Duke lëvduar Zotin dhe krijesat e Tij të mrekullueshme
Qoftë lëvduar Zoti. Ai është i tillë, që shqisat s’mund ta perceptojnë, vendi s’mund ta përmbajë, sytë s’mund ta shikojnë dhe perdet s’mund ta mbulojnë. Ardhja në ekzistencë e krijesave të Tij provon përjetësinë dhe vërtetësinë e Tij, kurse ngjashmëria midis tyre tregon që çdo gjë tjetër është e pangjashme me Të. Ai është serioz në premtimet e Tij dhe është tepër i lartë për të qenë i padrejtë me krijesat e Tij. Ai qëndron i paanshëm mes krijimit të Tij dhe bën drejtësi me porositë e Tij. Ai na e dëshmon qenien e Tij të pa fundme përmes fillimit të gjërave, fuqinë e Tij përmes dobësisë së tyre, dhe përjetësinë e Tij me pafuqinë e tyre përballë vdekjes. Ai është Njëshi, por jo se numërohet; është i përjetshëm pa asnjë cak; e është ekzistent pa u mbështetur gjëkund.
Mendjet e pranojnë pa patur nevojë për shqisa dhe ato çfarë shihen janë prova pro, e jo kundër Tij. Imagjinata s’mund ta mbërthejë në pranga detajesh, sepse Ai i shfaqet përmes mbështetjes që i jep e s’pranon të imagjinohet si pjellë e fantazisë. Dhe kështu, Ai e bën imagjinatën arbitër. Ai s’është i madh, pse është i madh vëllimi, pra dhe trupi i Tij; as sepse kufijtë e Tij i japin madhështi, sepse shtyhen në ekstremitetet më të largëta. Ai është i madh në pozitë e lavdi e është madhështor në autoritet e pushtet.
Rreth Profetit të Shenjtë
Unë dëshmoj që Muhammedi është shërbëtori i Tij, Profeti i zgjedhur i Tij dhe kujdestari përgjegjës përpara Tij, Zoti bekoftë atë dhe pasardhësit e Tij. Zoti e nisi me prova të pamohueshme, me sukses të padiskutueshëm dhe me rrugë të hapura dhe të qarta. Përmes tij, Ai përçoi mesazhin dhe shpalli të vërtetën. Përmes tij, Ai udhëhoqi njerëzit në rrugën e gjerë dhe të drejtë, nguli shenja orientuese e minare drite, dhe i bëri të pazgjidhshme e të forta lidhjet dhe nyjet e Islamit.
Pjesë e po asaj ligjërate rreth krijimit të specieve të kafshëve
Po të kishin menduar për madhështinë e Pushtetit të Tij dhe pashtershmërinë e Mirësisë së Tij, ata do të ishin kthyer në rrugën e drejtë dhe do t’i ishin frikësuar ndëshkimit të zjarrit; por zemrat e tyre janë të sëmura dhe sytë u janë veshur. A nuk i shikoni gjallesat e vogla, që Ai krijoi, se si ua forcoi strukturën, si ua hapi dyert e dëgjimit e të shikimit dhe si i pajisi me lëkurë e kocka? Shikoni milingonën, me trupin e saj të vogël dhe formën e saj delikate. Është e vështirë ta vësh re me një shikim kalimthi, apo ta kuptosh me forcën e imagjinatës se si zhvendoset mbi tokë dhe vrapon drejt mjeteve të saj të jetesës. Ajo e mbart drithin për në folé dhe e ruan aty ku rri vetë. Ajo mbledh gjatë beharit për dimrin dhe në kohën që ka fuqi për kohën kur do jetë e pafuqishme. Mjetet e saj të jetesës janë garantuar e ajo ushqehet në pajtim me nevojat që ka. Zoti, i Miri, nuk e harron, dhe Zoti, Dhënësi, s’e lë pa gjë, ndonëse mund të jetojë në gurë të thatë apo në terrene shkëmbore.
