Ligjërata 192

 

E njohur si Khutbe Kasie (Ligjërata e Fajësimit)

 

(Përmban fajësimin e Shejtanit që u tregua kryelartë dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit për t’iu përkulur Ademit, duke manifestuar për herë të parë arrogancë dhe shpirt kundërshtimi; në ligjëratë bëhet thirrje për të mos ecur në rrugën e Shejtanit).

 

Lëvduar qoftë Zoti në veshjet e Tij të Pushtetit dhe Dinjitetit, që i zgjodhi vetëm për Vete e jo dhe për krijimin e që ua bëri të tjerëve të pakapshme dhe të paligjshme. Ato janë vetë Vetja e Vet, prandaj mallkon e godet me Shpagim Hyjnor e Dënim të Përjetshëm këdo që guxon t’i vërë në diskutim dhe t’i kërkojë në to pjesë.

 

Prova e Zotit dhe vaniteti i Iblisit Këto veshje qenë prova që u bëri engjëjve të Tij, për të dëftuar të vlerët e të pavlerët. Zoti dinte gjithçka fshihnin zemrat e tyre dhe çdo gjë të padukshme, prandaj u tha: Unë do krijoj nga kjo argjilë njeriun; kur ta kem përfunduar e të kem fryrë Shpirtin Tim në të, mëgjunjuni të tërë në bindje para tij.

“Të gjithë engjëjt bashkë u mëgjunjën përpara tij, përveç Iblisit.” (Kur’ani, 38:71-4).

 

Sepse nuk e la të bindej kryelartësia. Ai u ndie fisnik në krahasim me Ademin e iu mburr me origjinën e krijimit të tij. Kështu, pra, armiqësia ndaj Zotit e filloi historinë me një mburrje që i hapi rrugën rebelizmës e mendjemadhësisë. Ky është ai që hodhi themelet e përçarjes, që u grind me Zotin për togën e Madhështisë e veshjen e Dinjitetit, dhe që hoqi nga vetja veshjen e përulësisë. A s’e shihni se si Zoti e bëri të ulët, për shkak të krenarisë së tij, dhe si e poshtëroi, për shkak të manisë së madhështisë?

 

E flaku në këtë botë dhe ndezi për të zjarrin përvëlues të botës tjetër! Po të donte Zoti ta krijonte Ademin me dritë e ndriçim që lëbyr sytë, me bukuri nemitëse dhe aroma që të lënë pa frymë, mund ta kishte bërë të tillë; por, po ta kish bërë të tillë, do t’i përkuleshin përulësisht të gjithë dhe sprovimi i engjëjve përmes tij do të ishte shumë më i lehtë. Por Zoti i Lartë i provon krijesat me gjëra që s’u njihet natyra reale, që të shquhet e mira nga e keqja, t’u largohet vaniteti dhe të shërohen nga vetadmirimi e krenaria.

 

Mësoni nga ç’pësoi Shejtani, të cilit Zoti ia harroi dhe mohoi të gjithë punën e tij të gjatë e përpjekjet e tij të mëdha për shkak të krenarisë së një çasti të vetëm, ndonëse Shejtani e kishte adhuruar për gjashtë mijë vite me radhë, që ende s’dihet në janë llogaritur sipas kësaj apo asaj bote. Kush mund të mbetet i sigurtë pas Shejtanit, në shfaq një mosbindje të tillë? As një për bé! Zoti s’mund ta lejojë një qenie njerëzore të hyjë në Parajsë, nëse bën atë, për të cilën Ai dëboi prej saj një engjëll. Midis Zotit dhe individëve të krijimit të Tij nuk ka miqësi të atillë, që do mundej t’i jepte leje ndonjërit prej tyre për të bërë atë që Ai nuk e pëlqen e që e quan të paligjshme për çdo botë.

 

Paralajmërimi kundër Shejtanit Prandaj kini frikë, se mos Shejtani ju moleps me sëmundjen e tij, ju fut në rrugë të gabuar me anë të thirrjes së tij dhe ju mësyn me ushtarët e tij, këmbësorë a kalorës qofshin; se, pasha jetën time! ai e ka vënë për ju shigjetën në kordën e harkut të tij, e ka tendosur fort atë dhe ka marrë shenjë mbi ju nga një pozicion i afërt. Dhe këtë ia ka shprehur me arrogancë e hapur edhe vetë Zotit të tij:

“Ai tha: ‘Zoti im! Meqë më përzure, unë do t’ua zbukuroj atyre të këqijat sa të jenë në tokë dhe do t’i largoj të gjithë nga rruga e drejtë.”’ (Kur’ani, 15:39).

