Ligjërata 193

 

Tregohet që një bashkëluftëtar i Imam Aliut, i quajtur HamamI , njeri me përkushtim dhe adhurim të thellë për Zotin, i kërkoi Imam Aliut: “O Prijës i Besimtarëve, ma përshkruaj besimtarin e devotshëm në mënyrë që të më duket sikur e kam përpara syve”. Imam Aliu u përpoq t’i shmangej përgjigjes dhe i tha: “O Hamam, ki frikë nga Zoti dhe bëj punë të mira, sepse Zoti është me ata që e kanë frikë e që kryejnë punë të mira”. Po Hamami s’u kënaq me kaq e këmbënguli që t’i thoshte më shumë. Atëhere Imam Aliu lëvdoi e lartësoi veprën e Zotin, kërkoi bekimin e Tij për Profetin e Shenjtë dhe tha:

 

Kur Zoti i Lavdishëm pruri në qenie krijimin, këtë e bëri pa ua patur nevojën bindjes dhe lutjeve të tij dhe pa patur frikë prej mëkatimit të tij. Atë s’e dëmton mëkati i mëkatarit, as ka fitim nga bindja e atij që i bindet. Ai ka bërë për të mjete jetese e i ka caktuar çdo gjëje vendin që do të ketë në këtë botë. Dhe në botë, më të shkëlqyerit janë ata që ia kanë frikën Zotit. Fjala e tyre është me vend, veshja e tyre është e thjeshtë dhe jeta e tyre është e përvuajtur. Ata mbyllin sytë për gjërat që Zoti ua bëri të paligjshme, e u vënë veshin dijeve që u vlejnë. Ata u qëndrojnë provave me po atë dëlirësi, me të cilën shijojnë rehatinë dhe kënaqësitë. Sikur të mos u ishte prerë një zgjatje e caktuar jete, shpirtrat e tyre nuk do donin t’u rrinin në trup për asnjë çast, aq të etuar i bën shpërblimi dhe aq shumë i tremb ndëshkimi. Zemrat ua ka pushtuar Krijuesi me Madhështinë e Tij e nuk u hyn gjë tjetër në sy. Për ta Parajsa është si ta kishin përpara syve e t’i gëzonin qysh tani bekimet e saj. Edhe Skëterra është për ta si ta kishin përpara syve dhe t’i vuanin qysh tani mundimet e saj.

 

Zemrat i kanë të brengosura e të mbrojtura nga e liga, trupat e tyre janë thatimë, nevojat dhe ambicjet e tyre janë të pakta dhe shpirtrat e tyre janë të dëlirët. Ata i durojnë mundimet e një kohe të shkurtër për të gëzuar lumturinë e një kohe të gjatë. Kjo ishte ujdia dobiprurëse, që Zoti ua bëri të lehtë. Bota u rrek t’i joshte, por ata s’ia hodhën sytë. Ajo i mbërtheu, por ata i ikën, edhe pse u desh t’i paguanin haraç. Natës vigjëllojnë e s’e njohin rehatinë e gjumit, por lexojnë pjesë të Kur’anit e i këndojnë me pasion, duke ndjerë dhembje për vetveten e duke i kërkuar kurimin e lëngatës. Kur hasin vargje që ua ndezin etjen e Parajsës, rendin drejt saj tërë dëshirë, shpirtrat e tyre lënë çdo gjë tjetër e i jepen plot lakmi dhe ndihen sikur ta kishin mu aty, para vetes; dhe kur ndeshin vargje që u ngjallin frikë, përqendrohen në to me gjithë dëgjimin e zemrës dhe ndihen sikur kanë vërtet në veshë zërat e Skëterrës dhe britmat e saj. Kërrusin shpinat e bien përmbys mbi ballin e tyre, duke u mbështetur mbi pëllëmbët e tyre të duarve, mbi gjunjët dhe mbi gishtat e mëdhenj të këmbëve, dhe i luten Zotit me përgjërim që t’i shpëtojë. Gjatë ditës durojnë e mësojnë dhe ushtrojnë virtytet e frikën prej Zotit. Dhe ajo i ka bërë të hollë e të tretur si heshta. Po t’i shikojë ndonjë, do mendojë se janë të sëmurë, po ata s’janë sëmurë, prandaj dhe thotë se janë të marrë.

 

Në fakt i ka bërë si të marrë meraku i shumtë, sepse nuk ndihen të kënaqur me punët e mira që bëjnë përditë e nuk i shikojnë si të mëdha punët e tyre të mëdha. Ata e qortojnë vetveten gjithmonë e druhen nga punët që bëjnë1580. Kur lëvdojnë e mburrin ndonjë nga ata, ai thotë: “E njoh veten time më mirë se të tjerët dhe Zoti më njeh më mirë se ç’e njoh unë veten time. O Zoti im, mos bëj me mua sipas asaj që thonë të tjerët, por më bëj më të mirë se sa mendojnë të tjerët se jam; dhe falmë për të metat që nuk m’i dinë!”

