Ligjërata 200

 

Lidhur me tradhtinë e Mu’avies dhe fatin e atyre që bien në tradhti

 

Për Allah (A) , Mu’avia nuk është më i zgjuar e inteligjent se unë, po ai mashtron dhe bën punë të liga. Po të mos e urreja gënjeshtrën, unë do të kisha qenë më dinaku i të gjithë njerëzve. Por është fakt, që çdo mashtrim është mëkat dhe çdo mëkat është mosbindje ndaj Zotit. Ditën e Gjykimit gjithë atyre që gënjejnë do t’u jepet nga një flamur, me të cilin do mund të njihen si mashtrues. Për Allah, unë nuk mund ta harroj një gjë të tillë për hir të qëllimit, e as do lejoj të më marrin nëpër këmbë e nënshtrojnë me anë të forcës .

________________________

(A) Njerëzit që janë të paditur në punë të fesë e të etikës, janë të lirë nga kufizimet e ligjit të fesë dhe nuk janë të vetëdijshëm për konceptin e ndëshkimit e shpërblimit. Ata pranojnë çfarëdolloj shfajësimi e mjeti për arritjen e qëllimit të tyre. Ata mund ta kërkojnë në çdo situatë rrugën e suksesit; por shanset e krijimit e të gjetjes së mjeteve bëhen të pakta dhe mundësia e veprimit ngushtohet, kur arsyeja njerëzore, Islami, apo kufizimet që imponon etika dhe ligji fetar veprojnë si pengesa. Autoriteti dhe ndikimi i Mu’avies ishin rezultat i këtyre mekanizmave dhe rrugëve, në zbatimin e të cilave ai nuk njihte as pengesë dhe as ndonjë ndalesë nga e ligjshmja apo e paligjshmja. Atë nuk e pengonte frika nga Dita e Gjykimit, që të vepronte pa asnjë skrupull. Duke analizuar karakterin e tij, Imam Raghib el-Isfahani shkruan:

 

Qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të arrinte synimet e tij, pavarësisht nëse ato ishin të ligjshme apo të paligjshme. Ai s’e vriste mendjen për fenë dhe s’e shkonte në mend ndëshkimin Hyjnor. Kështu, ai përdorte hadithe të shtrembruara apo edhe trillime e praktikonte lloj-lloj mashtrimesh e shpifjesh me qëllim që të mbante pushtetin e tij. Kur e kuptoi që suksesi nuk mund të arrihej dot pa e futur Imam Aliun në luftë, ai nxiti kundër tij Talhain e Zubeirin.

 

Kur nuk mundi ta arrinte suksesin në këtë rrugë, nxiti sirianët e shkaktoi luftën civile në Siri. Dhe kur pozitat e tij prej rebeli u bënë të njohura pasi u vra Ammari, ua hodhi njerëzve duke thënë një herë që përgjegjës për vrasjen e tij ishte Aliu, sepse ai e kishte prurë në fushën e betejës; e herën tjetër i interpretoi fjalët ‘parti e rebelimit’, që përfshihen në thënien e Profetit të Shenjtë, në kuptimin ‘parti hakmarrëse’, duke synuar të provonte që Ammari do vritej nga grupi që do të kërkonte hakmarrje për gjakun e Uthmanit; megjithëse pjesa tjetër e kësaj thënieje, që është, ‘ai do t’i thërrasë drejt Parajsës, ndërsa ata do ta thërrasin drejt Skëterrës’, nuk lë shteg për interpretim.

