Për ndarjen e komunitetit në fraksione
Zoti nuk ka çuar në qafëthyerje asnjë tiran kokëfortë të kësaj botë, pa i dhënë kohë dhe mundësi, dhe nuk ia ka përmirësuar kushtet asnjë populli, pa e vënë më parë në sprovë me fatkeqësi dhe mjerim. Vuajtjet që tashmë keni hequr dhe vështirësitë, nëpër të cilat keni kaluar, janë më shumë nga ç‘do duhej për t’ju dhënë mësim. Për fat të keq, jo çdo vesh dëgjon, jo çdo sy shikon, dhe jo çdo njeri i thinjur është edhe i mençur.
Çuditem, dhe nuk ka si të mos çuditem, me gabimet e atyre që futën ndryshime e risi në argumentet e tyre fetare. Ata nuk shkojnë në gjurmët e Profetit të tyre dhe nuk i ndjekin veprimet e mëkëmbësit të tij. Ata nuk e besojnë të panjohurën (Pretendojnë se i dinë të gjitha.) dhe nuk i shmangen së keqes. Ata veprojnë mbi bazën e hamendjeve e i hedhin këmbët ku i heq pasioni.
Për ata, ‘e mira’ është gjithçka që e quajnë ata të mirë, dhe ‘e keqja’ është gjithçka që e quajnë ata të keqe. Ata mbështeten vetëm tek vetja kur përpiqen që t’i shpëtojnë mjerimit. Besimi i tyre në çështjet e dyshimta rrënjëzohet në vet mendjet e tyre. Secili prej tyre ka për prijës vetveten. Gjithçka që një i tillë vendos vet, shihet si e bazuar në burime të besueshme dhe në faktorë të fuqishëm.