 

Natyrisht, këto fjalë të tij ishin fajësim i padrejtë e mburrje arroganti; por bijtë e vanitetit, simbolet e arrogancës dhe kalorësit e krenarisë e të intolerancës bënë që kjo mburrje e ky zotim i tij të bëheshin fakt. Bile s’u mjaftuan me aq: Ata u sollën sikur fajësimi i tij të mos ishte në erë, po i vërtetë e i përligjur. Dhe kështu, shumë njerëz kokëfortë u përkulën përpara tij e pranuan udhëheqjen e tij; kjo ia shtonte vazhdimisht lakminë e tij për ju, dhe erdhi puna që sekreti i tij, dikur i fshehtë, tashmë u bë fakt i qartë; në këtë mënyrë ai vuri kontroll të plotë mbi ju dhe i mobilizoi të gjitha forcat për të pushtuar mendjet tuaja.

 

Kështu ju hodhi në humnerat e turpit, ju flaku në llucën e pellgjeve të gjakta, ju shkeli me këmbë, plagosi e krreu sytë me maja heshte, ju preu fytin, shqeu flegrat e hundëve, theu gjymtyrët e po ju çon zvarrë, lidhur kokë e këmbë në litarin e mëkateve tuaja, drejt zjarrit që tashmë pret ndezur. Në këtë mënyrë, ai u bë lëngata më e rëndë e besimit tuaj, mbjellësi më i zellshëm i turpit të punëve tuaja tokësore, dhe më mizori i gjithë armiqve, kundër të cilëve ju dolët hapur e me të gjitha forcat. Prandaj luftojeni me gjithë energjitë e mundësitë tuaja, sepse, për Atë Zot! ai e përçmoi origjinën tuaj, vuri në diskutim pozicionin tuaj dhe foli pa respekt për të ardhmen e racës suaj. Ai u hodh mbi ju me kalorësit e tij, ju preu rrugën me këmbësorët e tij, e ata ju dëbojnë nga çdo skutë, ju godasin e ngulen në çdo kyç të gjymtyrëve tuaj, e ju s’mund të mbroheni me gjë, as mund t’i prapsni me kurajë. Jeni robër të mjerimit, mbërthyer në çarqe, fushave të vdekjes, udhëve drejt humbjes.

 

Prandaj, fikni zjarrin e arrogancës e shuani urat e intolerancës, që djegin fshehtas zemrat tuaja. Vaniteti dhe kryelartësia e gjejnë rrugën drejt muslimanit vetëm përmes punëve të Djallit, kapadaillëkut të tij, ligësisë së tij dhe fjalëve e shpifjeve që ai përhap. Mblidheni mendjen dhe bëni përulësinë kurorë të kokave tuaja, shkeleni krenarinë me këmbët tuaja dhe flakeni vanitetin nga qafat tuaja. Përdoreni përulësinë si armë kundër armiqve tuaj - Shejtanit dhe hordhive të tij. Sigurisht ai ka në anën e tij gjithë llojet e njerëzve, luftëtarë, ndihmës, këmbësorë dhe kalorës. Mos u bëni si ai që mbahet më të madh përpara vëllait të tij, jo ngaqë i ka njohur Zoti ndonjë meritë, po vetëm nga sëmundja e madhështisë dhe zilia që ajo mëkon, e vetëm nga arroganca e kryelartësia që ndezin zjarrin e inatit1538 në zemrën e tij. Shejtani ia futi arrogancën në damarë, po Zoti i dha brerje të ndërgjegjes dhe e bëri përgjegjës për mëkatet e të gjithë vrasësve deri në Ditën e Gjykimit.

 

Kujdesi kundër vanitetit e arrogancës, si dhe për padijen

 

Hapni sytë, ju që s’latë gur mbi gur për t’i dhënë jetë revoltës dhe për të mbjellur ligësinë mbi tokë, në kundërshtim të hapur me Zotin e duke sfiduar me luftë besimtarët e vërtetë. Kijeni frikë Zotin kur ndiheni krenarë për arrogancën tuaj e kur mburreni me injorancën tuaj, sepse këto janë rrënjët që mbajnë gjallë te ju dyshimin e urrejtjen - dheun më pjellor ku Shejtani preferon të lëshojë farën e tij. Me ato ka mashtruar ai njerëzit përpara jush dhe brezat e kaluar, duke i kredhur në errësirën e padijes e të turpit, duke i gremisur në honet anës rrugës së tij të gabuar, duke i rreshtuar nën komandën e tij e duke i bërë të pranojnë rregullat e tij. Në këtë çështje, zemrat e të gjithë njerëzve i ngjajnë njëra-tjetrës, prandaj dhe vaniteti vijon t’i ngushtojë dhe shekujt pasojnë të ngjashëm njëri tjetrin.

