Gjendja e kësaj bote në kohën e shpalljes së misionit profetik, karakteri kalimtar i kësaj bote dhe fati i banorëve të saj
Zoti e dërgoi Profetin e Shenjtë kur nuk ekzistonte më asnjë shenjë udhëheqjeje, kur nuk rrezatonte më dritë asnjë minare dhe kur rrugët nuk kishin asnjë siguri. O krijesa të Zotit, unë ju këshilloj të kini frikë nga Zoti dhe ju paralajmëroj për këtë botë si vend vuajtjesh e shqetësimesh dhe si shtëpi, nga ku do ikni pashmangshmërisht. Atij që jeton në të, i duhet të niset, dhe ai që qëndron në të, duhet të ndahet prej saj. Banorët e saj enden si në një varkë, të cilën erërat e rrepta e shtyjnë andej-këtej në mes të shkëmbinjve të nënujshëm. Disa nga udhëtarët mbyten e vdesin, të tjerët shpëtojnë majë valëve, po era i shtyn dhe rrymat i rrëmbejnë e i çojnë drejt rreziqeve të tjera. Dhe kështu, kush mbytet s’shpëtohet më dot, e kush mbijeton është rrugës së rrënimit, gjithsesi.
O krijesa të Zotit, kryeni vepra të mira, sepse tani janë gjuhët tuaja të lira, tani janë trupat tuaj të shëndetshëm, tani janë gjymtyrët tuaja në lëvizje, tani janë të gjera hapësirat ku ju shkoni e vini dhe tani është i hapët shtegu ku rendni; nxitoni përpara se të humbisni rastin e t’i afroheni vdekjes. Shikojeni ardhjen e vdekjes si një fakt të mbaruar e jo si një ngjarje që pritet të ndodhë kushedi kur.