Lavdërimi i Zotit
Lëvduar qoftë Zoti, lavdia e të Cilit shihet kudo, ushtria e të Cilit është e pathyeshme dhe dinjiteti i të Cilit është i lartë. Lavdëruar qoftë Zoti për favoret e Tij të njëpasnjëshme dhe për dhuratat e Tij të mëdha. Durimi i Tij është i madh, Mëshira e Tij është e pashtershme dhe Ai është i drejtë në gjithshka që vendos. Ai e di ç’ndodh e ç’ka ndodhur tashmë. Falë dijes së Tij, modeloi mjeshtërisht të gjitha krijesat, dhe falë urtësisë së Tij, i prodhoi - pa imituar, pa mësuar, pa të meta, pa ndjekur shembullin e ndonjë prodhuesi inteligjent dhe pa patur përkrah ndonjë grup ndihmësish. Unë dëshmoj që Muhammedi është shërbëtori dhe Profeti i Tij, që erdhi në një kohë kur njerëzit endeshin të shastisur buzë greminës. Frerët e shkatërrimit i tërhiqnin zvarrë dhe kullat e së keqes lartoheshin të ngurta në zemrat e tyre.
Këshillë për frikën ndaj Zotit dhe vlerësimi i kësaj bote dhe i njerëzve të saj
Dëgjomëni një këshillë, o krijesa të Zotit: Kijani frikën Atij, sepse e ka këtë të drejtë mbi ju dhe se prej saj buron e drejta juaj pranë Tij. Kërkoni ndihmën e Zotit në përmbushjen e saj dhe ndihmën e saj në ndërmjetësimin midis jush dhe Zotit. Frika e Zotit është mbrojtja dhe mburoja e sotme e rruga e nesërme për në Parajsë. Se ajo është e hapur, lum kush ecën në të. Se Ai kujdeset për atë që i përmbahet. Ajo u është treguar brezave që ikën dhe atyre që i pasuan, sepse do t’u duhet nesër, Ditën e Fundit, kur Zoti t’ia japë jetën përsëri krijimit të Tij, t’i marrë mbrapsht gjithë ç’i ka dhënë dhe t’i kërkojë hesap për gjithçka që i dhuroi. Sa pak do jenë ata që e kenë pranuar dhe e kanë përdorur si duhet përdorur! Dhe ata pak do jenë ata që janë siç e përshkruan Vet Zoti:
“... shumë pak nga shërbëtorët e Mi janë mirënjohës” (Kur’ani, 34:13).
Prandaj nxitoni t’i vini veshin e rritni vëmendjen ndaj saj e bëjeni zëvendësen e gjithë të metave tuaja të mëparshme, që t’u zërë vendin si vazhduese, dhe bëjeni mbrojtësen tuaj kundër çdo kundërshtari. Me ndihmën e saj, gjumit do t’ia zerë vendin vigjëllimi e do t’i jetoni ditët falë saj. Mbroni dhe armatosni me të zemrat tuaja, lani me të mëkatet tuaja, shëroni me të në gji lëngatën tuaj e shkoni me të në zemër drejt vdekjes suaj. Mësoni nga kush e shpërfilli që të mos bëheni edhe ju mësim. Prandaj, hapini sytë, kujdesuni për të, që të përkujdeset ajo, pastaj, për ju .
Rrini larg kësaj bote dhe ecni të përmallur drejt botës tjetër. Mos e quani të ulët atë që është lartësuar falë frikës nga Zoti, e mos e ngrini në qiell atë që është lartësuar falë kësaj bote. Mos ia hidhni sytë veshjes së stolisur të kësaj bote, mos ia vini veshin atij që flet rreth saj, mos iu përgjigjni atij që thërret drejt saj, mos kërkoni dritë nga vezullimet e saj verbuese dhe mos u harxhoni për gjërat e çmueshme të saj, sepse vezullimet e saj janë të rreme, fjalët e saj janë false, pasuritë e saj janë destinuar që të plaçkiten dhe gjërat e saj të çmuara janë destinuar që të zhduken.
Hapni sytë, sepse kjo botë josh, pastaj të kthen shpinën. Ajo është kryeneçe e nuk pranon të përparojë. Ajo flet gënjeshtra e shpërdoron. Ajo është mosmirënjohëse dhe mohon. Ajo është e keqe e braktis. Ajo tundon e shkakton vuajtje. Gjendja e saj është e luhatshme, hapi i saj është i lëkundur, nderi i saj është pandershmëria, serioziteti i saj është tallja dhe kulmi i saj është poshtërsia. Ajo është vendi i plaçkitjes, grabitjes, rrënimit e shkatër rimit. Koha e saj ka sosur e banorët e saj janë më këmbë. Rrugët e saj janë trullosëse, daljet e saj janë hutuese dhe planet e saj përfundojnë në zhgënjim.
Dhe kështu, njerëzit e saj s’i shpëtojnë dot as fortesat, shtëpitë i flakin përjashta dhe shkathtësia i lë në baltë. Disa janë si devé të lëna peng, disa të vrarë e të sakatuar, disa si gjymtyrë të prera, disa si gjak i derdhur, disa kafshojnë gishtat nga dhimbja, disa lidhin duart të penduar, disa i bien kokës me grushte, disa mallkojnë vetveten dhe ca të tjerë luten e përgjërohen për ta nisur çdo gjë nga e para. Por koha e veprimit ka ikur, ka afruar ora e ndarjes dhe prej saj s’ka më shpëtim. Medet! Medet! Ajo që është humbur, është humbur! Ajo që ka ikur, ka ikur! Dhe bota ka kaluar përsëri në sjelljen e saj të zakonshme. “Pra për ta s’qanë as qiejt e as dheu; e për ta s’u shty as afati.” (Kur’ani, 44:29).