 

Kujdesi ndaj bindjes përpara prijësve e më të mëdhenjve

 

Hapni sytë, pra, dhe ruhuni nga bindja ndaj prijësve e krerëve që patën krenari për arritjet e tyre e që u mburrën me origjinën e tyre. Ata ia quajnë Zotit faj të keqen dhe ia mohojnë mirësitë që u bëri e ia kundërshtojnë fatin që u dha. S’ka dyshim, ata janë themeli kryesor i kryeneçësisë, shtyllat kryesore të ligësisë dhe kampionët e mburrjes paraislamike me stërgjyshërit. Prandaj kijeni frikë Zotin, mos shpërdorni favoret që ju ka dhënë, mos u bëni xhelozë për bujarinë e Tij ndaj jushI dhe mos iu bindni predikuesve të rremë të Islamit, ujin e pistë të të cilëve e pini shpesh bashkë me ujin tuaj të pastër, sëmundjet e të cilëve i përzieni shpesh me shëndetin tuaj, e gabimet e të cilëve i lejoni të futen shpesh në punët tuaja të mira.

 

Ata janë bartësit dhe përhapësit e veseve dhe veshja e mosbindjes. Shejtani i ka bërë përçues të çoroditjes dhe ushtarët, me të cilët sulmon njerëzit. Ata janë gojët, nga të cilat ai flet për të robëruar mendjet tuaja, për të shikuar me sytë tuaj dhe për të fryrë në veshët tuaj. Dhe kështu ju bëheni viktima të shigjetave të tij, trualli ku shkelin gjurmët e tij dhe burimi i fuqisë së duarve të tij. Nxirrni mësim nga mënyra se si e ndolli shpagimin e Zotit e ashpërsinë e qortimit dhe të ndëshkimit Hyjnor mbi ata që u mbajtën kryelartë në brezat e kombet e shkuara. Nxirrni përvojë nga mënyra si i kanë shtruar për balte faqet e si kanë rënë përmbys e lutjuni Zotit t’ju mbrojë nga rreziqet e vanitetit, njësoj siç i luteni në raste katastrofash natyrore.

 

Përunjësia e Profetit të Shenjtë

 

Në qoftë se Zoti do t’ia kishte lejuar ndokujt privilegjin e krenarisë, këtë do ta kishte bërë për profetët e Tij të zgjedhur dhe për të besuarit e tyre. Po Zoti s’pëlqeu të ishin kryelartë e u dha përulësi. Ata puqnin faqet njësh me dheun, hirosnin fytyrat në pluhur, përkuleshin për besimtarët dhe mbeteshin përherë njerëz të përvuajtur. Zoti i sprovoi me uri, i mundoi me halle dhe brenga, i mbyti në ankthe, dhe i shqetësoi me trazira. Mos kujtoni se masa e pëlqimit apo mospëlqimit nga Zoti janë pasuria dhe fëmijët, sepse nuk mund t’i vlerësoni dot sprovat dhe mundësitë e rënies në mjerim, kur mendja ju është marrosur pas pushtetit e pasurisë; sepse Zoti i Madhëruar e i Lartësuar ka thënë:

 

“Pse? Mos mendojnë ata se me ndihmën që u dhamë në pasuri e pasardhës, ngutemi t’i mbulojmë me gjëra të mira? Aspak! Ata gënjejnë vetveten.” (Kur’ani, 23:55-6).

 

Zoti i provon ata që kanë mendim të lartë për veten me njerëzit e Tij të dashur, që në sytë e tyre janë të përvuajtur, të përunjur dhe të pafuqishëm. Kur Musai, i biri i Imranit, shkoi tek Faraoni së bashku me të vëllanë, Harunin, veshur në lesh të ashpër e me nga një shkop në dorë e i premtoi se do mbetej në vendin që kish e do t’i lejoheshin gjithë nderet, po të nënshtrohej, ky tha: “A nuk ju duken të çuditshëm këta dy njerëz, që më sigurojnë se nderet do vazhdojnë të më bëhen e vendi do më ruhet, ndonëse duket qartë varfëria e pozita e tyre e ulët? Po ta kishin këtë pushtet, do t’i kishin veshur kyçet e duarve me byzylyqe ari!” Ai tha kështu nga krenaria për arin e koleksionet e tij dhe nga neveria që kishte për leshin dhe për veshjet e bëra prej tij.

 

Po të kishte dashur Zoti t’u hapte profetëve të Tij thesaret e xehet e floririt e të mblidhte rreth tyre zogjtë e qiejve dhe bishat e dheut, mund ta kishte bërë një gjë të tillë qysh kur i nisi. Por po të kishte vepruar kështu, nuk do kishte më sprovë, as shpërblim, as lajme për punët e botës tjetër. Ata që e pranuan, s’do mund t’i vinin dot në vend humbjet që pësuan në sprova, besimtarët nuk do mund ta meritonin shpërblimin për punët e tyre të mira, kurse Zbulesa e kumtuarII do mbetej fjalë boshe dhe pa përmbajtje. Por Zoti  i kalit profetët e Tij me dhembje në veshë e sy, i bën të dobët në dukje, por me vendosmëri të palëkundur, dhe ua mbush zemrat e sytë me kënaqësinë e besimin që buron nga paqja e shpirtit të tyre.

