Ligjërata 182

 

Është treguar nga Nauf Bikali, që Imam Aliu e ka mbajtur këtë ligjëratë në Kufa, hipur mbi një gur që ia kishte afruar Xha’de bin Hubejre el-Makhzumi. Imam Aliu kishte në trup një rrobë të leshtë. Brezi i shpatës së tij ishte thurur prej gjethesh, edhe sandalet që mbante veshur ishin bërë nga gjethe palmash. Në ballë kishte një kallo, si ajo e gjunjëve të deveve

 

Lëvduar qoftë Zoti, te i cili është rikthimi i të gjithë krijimit e fundi i të gjitha gjërave. Ne i thurim Atij himne për bujarinë e Tij të madhe, mençurinë e Tij të ndritur, mirësinë e Tij jetëdhënëse dhe bekimet e Tij - himne që janë pjesë e së drejtës së Tij, shlyejnë detyrimet tona ndaj Tij, afrojnë shpërblimin e Tij e nxitin mirësinë e Tij të rritet edhe më shumë. Ne e lypim ndihmën e Zotit si ai që beson mirësinë e Tij, është i dëshiruar për të mirat e Tij, s’dyshon në mbrojtjen e Tij kundër fatkeqësive, është mirënjohës për dhuratat e Tij dhe i bindet Atij me fjalë e me vepra. Ne besojmë në Zotin si ai që i var shpresat me bindje tek Ai, i dorëzohet Atij si besimtar, përunjet kryeulët përpara Tij me besim në Njëshmërinë e Tij, e pranon Atë me gjithë Madhështinë e Dinjitetin e Tij, dhe i kërkon Atij shpëtim me përkushtim e devocion.

 

Zoti i Lavdishëm nuk ka qenë lindur nga një at, që ndokush t’i bëhet pjesëtar në lavdi, as ka lindur ndokënd, që të trashëgohet nëse pushon së qeni. Atë s’e ka paraprirë as koha, as hapësira. Tek Ai s’ndodh as rritje, as rrudhje. Ai na është shfaqur që ta njohim, duke bërë të dukshëm për sytë tanë organizimin e përkryer të Gjithësisë dhe kontrollin e Tij të fortë mbi të. Mes provave të krijimit të Tij është ndërtimi i qiejv, që janë mbërthyer me njëri-tjetrin pa litarë dhe qëndrojnë varur pa asnjë mbështetje. Ashtu bëri hyqëm Ai, e ata u përgjigjën të bindur e me përulësi dhe pa mëri e përtim. Në qoftë se ata nuk do ta njihnin Hyjninë e Tij e s’do t’i bindeshin, Ai nuk do t’i kishte bërë vendin e Fronit të Tij, banesën e engjëjve të Tij dhe stacionin e fundit, nga ku zbret urtësia e pastër, e drejt të cilit ngjiten lutjet e krijesave.

 

Ai ka bërë yjet në qiej si shenja, me të cilat gjejnë orientim udhëtarët që lëvizin në rrugët e ndryshme të dheut. Mugëtira e perdeve të errëta të hapësirës nuk e spraps dot ndriçimin e dritës së tyre, as vellot e netëve pis të zeza s’kanë fuqi të zbehin dhe fikin dritën e hënës kur përhapet nëpër qiej. Lëvduar qoftë Zoti, të Cilit s’i fshihet dot as nxirosja e muzgut, e as nata sterrë e verbër, që hapet poshtë përmbi dhé apo lart, mbi majat e larta të maleve të mjegulluara, as shungëllimat e shtërngatave nëpër horizontet e hapësirës, as shkrepëtimat e rrufeve në gjirin e tyre, e as rrokullimat e gjetheve që fluturojnë nga vendi, ku i kanë hedhur erërat e stuhitë apo rrebeshet që derdh qielli. Ai e di ku bien pikat e shiut e ku i pi dheu, për ku zvarrriten mundimshëm larvat për t’u strehuar, ç’mjete jetese nevojiten për një mushkonjë dhe ç’mban femra në barkun e saj.

