Ligjërata 188

 

Bekimet e Zotit

 

Unë ju këshilloj, o njerëz, t’ia kini frikën Zotit e t’i thurni lavde pa kursim për bekimet që ju jep, për shpërblimin që ju fal dhe për detyrimet që ju ngarkon. Shikoni se si ju zgjodhi me favore dhe ju trajtoi me Mëshirë. Ju mëkatuat hapur e Ai s’ju la pa mbrojtje. Ju e patët hak ndëshkimin, por Ai ju dha më shumë kohë.

 

Gjendja e njerëzve që përballen me vdekjen

 

Dhe po ashtu, ju këshilloj të sillni ndërmend vdekjen e t’i kushtoni më shumë vëmendje. Pse duhet qenë mospërfillës ndaj atij, që s’është mospërfillës ndaj jush? Pse të pritet për një gjë, që nuk ka për t’ju pritur aspak? S’mjafton predikimi që ju japin të vdekurit që përcillni? Janë të tjerët që i shpien nëpër varreza, nuk shkojnë me këmbët e tyre; pastaj i lënë atje, por jo se u pëlqen. Sikur nuk kanë jetuar kurrë në këtë botë, sepse banesa e tyre e përhershme paskej qenë vërtet bota tjetër! E lanë shkretë shtëpinë ku jetonin, dhe tani janë në vendin që më parë i trembte e i bënte të ndiheshin vetëm. U kujdesën më shumë për atë që do linin e nuk e vranë mendjen fare për vendin, ku do duhej shkuar. Tani nuk munden më t’i ikin së keqes, e as t’i shtojnë më virtytet. Ata qenë bërë pjesë e kësaj bote, dhe ajo i mashtroi. Ata i besuan kësaj bote, dhe ajo i rrënoi.

 

Karakteri kalimtar i kësaj bote Zoti ju ndjeftë!

 

Ngutuni t’i gatitni shtëpitë që jeni urdhëruar t’i banoni e për të cilat jeni ftuar dhe thirrur. Kërkoni përmbushjen e bekimeve që ju ka falur Zoti duke ushtruar durim në bindjen ndaj Tij dhe qëndresë ndaj mosbindjes ndaj Tij. E nesërmja është mjaft pranë të sotmes. Sa shpejt ikin orët e ditës, sa shpejt fluturojnë ditët dhe muajit, sa shpejt rrokullisen muajt e vitit, dhe sa shpejt pakësohen vitet e jetës!