 

Nëse profetët do të kishin autoritet të pasulmueshëm, nder të padyshueshëm dhe zotërime që s’ua gjen dot fundin ngado që të hedhësh sytë, ku kuajt e kasnecëve s’i hapin dot rrugë njëri-tjetrit, njerëzit do ta kishin patur tepër lehtë t’u kërkonin mësime, e tepër të vështirë për t’u ndier kryelartë; atëhere besimi do pranohej thjesht nga frika e të gjithë do kishnin qëllim të njëjtë, ndonëse veprat mund të ishin të ndryshme. Por Zoti ka vendosur që njerëzit t’i pasojnë profetët e Tij, të mësojnë për Librat e Tij, të mbeten të përvuajtur para Tij, t’i binden vullnetit të Tij dhe të pranojnë nënshtrimin ndaj Tij me sinqeritet të pastër e vetëm për hir të Tij, pa gjurmën më të vogël të ndonjë gjëje tjetër; dhe përderisa sprova dhe mundimi janë kaq të mëdha, të mëdha do të jenë edhe dhuratat e shpërblimet.

 

Qa’beja e Shenjtë S’ju bën përshtypje që të gjithë njerëzit, që nga paraardhësit tanë, me Ademin të parin, e deri tek të fundmit në këtë botë, Zoti i ka sprovuar me gurin që nuk sjell as fitim dhe as dëm dhe që as sheh e as dëgjon? Pikërisht me këta gurë e ngriti Ai shtëpinë e Tij të Shenjtë, që e bëri për njerëzit vend të paqes e të sigurisë. Ai e ndërtoi atë shtëpi në pjesën më shkëmbore të Tokës, në një vend malor me fare pak dhé të butë, në luginat më të ngushta midis maleve të rrepta, në hapësirat e pamata me rërë të shkrifët, ku burimet janë të pakta dhe banorët të shpërndarë e të rrallë, ku nuk shtohen dot as devetë, as kuajt, as lopët, as delet dhe as gjë tjetër.

 

Pastaj Ai e urdhëroi Ademin dhe bijtë e tij të mos e hiqnin atë vend nga vëmendja. Kështu kjo shtëpi u bë pikënisja e udhëtimeve të tyre në kërkim të kullotave, si dhe vend qëndrimi për karvanet. E, në këtë mënyrë, shpirtrat njerëzorë nguteshin drejt saj që nga shkretëtira të largëta e të thata, që nga lugina të ulëta e të futura thellë midis maleve e që nga ishuj të hallak dete. Ata shkundin shpatullat gjithë përulësi, shprehin mirënjohjen që i ftoi e priti në audiencën e Tij, ecin me këmbë të shpejta, me flokë shprishur e faqe tërë pluhur. Në supe kanë hedhë një copë të pëlhurtë, bukurinë e fytyrës e kanë fshehur tej flokëve të paqethur e mjekrës së parruar - si shenja të misionit të madh, ndëshkimit të rreptë, sprovës akoma të hapët dhe pastërtisë ekstreme. Të gjitha këto, Zoti i ka bërë një udhë drejt Mëshirës së Tij dhe një shteg drejt Parajsës së Tij.

 

Zoti mund ta kishte ngulur Shtëpinë e Tij të Shenjtë dhe simbolet e Tij të mëdha në mes të pemishteve të blerta, lumenjve, fushave të buta e të rrafshta plot pemë e bollëk frutash, me popullsi të dendur, me qendra të shumta banimi, me grurë të artë, kopshte të harlisura, lëndina të blerta, ara të ujitura, lulishte të lulëzuara dhe me rrugë të rrahura; por atëhere shpërblimi do të ishte më i paktë, sigurisht, për shkak të lehtësisë së këtij detyrimi.

 

Në qoftë se themelet, mbi të cilat u ngrit shtëpia e Tij, dhe gurët, që e lartësuan, do kishin qenë prej smeraldi gjelbërosh e rubini të kuq flakë dhe do kish ngado shkëlqim e llamisje, kjo do ta kishte mpakur efektin e dyshimit të strukur në kraharorë, do ta kishte paaftësuar farën e veprimit të Shejtanit nëpër zemra dhe do ta kishte mehur baticën e mosbesimit tek njerëzit. Po Zoti i provon krijesat e Tij me anë të vështirësive e shqetësimeve të ndryshme dhe pëlqen të adhurohet edhe kur janë të mjerë dhe të varfër, prandaj dhe i fut në brenga e mundime. Dhe me të gjitha këto Ai synon të shporrë mendjemadhësinë nga zemrat e tyre e të mbjellë në shpirtrat e tyre përunjësi - si një derë përherë e hapur për favoret e Tij dhe si një mjet që e bën të lehtë ndjesën e Tij.