 

Lëvduar qoftë Zoti që ka ekzistuar qysh përpara ardhjes në këtë botë të kohës, vendit, fronit, qiellit, dheut, xhindeve dhe të qenieve njerëzore. Ai nuk mund të perceptohet nga imagjinata, as të çmohet nga të kuptuarit. Ai që i lyp Atij diçka, s’ia pakëson vëmendjen aspak, dhe as i shteron gjë Atij duke i marrë çfarë i lyp. Ai nuk shikon me anë të syrit, nuk mund të lidhet me ndonjë vend të caktuar, as mund të thuhet se ka shokë. Ai s’krijon duke përdorur gjymtyrë. Atë s’e ndijon dot asnjë shqisë, prandaj dhe s’mund të mendohet dot për Të mbi bazën e përvojës njerëzore. Është Ai, që i foli qartë Musait dhe i tregoi shenjat e Tij të mëdha pa përdorur gjymtyrët e trupit, organet e të folurit apo uvulan.

 

O ju që merrni përsipër të thoni se si është Zoti! Nëse e keni vërtet seriozisht, provoni njëherë të përshkruani Xhibra’ilin, Mikailin e gjithë ata engjëj në vendet më të larta Hyjnore, pranë Vet Zotit! Ata janë të gjithë kokëulur dhe intelekti i tyre e praps tundimin për t’i veshur Zotit Suprem caqe të fundme. E kjo ndodh sepse përmes cilësive perceptohen vetëm gjërat që kanë formë e pjesë dhe që i dorëzohen vdekjes në fund të jetës së tyre. Nuk ka zot tjetër, përveç Atij. Ai ka ndriçuar gjithçka të errët me rrezëllimin e Tij dhe ka errësuar gjithçka të ndritur me terrin e vdekjes.

 

Rreth fatit të popujve të mëparshëm dhe mësimeve që mund të nxirren prej tyre

 

Unë ju këshilloj, o krijesa të Zotit, të ushtroni frikën e Zotit, Që ju mësoi ta mbroni trupin tuaj me veshje dhe ju dha kontroll mbi bollëkun e mjeteve të jetesës. Të ishte ndonjë që do mund të gjente shtigje për te jeta e përjetshme apo mjete për t’iu shmangur vdekjes, ky do të kishte qenë Suleiman bin Da’udi të cilit i ishte dhënë kontrolli mbi të gjithë xhindet e njerëzit, së bashku me profetësinë dhe pozicionin e lartë përpara Zotit. Por edhe ai mbaroi ç’i takonte nga ushqimi i kësaj bote dhe i shteri vitet që i ishin ndarë; dhe harku i shkatërrimit lëshoi mbi të shigjetën e vdekjes. Shtëpia e tij u boshatis, vendet ku ai rrinte mbetën shkretë dhe u trashëguan nga të tjerë njerëz. Sigurisht shekujt e kaluar kanë mësim për ju.

 

Ku janë AmalekitëtI dhe bijtë e Amalekitëve? Po faraonët e bijtë e faraonëve ? Ku janë njerëzit e qyteteve të Rasit , që vranë profetët, përbuzën traditat e lajmëtarëve hyjnorë e rigjallëruan traditat e tiranëve? Ku janë ata që fushatuan me ushtri, mundën e masakruan mijëra, mobilizuan popuj dhe populluan qytete?

 

Pjesë e po asaj ligjërate për Imam Mehdiun

 

Ai1448 do vishet me mburojën e mençurisë e me të gjitha aftësitë për ta kontrolluar e përdorur mirë, të tilla si njohja e përkryer, trajtimi komplet1450, si dhe përkushtimi i plotë. Për të ajo do të jetë si diçka, që ai e kishte humbur dikur dhe e kërkonte deri tani, apo si nevojë, që përpiqej ta përmbushte. Kur Islami të jetë në gjendje të vështirë, ai do të ndihet i braktisur, si udhëtari i huaj e i pambrojtur, apo si ajo deveja e lodhur, që rreh bishtin për toke dhe nder qafën e saj të gjatë mbi dhé. Ai është i fundit i provave të Allahut dhe një nga mëkëmbësit e profetëve të Tij.

