Lidhur me peripecitë e kohës. (Trazirat e pritshme dhe mungesa e udhëve të ligjshme për fitimin e jetesës)
Nuk ka sakrificë tepër të madhe për ata pak, që njihen mirë në qiell po nuk njihen dhe aq mirë mbi tokë. Hapni sytë nga ato që pritet t’ju ndodhin - fatkeqësitë e jetës, prishja dhe kaosi i marrëdhënieve ndërmjet jush, si dhe rebelimet e ardhja në fuqi e njerëzve të ulët. Atë kohë besimtari do të marrë më kollaj një të goditur me shpatë sesa një dirham hallall. Kjo do ndodhëI atëhere kur lëmosha e lypësit të bëhet më e madhe se dhurata e dhënësit. Kështu do bëhet kur ju të deheni jo nga pija, po nga pasuria e bollëku, kur të betoheni pa ju detyruar njeri e kur të flisni gënjeshtra pa ju shtërnguar njeri. Kështu do të ndodhë kur trazirat e grindjet t’ju gjakosin si samari gungën e gamiles. Eh sa gjatë do të vazhdojë ky mjerim e kjo fatkeqësi, e sa e largët do jetë shpresa për t’u çliruar prej tyre!
O njerëz, flakni tutje frerët e kuajve që mbartin peshën e duarve tuaja, e mos i prisni lidhjet me atë që ju prin, përndryshe do qortoni veten për atë që po bëni. Mos u hidhni në zjarrin që flakëron mu përpara jush; qëndrojuni larg rrugëve që ju hedhin në krahët e tij dhe zgjidhni për jetën tuaj rrugën e mesme e të gjerë. Se, për Atë Zot, besimtari do të vdesë në flakët e tij, ndërkohë që të tjerët do ndihen të sigurtë mes tyre. Unë jam për ju llampa në errësirë. Kushdo që ajo do plakosë, do mundë të marrë prej saj dritë. Prandaj dëgjoni, o njerëz: Ruajeni atë dritë, mbajini të mprehtë veshët dhe sytë e zemrave tuaja e bëhuni të vëmendshëm, që të mund ta kuptoni.