 

Kujdesi prej rebelimit dhe bërjes së padrejtësive

 

Druajuni Zotit për pasojat e menjëhershme të rebelimit e pasojat përfundimtare të mëkateve të rënda, e kijeni frikë për frytin vrastar të vanitetit, kurthit më të madh të Djallit dhe mashtrimit të tij të madh, që futet në zemrat e njerëzve si një helm fatal. Ai nuk shkon bosh asnjëherë e s’fal askënd që e vë në shënjestër - as të mësuarin, për shkak të dijeve të tij, dhe as të mjeruarin, në leckat e tij.

 

Përfitimet nga kryerja e detyrimeve fetare

 

Nga këto gjëra, Zoti i ka ruajtur krijesat që e besojnë dhe adhurojnë me anë të faljeve, të dhënies lëmoshë dhe vuajtjes së mundimeve të agjërimit, ditët kur ai është i detyrueshëm, duke ua shkriftuar e shkathtësuar gjymtyrët, duke u ndezur pasion të zjarrtë ndër sy kur është fjala për të Drejtat e Tij, duke ua paquar e shtruar shpirtrat e trazuar, duke u dhënë në zemra thjeshtësi e duke shkulur syresh çdo arrogancë. Dhe këto arrihen duke i përlyer faqet delikate në pluhurin e përunjies, duke shtrirë gjymtyrët me përulësi mbi dhé, duke ulur e tretur barqet sa cipa t’u puqet me shpinën, duke ruajtur përvuajtjen përpara Zotit, e duke u dhënë lëmoshë nevojtarëve dhe mjeranëve nga gjithë prodhimet që bën dheu.

 

Vini re se ç’kanë këto akte përkushtimi: Vetëm gjëra që ndihmojnë ta mbani nën kontroll krenarinë e që zhdukin prej jush çdo gjurmë vaniteti. Ngado që shoh, vë re se askush në botë, veç jush, nuk krekoset pa ndonjë shkak apo arsye që mund t’ia mbushte mendjen të paktën një injoranti, e që vetëm ndonjë i metë mund ta quante me vend. Kurse ju ndiheni krenarë për gjëra që s’përligjen me shkak, as me arsye. Edhe vetë Shejtani e pati një motiv dhe u ndie krenar ndaj Ademit, për shkak të origjinës së tij, duke e përqeshur për mënyrën e krijimit të tij, kur i tha, ‘Unë jam prej zjarri, kurse ti prej balte’. E po kështu, janë ndier krenarë për shkak të pronave e të fuqive të tyre edhe të pasurit e kombeve që lulëzuan, apo djajtë e tiranët kur thanë, “ne kemi më shumë pasuri e fëmijë, prandaj dhe nuk do ndëshkohemi!” (Kur’ani, 34:35).

 

Tërheqja pas sjelljeve të mira e punëve të respektuara dhe marrja e mësimeve nga e kaluara. Në rast se nuk mund ta shmangni dot mburrjen, le të jetë të paktën për  cilësi të mira, punë të vlefshme dhe qëndrime të admirueshme, si ato ku u shquan prijësit dinjitozë e bujarë të familjeve Arabe me sjelljet e tyre fisnike, mendimet e larta, qëndrimet e respektuara dhe punët e mira. Krenohuni me zakonet e bukura - respektimin e pakteve, mbrojtjen e fqinjit, bindjen ndaj të virtytshmit, kundërvënien ndaj arrogantit, bujarinë me të tjerët, qenien me ta i drejtë, braktisjen e rebelimit, qëndrimin larg gjakderdhjes, zotërimin e vetvetes, si dhe shmangien e mosmarrëveshjeve. Dhe ruhuni nga mjerimet që pësuan njerëzit përpara jush për shkak të punëve të tyre të liga e të veprimeve të tyre të urryera, duke sjellur ndër mend ç’u ka ndodhur në kohë të mira e të këqija dhe duke patur kujdes të mos bëhi si ata.

 

Pra, meditoni për të dyja këto përvoja e bëni tuajën çdo gjë që lartësoi dinjitetin njerëzor, mbajti larg armiqtë, dha siguri, shtoi mirëqenien dhe përforcoi faktorët1556 me cilësi të shquara, të tillët si qëndrimi larg përçarjes, mbështetja e unitetit, nxitja e njëri-tjetrit për bashkim dhe këshillimi i njëritjetrit për bashkëveprim. E hidhni poshtë çdo gjë që theu kockën e tyre e e dobësoi fuqinë e tyre, siç është ligësia e zemrës, urrejtja, braktisja e nevojtarit dhe refuzimi i përkrahjes për njëri-tjetrin. Mendoni për gjendjen e besimtarëve që jetuan para jush.

