Ligjërata 194

 

Për hipokritët

 

Qoftë lëvduar Zoti për ndihmën që na dha në zbatimin e bindjes ndaj Tij e në shmangien e mosbindjes dhe i lutemi të përmbushë bekimet e Tij për ne e të na shtërngojë pas litarit të Tij. Dëshmojmë që Muhammedi është shërbëtori i Tij e Profeti i Tij. Ai mori në sy çdo lloj vështirësie në kërkim të kënaqësisë së Zotit dhe duroi çdo lloj hidhërimi për hir të saj. Të afërmit e tij ndryshuan në sajë të tij dhe të largmit nga ai u bënë bashkë kundër tij. Arabët i lëshuan fare frerët e përmbajtjes kundër tij e i bënë gjak ijet e kuajve e të deveve për t’i nxituar kundër tij, sa vajti puna që armiqtë i erdhën mu në prag të shtëpisë që nga vendet më të humbura e zonat më të largëta.

 

O krijesa të Zotit, ju këshilloj të kini frikë prej Tij e ju bëj thirrje të ruheni nga hipokritët, sepse ata janë futur vetë në rrugë të gabuar dhe u prishin mendjen edhe të tjerëve, sepse kanë shkarë vetë në prehrin e veseve e të mëkateve dhe kërkojnë të joshin edhe të tjerët në vorbullën e tyre. Ata marrin ngjyra të shumta dhe thonë fjalë me shumë kuptime. Ata ju dalin krah me lloj-lloj përkrahjesh e simpatishë dhe rrinë e ju përgjojnë nga lloj-lloj vendesh. Zemrat e tyre janë të sëmura, ndërsa fytyrat e tyre duken të qashtra e të sinqerta. Ata ecin vjedhurazi dhe afrohen si sëmundja trupit. Fjalët e tyre flasin për shërim, por veprat e tyre sjellin lëngatë të pashërueshme. Janë xhelozë për të mbarën e tjetrit, bëjnë ç’munden për t’i futur të tjerët në halle e probleme dhe bëhen me krahë kur zhgënjejnë e vrasin shpresat e tyre. Viktimat e tyre dergjen në çdo shteg e kryqëzim, po prapë i kanë e i dinë mjetet si t’u afrohen zemrave, duke derdhur lotë mashtrues për çdo hall të tjetrit.

 

E nëse ju thonë ndonjë lavd a fjalë të ëmbël, presin në këmbim të saj një shpërblim më të madh në të njëjtën monedhë. Kur kërkojnë diçka, e bëjnë me këmbëngulje; kur qortojnë dikë, e bëjnë për ta turpëruar; dhe po t’u jepet e drejta për vendim, do kalojnë patjetër në teprim. Për çdo të vërtetë, e kanë nga një rrugë të gabuar, çdo gjëje të drejtë ia kanë gjetur mjetin që shtrembëron, çdo qenieje të gjallë i kanë stisur një vrasës, çdo dere të mbyllur i kanë sajuar një çelës; bile thonë se kanë ndezur nga një fener për çdo natë tuajën. Pasioni i tyre më i madh është të mbajnë gjallë shpresa të kota edhe për gjëra ku zhgënjimi është i qartë e dërrmues, sepse veç kështu i ruajnë tregjet, ku mund të shesin helmet e tyre të sheqerosura. Kur flasin, mbjellin dyshime. Kur përshkruajnë, e teprojnë. Në fillim ofrojnë rrugë të gjera, që pastaj i ngushtojnë vetë. Në të vërtetë, ata janë të anës së Shejtanit dhe i kanë hak gjuhët e zjarrta të Skëterrës.

 

“Shejtani i ka në kthetra e i ka bërë të mos kujtohen për Zotin; ata janë në anën e Shejtanit. Por hapni sytë! Se në anën e tij ka vetëm të humbur, s’ka dyshim.” (Kur’ani, 58:19).