Ligjërata 92

 

Pas vrasjes së Kalifit të Tretë, populli kërkoi t’i bënte betim besnikërie (I)  Imam Aliut. Por ai u tha:

 

Më lini mua e kërkoni një tjetër. Po këmbëngulni për një çështje që ka aspekte e nuanca, të cilat s’i përball dot zemra e s’i pranon dot intelekti. Në qiell varen re të zeza e fytyrat nuk shquhen dot qartë. (Flitet për modifikimet që kishte pësuar feja e vërtetë që nga koha e vdekjes së Profetit të Shenjtë. Për shkak të tyre, njerëzit nuk mund të ishin më të gatshëm për të pranuar kuptimin e vërtetë të Mesazhit të Zotit. Imam Aliu nuk do mund të rrinte indiferent dhe mosveprues ndaj tyre, kur të vihej në postin e Kalifit, gjë që do ta ndërlikonte shumë situatën. Imam Aliu e kishte të qartë që masat e tij do ta ftohnin shumë shpejt entuziazmin e njerëzve, për shkak të besimit të tyre tashmë të paqartë dhe të tronditur.)

 

Duhet ta dini se, sikur ta pranoja ftesën tuaj, do t’ju drejtoja ashtu siç di unë, pa ia vënë veshin asgjëje që mund të thoshte dikush, as sharjeve. E nëse hiqni dorë nga unë, atëhere do jem si jeni dhe ju. Mbase dhe mund ta dëgjoj e t’i bindem atij, që do ngarkoni t’ju qeverisë. Për ju jam më i mirë si këshilltar, sesa si prijës.

 

......................................

 

(I) Pas vrasjes së Uthmanit, vendi i Kalifatit mbeti bosh. Atëhere muslimanët i kthyen sytë nga Aliu, i cili kishte dëshmuar gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë politia acumen (Mprehtësia politike.), sjellje paqësore dhe besnikëri ndaj principeve. Njerëzit nxituan që të gjithë për të kërkuar autoritetin e dorës së tij të panjollë, tamam si ai udhëtari që ka humbur rrugën e që nxiton këmbët me të parë një shenjë të njohur. Historiani Taberi raporton: Populli vajti mizëri tek Imam Aliu dhe i tha: Ne duam të jemi nën pushtetin e dorës tënde e të të betohemi për besnikëri. Ti e shikon ç’halle po i bien Islamit mbi kokë e ç’respekt kemi ne për të afërmit e Profetit.

(et-Tarikh, Vol. 1, f. 3066-3067 ; 3076.)

 

Po Imam Aliu nuk pranoi ta plotësonte kërkesën e tyre. Atëhere ata nisën të bënin zhurmë të madhe e të thërrisnin me zë të lartë: “O Ebu’l-Hasan, a nuk po e vuan ti vetë rrënimin e Islamit, nuk e shikon se si po na mbyt anarkia e djallëzia? Nuk paske më frikë nga Zoti?” Por përsëri Imam Aliu nuk u tregua i gatshëm që të pranonte. Ai kishte vënë re se gjendja e krijuar pas Profetit i kishte transformuar zemrat dhe mendjet e njerëzve. Ndër ta kishin lëshuar rrënjë egoizmi e epshi për pushtet, dhe mendimi i tyre kishte rënë nën ndikimin e materializmit. Tashmë ata ishin mësuar që ta shikonin qeverisjen si një mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Pas kësaj, atyre s’u mbetej më gjë tjetër, veçse të materializonin edhe Kalifatin e Shenjtë dhe ta bënin, edhe atë, një vegël në duart e tyre. Në këto kushte do të ishte e pamundur të ndryshoje mentalitetet e të ktheje mbrapsht drejtimin që kishte marrë botëkuptimi i tyre. Përveç kësaj, ai kishte parasysh se këtyre njerëzve u duhej lënë akoma kohë për të reflektuar thellë, në mënyrë që në të ardhmen, kur dështimi i qëllimeve të tyre materiale të bëhej i qartë, të mos mund të pretendonin se betimi i tyre për besnikëri ishte bërë si një zgjidhje e përkohshme, e që dhënia e tij kishte qenë e pamenduar. Lidhur me këtë, Imam Aliu mbante parasysh vlerësimin e Umerit për Kalifatin e Parë:

 

Kalifati i Parë ishte një shkarje (felt), por Zoti na ruajti nga pasojat e tij të këqija. Vriteni atë që do përpiqet ta përsëritë një gjë të këtillë në të ardhmen.

(es-Sahih, Bukhari, Vol. 8. ff. 210, 211; Sherh Sahih ul-Bukhari, el-Kastalani, Vol. 11, fq 352; el-Musned, Ahmed ibn Hanbel, Vol. 1, f. 55; et-Tarikh, et-Taberi, Vol. 1, f. 1892; el-Kamil fi Tarikh, Ibn ulAthir, Vol. 2, f. 327; Sire, Ibn Hisham, Vol. 4, f. 308, 309; el-Bidaje we’n-Nihaje, Ibn Kethir, Vol. 5, f. 246; Tarikh ul-Khulefa’, Xhelaludin Sujuti, f. 60).

 

Por këmbëngulja e popullit kapërceu gjithë kufijtë, prandaj Imam Aliu mbajti këtë fjalim, në të cilin u bëhej e qartë të gjithëve: “Në se më doni për qëllimet tuaja të kësaj bote, unë nuk jam gati të shërbej si vegla juaj. Më lini e zgjidhni një tjetër për të plotësuar qëllimet tuaja. Ju e dini si kam jetuar unë. Unë nuk jam i përgatitur të ndjek gjë tjetër, veç Kur’anit dhe Sunahut, e nuk do të hiqja dorë nga ky princip i jetës time për të siguruar pushtet. Në qoftë se ju zgjidhni njeri tjetër, unë do t’i respektoj ligjet e shtetit dhe organizimin, njësoj si gjithë qytetarët e tjerë paqësorë. Unë nuk jam përpjekur asnjëherë të përçaj ekzistencën kolektive të muslimanëve duke nxitur revoltë.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe këtej e tutje. Përkundrazi, ashtu siç kam dhënë këshilla korrekte deri më sot, duke mbajtur parasysh të mirën e përgjithshme, ashtu do bëj edhe këtej e tutje pa u kursyer. Në qoftë se më lini në pozicionin ku jam, do jetë më mirë për synimet tuaja të kësaj bote, se kështu nuk do kem fuqi në dorë për të dalur kundër interesave tuaja tokësore dhe për të penguar dëshirat që keni më për zemër. Po në qoftë se jeni vërtet të vendosur të më vishni me pushtet, mbani parasysh: Unë do t’ju detyroj që të ecni në udhën e së drejtës, kur të mbeteni të pakënaqur nga unë dhe të flisni kundër meje; dhe kur fjala të jetë për të drejtën, unë nuk do pyes më për asnjë. Nëse ju e kërkoni betimin përsëri, edhe me këtë kusht, atëhere le të plotësohet dëshira juaj.”

 

Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan plotësisht mendimin që kishte patur Imam Aliu për këta njerëz. Pasi bënë betimin e besnikërisë ndaj tij, duke u nisur nga motive të kësaj bote, ata nuk patën sukses në arritjen e objektivave të tyre; atëhere e thyen këtë betim e u ngritën me pretendime të pabazuara kundër udhëheqjes së Imam Aliut.