 

Tek çdonjëri prej tyre do gjeni fuqi në besim, vendosmëri e butësi, besim me bindje e pa lëkundje, padurim në kërkimin e dijes, përmbajtje në pasuri, përkushtim në adhurim, dinjitet në vuajtje, qëndresë në vështirësi, kërkim të së ligjshmes, kënaqësi në udhëheqje e udhërrëfim dhe urrejtje të lakmisë e kopracisë. Ai kryen vepra të virtytshme, por prapë ndihet i druajtur. Në mbrëmje mezi pret t’i shprehë Zotit mirënjohje e në mëngjes mezi pret që ta kujtojë Zotin prapë. Natës nuk gjen rehat nga meraku mos i shkon nata në shkujdesje, e në agim ndihet i gëzuar për bekimin e mëshirën e fituar. Kur e di që diçka s’është e pëlqyer, nuk i jepet dëshirës për të bërë atë që do. Syri i gjen qetësi në gjëra të përjetshme dhe veten e mban larg nga gjërat e përkohshme. Ai di mirë si t’i mbajë dijet nën kontroll dhe t’i veshi fjalët me veprim.

 

Ju do shikoni që dëshirat e tij janë të pakta, të metat e tij janë të vogla, zemra e tij është e drojtur, shpirti i tij është i nginjur, ngrënia e tij është e përkorët dhe e thjeshtë, besimi i tij është i palëkundur, qejfet e pasionet e tij kanë vdekur, inatet e tij janë shuar; vetëm e mira pritet prej tij dhe s’do patur frikë kurrë mos vjen e keqja prej tij. Edhe kur është mes atyre që e kanë harruar Zotin, numërohet mes atyre që e kujtojnë; dhe kur është në mes atyre që e kujtojnë, nuk numërohet si harrues. E fal atë që tregohet i padrejtë kundrejt tij e i fal atij që mundohet ta privojë dhe që nuk ia ka shtrirë dorën kurrë për një ndihmë. Ai sillet mirë edhe me atë që sillet keq me të.

 

Ai nuk i do fjalët boshe. E folura e tij është dashamirëse e ligësia s’ka vend tek ai. Tek ai virtyti është si në shtëpi të tij. Ai orientohet përherë pas yllit të së mirës e u kthen shpinën djallëzive. Ai fiton dinjitet përmes mundimit, është i durueshëm përmes mjerimit, e shfaq mirënjohje duke qenë i lirë, i shpenguar e i lumtur. Ai nuk e tepron me atë që s’e do dhe s’bie në mëkat për hir të atij që do. Ai e pranon të vërtetën përpara se t’i bihen prova kundër. Ai s’e shpërdoron atë që është vënë nën kujdestarinë e tij, dhe nuk harron atë çka i kërkohet të kujtojë. Ai nuk i shan të tjerët, nuk u bën dëm fqinjëve, nuk lumturohet nga e keqja e tjetrit, nuk futet në udhë të shtrembër dhe nuk del nga rruga e drejtë.

 

Nëqoftëse rri qetë e në heshtje, qetësia nuk i jep trishtim; dhe nëse qesh, nuk e ngre zërin; nëse i bëhet padrejtësi, duron derisa Zoti të marrë hak  për të. Vetë ai i vuan brengat që ka i shkaktuar vetes, ndërkohë që të tjerët janë të qetë prej tij. Ai e vë veten në vështirësi për hir të jetës tjetër të tij dhe përpiqet që të tjerët të mos ndihen në rrezik prej tij. Qëndrimi i tij mënjanë të tjerëve bëhet për përkorje dhe pastrim shpirtëror, dhe afrimi i tij me ata që janë pranë tij bëhet me butësi dhe tolerancë. Qëndrimi i tij mënjanë të tjerëve nuk bëhet për kryelartësi e epërsi, e afërsia e tij me të tjerët nuk bëhet për mashtrim apo gënjeshtër.

 

Tregohet që pas kësaj Hamami ra në një vilani të thellë, pastaj dha shpirt. Atëhere Imam Aliu tha: “Për Atë Zot, e kisha këtë frikë për të”. Pastaj shtoi: “Këshillat e vleshme e japin një efekt të tillë në mendjet e dëshiruara për to”. DikushII i tha: “O Prijës i Besimtarëve, si është e mundur që ti nuk e pëson këtë veprim?” Imam Aliu iu përgjigj: “T’u thaftë goja që flet kështu! Ka një orë të caktuar për vdekjen, që s’mund të mos përfillet, ka edhe një shkak të caktuar, që nuk mund të ndryshohet. Dhe shiko: Mos e përsërit këtë pyetje kurrë, sepse ta solli vet Shejtani majë gjuhës”.