 

Pastaj Imam Aliu vazhdoi më tej për mënyrën e tij të qeverisjes, si dhe për dhembjen që ndjente për martirizimin e bashkëluftëtarëve të tij

 

O njerëz!Unë jua kam thënë këshillat që profetët predikonin shpesh para njerëzve të tyre e kam sjellë te ju gjithë ç’sillnin mëkëmbësit e profetëve për ata që vinin pas tyre. Unë u përpoqa t’ju mësoj me disiplinën time, por ju nuk mundët të drejtoheshit. Unë ju vura në lëvizje përmes paralajmërimit, por ju nuk e gjetët mënyrën e duhur të veprimit. Mjerë ju! Mos ndoshta shpresoni Imam tjetër, që t’ju çojë në rrugë të drejtë dhe t’ju tregojë rrugën e mbarë?

 

Mbani parasysh: Në këtë botë gjërat që kishim përpara, tashmë janë bërë të së shkuarës, e ato që ishin të së shkuarës, na kanë ardhur tani mu tek dera. Njerëzit e virtytshëm të Zotit e kanë mbledhur mendjen të nisen. Me ato pak kënaqësi kalimtare të kësaj bote ata kanë blerë shumë e shumë të mira të botës tjetër, ku do të rrinë përjetësisht. E ç’humbje patën vëllezërit tanë, që ranë në Siffin, ngaqë s’janë sot midis nesh? Veç nuk gëlltitin kafshata  mbytëse dhe nuk pijnë në ujëra të turbullta! Për Allah, ata kanë takuar Zotin e Ai u ka dhënë shpërblimet e i ka vënë të rrinë në shtëpi të sigurta, pas gjithë asaj lemerie. Ku janë vëllezërit e mi, që morën shtegun e drejtë dhe shkelën në rrugën e së mbarës?

Ku është AmmariII?

Ku është Ibn TexhihaniIII?

Ku është Dhu’sh-Shehadetejni?

Dhe ku janë të tjerët si ata dhe si shokët e tyre, që ia premtuan veten vdekjes, e kokat e të cilëve i rrëmbeu një armik i poshtër? Imam Aliu kaloi dorën mbi mjekrën e tij të nderuar e të spikatur dhe qau një copë herë; pastaj vazhdoi: O vëllezërit e mi, që recituat Kur’anin e i forcuat pozitat e tij, që menduat për detyrimet tuaja e i përmbushët, që gjallëruat Sunnetin e shkatërruat sajimet. Ju u përgjigjët, kur ju thirrën për në Luftën e Shenjtë, ju i besuat prijësit tuaj dhe i shkuat pas.

 

Pastaj Imam Aliu thirri me zë të fortë

 

Xhihad! Xhihad, o krijesa të Zotit! Për Allah, sot unë po mbledh ushtrinë. Kush dëshiron të shkojë tek Zoti, le të bëjë përpara!

 

Naufi thotë:

“Pastaj Imam Aliu i dha Huseinit komandën mbi një forcë prej dhjetë mijë vetash, Kejs bin Sa’dit mbi dhjetë mijë të tjerë dhe komandantëve të tjerë forca të tjera të ndryshme. Synimi i tij ishte që të kthehej mbrapsht në Siffin. Por e Premtja nuk erdhi më, sepse e vrau Ibn Mulxhemi i mallkuar, Zoti lëshoftë nëmën mbi të! Si pasojë ushtritë u kthyen e shpërndanë dhe ne mbetëm si ato delet që kanë humbur bariun e tyre, ndërkohë që ujqërit i çajnë nga të katër anët.”