 

Sa sprova e mjerime që kaluan! A nuk ishin më të ngarkuarit nga të gjithë dhe në kohë shumë më të vështira? Faraonët i skllavëruan e i goditën me ndëshkimet më të këqija e me vuajtjet më të hidhura. Mbetën për një kohë të gjatë në këtë gjendje mjerimi shkatërrues dhe skllavërie të rëndë dhe nuk gjenin dot mënyrë për t’u mbrojtur apo rrugëdalje tjetër. Më në fund, Zoti i quajti mjaft vuajtjet që hoqën me dashurinë për Të në zemër dhe përballjen e mundimeve nga frika prej Tij. Atëhere u dha shpëtim nga fatkeqësitë dhe ashpërsia e sprovës dhe e shndërroi turpërimin e tyre në nder dhe frikën e tyre në siguri. Kështu, i bëri mbretër, sundimtarë e prijës të shquar dhe bekimet e Tij arritën kufij që nuk kishin guxuar t’i ëndërronin kurrë.

 

Shikoni si ishin kur fiset e tyre ishin të bashkuara, mendimet e tyre të njëzëshme, zemrat e tyre të përkora, duart e tyre në ndihmë të njëri-tjetrit, shpatat e tyre në mbrojtje të njëri-tjetrit, sytë e tyre të mprehtë dhe qëllimet e tyre të përbashkëta! A nuk u bënë zotër të të gjithë botës e sundimtarë të saj? Shikoni, pastaj, ç’u ndodhi kur përçarja i ndau, uniteti u shthur dhe  fjalët ndryshuan nga zemrat: U ndanë në grupe të ndryshme e u shpërndanë e pakësuan duke luftuar me njëri-tjetrin! Atëhere Zoti ua zhveshi nderet e Tij e ua vyshku lulëzimin e arritur përmes bekimeve të Tij. Sot kanë mbetur vetëm historitë e tyre, për t’u shërbyer si udhërrëfim atyre që mund të nxjerrin mësim.

 

Pra, nxirrni mësim nga fati i pasardhësve të Isma’ilit, të bijve të Is’hakut dhe të fëmijëve të Israelit. Sa të ngjashme janë punët e tyre dhe sa të afërt shembujt e tyre. Vini re vetëm hollësitë e ndarjes dhe të grindjeve të tyre dhe kujtoni ditët kur sundimtarët e Persisë dhe cezarët e Romës u bënë zotër të tyre. Pas kësaj, u dëbuan nga kullotat e pasura, nga lumenjtë e Irakut dhe nga pjelloria e botës drejt pyjeve gjembore e shkretëtirave me erëra përvëluese, deri sa shterën mjetet e tyre të jetesës e u kthyen në barinj të mjerë gamilesh. Shtëpitë e tyre ishin më të këqijat në botë e vendbanimet e tyre ishin më të goditurat nga thatësira. Nuk dëgjohej asnjë zë, drejt të cilit do mund të ktheheshin për mbrojtje; dhe ata që e kishin fuqinë për të qenë shtylla të besimit, nuk shfaqnin asnjë hije dhembshurie.

 

Gjendja e tyre ishte e mjerë dhe e pashpresë. Duart e tyre u ndanë. Shumica e tyre u përça në parti dhe grupe të ndryshme. Jetën ua pushtoi ankthi e ua mbuloi llumi i pistë i padijes. I varrosnin të gjalla bijat e tyre1558, adhuronin idhuj, shpërfillnin farefisin dhe ushtronin kusarinë ndaj njëri - tjetrit. Dhe shihni tani bekimet e shumta të Zotit mbi ata, të cilëve u dërgoi një Profet, që u mori zotimin e bindjes ndaj tij dhe i bëri të bashkoheshin nën thirrjen e tij. Shihni se si Mëshira e Zotit i nderi përmbi ta krahët e të mirave të saj, derdhi mbi ta lumenj favoresh e i futi në mirëqenie dhe lumturi. Mëshira e Tij i përqafoi në gjirin e saj bujar dhe ata gëzuan jetën e bukur, që u dha. Interesat e tyre gjetën mbrojtjen e një sundimtari të fuqishëm, rrethanat u dhanë ndere të mëdha dhe të gjitha problemet e tyre u bënë më të lehta nën kujdesin e një shteti të fortë. Ata u bënë zotër të atyre që më parë ishin zotër të tyre, e nisën të drejtojnë ata që ishin mësuar t’i urdhëronin. Dhe u bënë aq të fuqishëm, saqë s’ishte më nevoja që heshtat e tyre të viheshin në provë dhe armët e tyre s’panë më cen e njollë.