 

Dhe kur nuk pati shpresë për fitore as me këto dredhi, atij i shkoi në mendje të ngrinte Kur’anin mbi shtiza, ndonëse për të nuk kishin asnjë peshë as Kur’ani dhe as porositë e tij, sepse, në qoftë se do të kishte dashur vërtetë vendime mbi bazën e Kur’anit, do duhej ta kish kërkuar qysh përpara nisjes së luftës; nga ana tjetër, kur mësoi se Amr bin Asi e kishte arritur vendimin duke mashtruar Ebu Musain e se ky vendim nuk kishte të bënte fare me Kur’anin, do duhej të mos e kishte pranuar e ta dënonte Amr bin Asin për dredhinë e përdorur, ose, të paktën, t’i hiqte vërejtjen e ta qortonte. Përkundrazi, puna e tij u vlerësua shumë dhe ai u shpërblye me postin e Governatorit të Egjiptit. (Kitab ul-Aghani)

 

Në kundërshtim me këtë, sjellja e Imam Aliut ishte model i lartë i ligjit fetar dhe i etikës. Ai mbante parasysh kërkesat e së vërtetës e së drejtës, bile dhe në rrethana që s’ishin fare të favorshme për të. Ai nuk lejoi kurrë që jeta e tij e dëlirët të njollosej me mashtrime dhe trillime. Po të donte, ai mund ta përballte dredhinë me dredhi dhe do mund t’u përgjigjej punëve të turpshme të Mu’avies me të njëjtën monedhë. I tillë ishte rasti kur ky vendosi gardën e tij në Eufrat dhe e ndaloi furnizimin e ujit për njerëzit e Imam Aliut. Edhe këta, më pas, kur pushtuan Eufratin, e patën mundësinë t’ia prisnin armikut ujin dhe pretekstin e kishin gati, mjafton që ta quanin këtë veprim si hakmarrje të ligjshme. Kështu do kishin mundur ta mposhtnin kundërshtarin më lehtë, duke i dobësuar aftësitë e tij për luftë.

 

Por Imam Aliu nuk do mund t’i ndyente kurrë duart e tij me një akt çnjerëzor, që nuk lejohet nga asnjë ligj apo kod etik, edhe pse njerëzit e zakonshëm i shikojnë këto veprime si të ligjshme dhe e konsiderojnë këtë dyfaqësi të karakterit si një shkathtësi veprimi apo si   lëvizje politike, që shpie në arritjen e suksesit. Imam Aliu s’e shkonte kurrë ndër mend, sido që ta binte rasti, që ta forconte pushtetin e tij me mashtrim e me dyfaqësi të sjelljes. Kështu për shembull, kur njerëzit e tij e këshilluan t’i linte zyrtarët e kohës së Uthmanit në postet që kishin, t’i bënte miq Talhain e Zubeirin duke i caktuar governatorë të Kufas e të Basras, e të shfrytëzonte zotësinë e Mu’avies në administrim, duke i njohur të drejtën për qeverisje në Siri, Imam Aliu e hodhi poshtë këtë këshillë duke preferuar urdhëresat e ligjit të fesë mbi përshtatjen ndaj punëve të kësaj bote. Ai deklaroi hapur për Mu’avien: Në qoftë se do ta lija Mu’avien të mbante atë që ka tashmë, do kërkoja në të vërtetë mbështetjen e të paudhit1603. Ai që e gjykon suksesin vetëm si ngjarje, s’mendon si është arritur.

 

Ai përkrah këdo që arrin sukses me rrugë dredharake dhe me mjete mashtruese, duke e quajtur administrator, të shkathët, politikan, mendje të shquar e me lloj-lloj emrash të tjerë. E ai që nuk e përdor dredhinë dhe metodat e mashtrimit, për shkak të të përmbajturit ndaj porosive të Islamit e të mësimeve hyjnore, dhe që preferon dështimin ndaj suksesit të arritur me metoda të padrejta, shihet si injorant i politikës dhe dritë-shkurtër. Njerëzit s’e ndiejnë nevojën të mendojnë se ç’vështirësi dhe ç’pengesa ekzistojnë në rrugën e një personi, që u është përkushtuar principeve dhe ligjit, vështirësi e pengesa të tilla, që e ndalojnë të ecë përpara, qoftë edhe sikur të jetë në prag të suksesit.