Po të kishit menduar rreth kanaleve të saj të ushqimit në pjesët e përparme e të prasme, për kërcet e brinjëve në bark dhe për sytë dhe veshët e saj në kokë, do të ishit mahnitur me këtë krijesë e do ta kishit vështirë për ta përshkruar. I Lartësuar është Ai që e bëri të qëndrojë mbi këllqet e saj dhe të drejtohet mbi këmbët e saj. Kur e bëri, Ai nuk kishte në krah tjetër krijues e s’pati pranë dikë tjetër që mund të kishte fuqi për ta ndihmuar. Po të ecni rrugëve të imagjinatës e të arrini caqet e saj, nuk do dilni dot gjëkundi, përveçse në përfundimin që ai që krijoi milingonën, ka krijuar edhe palmën e hurmasë, sepse gjithë qeniet kanë finesë e delikatesë të njëjtë, dhe sepse të gjitha gjallesat nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra.
Krijimi i Gjithësisë Çdo gjë është e barabartë në krijimin e Tij, qoftë ajo e madhe, delikate, e rëndë, e lehtë, e fortë apo e dobët. Shihni qiellin, ajrin, erërat, ujin. Shihni diellin, hënën, bimësinë, ujin, pemët, gurin, këmbimin e natës dhe të ditës, burimin e rrëkeve, numrin e madh të maleve, lartësinë e majave të tyre, larminë e gjuhëve të folura dhe të popujve që i flasin. Mjerë ata që pas kësaj s’e besojnë Rregulluesin dhe mohojnë Urdhëruesin. Ata besojnë se janë si ai bári, për të cilin nuk ka mbjellës, as lulishtar që të vendosë për format e llojet e ndryshme të tij. Ata nuk japin asnjë argument për atë që thonë, as mbështeten në ndonjë kërkim për atë që kanë dëgjuar. A mund të ketë ndërtim pa ndërtues, apo efekt pa shkakun që e sjell në ekzistencë?
Krijimi i mrekullueshëm i Karkalecit
Po të dëshironi, unë mund t’ju tregoj për karkalecin. Zoti i dha atij dy sy të kuq, ndezi për ta dy bebëza në formë hëne, i bëri veshë të vegjël, i hapi një gojë të përshtatshme, i dha shqisa të ndjeshme dhe e pajisi me dy dhëmbë për të prerë e dy këmbë në formë drapri, për t’u mbërthyer pas gjërave. Bujqit kanë frikë prej tij për të mbjellat e tyre, sepse nuk mund ta dëbojnë dot edhe po të bëhen të gjithë bashkë. Karkaleci sulmon arat dhe shuan në to urinë e tij, megjithëse trupi i tij nuk është as sa gishti i tyre i vogël.
Lavdia e Zotit
Lëvduar qoftë Zoti, të cilit i përulen të gjithë, qofshin në qiej apo në tokë, i bien përmbys me dashje a pa dashje, i nënshtrohen duke i bërë faqet e fytyrën njësh me tokën, lëshohen përpara Tij paqësisht e përunjësisht, në bindje, dhe i dorëzojnë kontroll të plotë mbi punët e drojes e të të kuptuarit. Janë komandat e Tij që i vënë zogjtë në lëvizje. Ai di numrin e pendëve të tyre e të frymëmarrjeve të tyre. Disave u bëri kërcinj për t’u ulur mbi ujë e të tjerëve mbi tokë. Ai ua ka përcaktuar me çfarë e me sa të jetojnë. Ai i njeh speciet e tyre, cili është korbi, cila shqipja, cili pëllumbi dhe cili struci. Ai iu drejtua me emrin e vet çdo zogu, kur e bëri, e i siguroi ushqimin që i duhej. Ai i krijoi retë e dendura, shtrydhi prej tyre shiun e rëndë dhe e përhapi në toka lloj-lloj. Ai e lagu dheun prapë pas thatësirës e pas shterpësisë rriti bimë në të.