 

Qortim për njerëzit e tij

 

Hapni sytë: Se po i largoni prapë duart prej litarit të bindjes dhe po e rrënoni mbrojtjen që i dhanë traditat Islame shoqërisë suaj, duke lejuar të futen zakonet paraislamike nëpër të çarat e saj. Pa dyshim, është bekim i madh i Zotit fakti që Ai bëri bashkim midis njerëzve me anë të lidhjeve dhe të dhembshurisë për njëri-tjetrin; nën hijen e tyre ata lëvizin dhe gjejnë strehë. Ky është bekimi, të cilit s’ia kupton dot kush vlerën e vërtetë. Ai është më i çmuar sesa çdo çmim dhe më i vyer sesa çdo pasuri. Por pasi e arritët këtë bashkim në Islam, ju iu kthyet përsëri gjendjes së beduinëve Arabë dhe jeni ndarë prapë nëpër parti të ndryshme. Nuk keni më gjë nga Islami, përveç emrit të tij, e nuk njihni gjë për besimin, përveç fasadës së tij. Ju thoni, ‘Më mirë Zjarrin, se poshtërimin!’ Mos ndofta dhemb më pak mjerimi juaj i përjetshëm e përmbysja e Islamit me fytyrë përdhé, për ta njollosur nderin e tij e për ta shkelur zotimin e tij për vëllazërim, që Zoti jua bëri detyrë të shenjtë e burim të paqes mes jush? Të jeni të sigurtë që të pafetë do t’ju mposhtin, në u mbështetshi tek gjë tjetër, në vend të Islamit. Dhe atëhere nuk do të ketë më as Xhibra’il, as Mikail, as muhaxhir dhe as ensar për t’ju ndihmuar, por vetëm përplasje shpatash, përderisa Zoti të vendosë, se ç’do të bëjë më tej me ju.

 

Sigurisht, ka patur edhe përpara jush shembuj të tjerë të ditëve të zemërimit, ndëshkimit, shpagimit dhe të hakmarrjes së Zotit. Prandaj mos shpërfillni qortimet e Tij, duke mos e marrë seriozisht zemërimin e Tij, duke përqeshur ndëshkimin prej Tij, e duke mos pritur dhunë prej Tij! Zoti i mallkoi popujt e vjetër vetëm ngaqë nuk u kërkonin më të tjerëve të bënin punë të mira e vetëm ngaqë nuk i pengonin më të tjerët, kur bënin punë të liga. Zoti i mallkoi ata që nuk kishin mend, sepse bënin mëkate, kurse ata me dije dhe intelekt, sepse s’punonin më që të tjerët të mos mëkatonin. E, pra, kujdes! Sepse ju rrënuat lidhjet e Islamit, shkelët ligjet e tij dhe kaptuat kufizimet e tij. 

 

Pozicioni i lartë i Imam Aliut dhe veprat e mrekullueshme të Islamit

 

Mos harroni! Zoti më ka urdhëruar të luftoj këdo që rebelohet, thyen besën e bën trazira. Unë i kam luftuar besëthyesit. E sa për ata që iu shmangën të vërtetës, i jam futur një lufte të shenjtë kundër tyre, ndërkohë që renegadët e besimit i kam vënë në gjendje të vështirë e të turpshme. Kurse Shejtanin e PusitVI e ndëshkuan të tjerët në vendin tim, me gjëmime shurdhuese dhe shigjeta qiellore, megjithëse munda t’ia dëgjoja që më parë ulurimën e zemrës dhe kërkëllimën e eshtrave. Ka mbetur vetëm një grup i vogël rebelësh. Në qoftë se Zoti do më japë rast edhe një herë mbi ta, do t’i zhduk fare, me përjashtim të disa pak kokrrave që mund të mbeten të hallakatura matanë kufijve të shtetit Islam.

 

Meritat dhe guximi i tij Unë kam qenë qysh në djalëri vdekja dhe rrënimi i famës së shumë njerëzve të dëgjuar të Arabisë e kam thyer prijësat e fortë të tribuve Rabie e Muzer. Ju i dini, pa dyshim, lidhjet e mia të ngushta në gjak dhe raportet e mia të veçanta me të Dërguarin e Allahut. Ai më mori përsipër që kur isha ende fëmijë. E kishte zakon të më shtërngonte pas gjirit dhe më vinte në shtrat pranë tij, prekte trupin e tij me timin dhe më bënte të nuhasja aromën e tij. Shpesh përtypte diçka e pastaj ma jepte në gojë. Ai nuk ka gjetur asnjëherë gënjeshtër në të folurit tim, as dobësi në ndonjë punë timen.

