vëllezërit muslimanë. Po të ishte ndryshe, s’do ngurroja të vija te ju apo të shkoja tek të tjerët,
Për sa i takon problemit që ngrini lidhur me shpërndarjen e barabartë të pasurisë, (Beit ul-Mali (Thesari i Muslimanëve)) kjo është një çështje, për të cilën nuk kam marrë vendim në kokën time, as e kam bërë këtë punë për të kënaqur kapriçot e mia. Kam arritur të gjykoj që gjithçka e praktikuar nga Profeti i Shenjtë ka qenë në trajtën e saj të fundit, gjë që duhet ta keni vënë re edhe ju. Prandaj nuk e ndjeva të nevojshme t’ju drejtohesha për një politikë që është përcaktuar nga Zoti e për të cilën Ai e ka marrë një vendim. Si pasojë, në këtë çështje nuk mund të presin favore prej meje as ju, dhe as ndonjë tjetër. Zoti i mbajttë zemrat tona dhe zemrat tuaja në të drejtë dhe na dhëntë durim si neve, ashtu edhe juve.
Pastaj Imam Aliu shtoi:
Zoti pastë mëshirë për atë që sheh të vërtetën dhe e përkrah, shikon të padrejtën dhe nuk e pranon, dhe që e ndihmon të drejtën kundër atij që është në rrugë të shtrembër.