 

Që kur u nda nga gjiri i nënës, Zoti i vuri pranë një engjëll të madh, e ky e ushqente ditë e natë me tiparet e një karakteri të lartë e të një sjelljeje të mirë, ndërsa unë e ndiqja prapa si manari që ndjek gjurmët e së ëmës. Çdo ditë do më rrefente si një flamur ndonjë nga vetitë e tij të larta e do më tregonte si ta bëja timen. E kishte zakon të shkonte çdo vit i vetmuar në kodrën e Hiras, ku vetëm unë mund ta shikoja, po jo të tjerët. Ato ditë Islami s’ekzistonte ende në asnjë familje, veç asaj të Profetit të Zotit e Hatixhes. Kurse unë kam qenë i treti pas atyre të dyve. Isha mësuar ta shikoja e kundroja ndriçimin gjatë zbritjes së Mesazhit Hyjnor dhe të merrja frymë aromën e Profetizimit. Kur zbriti Zbulesa tek Profeti i Zotit, dëgjova ofshamën e Shejtanit. E pyeta: “O Profet i Zotit, ç’është kjo ofshamë?” Ai m’u përgjigj: “Ky është Shejtani që i ka humbur të gjitha shpresat për të qenë i adhuruar. O Ali, ti shikon çdo gjë që shoh unë, dhe dëgjon çdo gjë që dëgjoj unë, ndonëse nuk je profet. Por ti je ndihmës i tij dhe je në rrugën e virtytit, për këtë s’ka dyshim”.

 

Kam qenë pranë tij kur erdhi një dërgatë Kureishe dhe i tha: “O Muhammed, ti ke hedhur një sfidë të madhe, që nuk e ka bërë asnjë nga stërgjyshët e tu apo nga familja jote. Ne do të kërkojmë një gjë. Në rast se do na përgjigjesh e do ta bësh, do ta besojmë që je profet e lajmëtar; por nëse nuk do mundesh ta bësh, do ta dimë që nuk je tjetër, veç një magjistar e mashtrues”. I Dërguari i Allahut pyeti: “Çfarë kërkoni?” Ata i thanë: “ Kërkoi kësaj peme të lëvizë me tërë rrënjë e të ndalet përpara teje.” Profeti i Shenjtë tha: “S’ka dyshim që Zoti ka pushtet mbi çdo gjë; por, po sikur ta bëjë Zoti këtë, a do ta besoni? Do ta dëshmoni të vërtetën?” Ata iu përgjigjën: “Po.” Atëhere ai tha: “Unë do bëj për ju çdo gjë që të doni, por e di që nuk do t’i ktheheni virtytit. Mes jush janë ata që do luftojnë kundër meje e do mbarojnë në një pus, si dhe të tjerë që do krijojnë grupe e do bëjnë thirrje për luftë kundër meje”. Pas kësaj Profeti i Shenjtë tha: “O pemë, në qoftë se beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit e nëse e di që unë jam Profeti i Zotit, m’u afro me gjithë rrënjë e qëndro përpara meje, me leje të Zotit.” Dhe Zoti, që pruri Profetin e Shenjtë me të Vërtetën, e bëri pemën të lëvizte vetë me gjithë rrënjë e të vinte me një zhurmë të madhe zukatëse, duke flatruar si flatrojnë krahët e zogjve, deri sa erdhi e qëndroi para të Dërguarit të Allahut, ndërkohë që unë rrija në të djathtë të tij dhe më ranë mbi shpatulla disa prej degëve të saj.

 

Por as kjo nuk e lëkundi krenarinë e arrogancën e tyre, e ata i thanë: “Tani urdhëro vetëm njërën gjysmë të saj të të afrohet”; dhe kështu njëra gjysmë përparoi më shumë drejt tij, në një mënyrë të çuditshme dhe me një zukamë më të madhe. Ishte duke prekur Profetin e Zotit, kur ata i thanë përsëri mosbesues dhe të irrituar: “Thuaji kësaj gjysme të kthehet mbrapsht tek gjysma tjetër, e të bëhen si ishin më parë”. Profeti urdhëroi dhe ajo u kthye. Atëhere unë thashë: “O Profet i Zotit, unë jam i pari që do besoj tek ti dhe që do dëshmoj se pema bëri me urdhrin e Zotit atë që sapo bëri, për të provuar qenien tënde profet e për të lartësuar fjalën tënde!” Kur dëgjuan këtë, Kureishët thirrën: “Në fakt, një magjistar dhe gënjeshtar! Një magji e mrekullueshme. Sigurisht, ai është mjeshtër i magjisë. Por vetëm një si ky (dhe më treguan mua me gisht) mund të dëshmojë për të dhe për këtë ngjarje”.

 

Natyrisht, unë bëj pjesë ndër ata që nuk ua vënë veshin qortimeve të asnjeriu në çështjet që janë të Zotit. Fytyra e tyre është fytyra e së vërtetës e fjala e tyre është fjala e virtytit. Natën vigjëlojnë në adhurim e ditën dritojnë nga minaret e udhërrëfimit. Mbahen fort pas lidhjeve me Kur’anin dhe u japin jetë traditave të Zotit dhe të Profetit të Tij. Ata s’mburren, as kënaqen në vetëmashtrim, as prishin, as prodhojnë të liga. Me zemër janë në Parajsë e me trup janë në veprim për bërjen e punëve të mira.